KI188/22, Parashtrues i kërkesës Isak Shehu, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme Rev. nr. 580/2022 të 11 janarit 2022
KI188/22, Aktvendim për papranueshmëri i 18 janarit 2024, publikuar më 22 mars 2024
Fjalët kyç: kërkesë individuale, korrigjim i lëshimit procedural, e drejta në pagë jubilare
Parashtruesi i kërkesës parashtroi kërkesë në Gjykatë duke konsideruar se Gjykata ka bërë gabim teknik me rastin e llogaritjes së afateve në kërkesën e tij të mëparshme KI 83/22 të cilën Gjykata e ka shqyrtuar dhe e ka refuzuar si kërkesë që është parashtruar jashtë afatit kohor.
Në lidhje me këtë, parashtruesi i kërkesës kërkoi që të konstatohet se ka ndodhur një lëshim teknik gjatë llogaritjes së afateve në lidhje me kërkesën e tij të mëparshme në rastin KI83/22, si dhe që Gjykata të konstatojë se me aktgjykimin e Gjykatës Supreme të 11 janarit 2022 janë shkelur të drejtat e tij të garantuara me nenet 3 [Barazia para Ligjit], 24 [Barazia para Ligjit], 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], 32 [E Drejta për Mjete Juridike], 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] dhe 102 [Parimet e Përgjithshme të Sistemit Gjyqësor] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta), në ndërlidhje me nenet 6 (E drejta për një proces të rregullt) dhe 13 (E drejta për zgjidhje efektive) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNJ).
Sa i përket kërkesës së parë që Gjykata ka bërë gabim teknik gjatë llogaritjes së afateve, Gjykata nga shkresat e lëndës dhe faktit të paraqitjes së kërkesës KI 83/22 konkludoi se kërkesa e parashtruesit të kërkesës se është dorëzuar brenda afatit ligjor është e bazuar, për arsye se me rastin e vlerësimit të përmbushjes së kushteve procedurale të kërkesës së dorëzuar KI 83/22 lidhur me afatin e paraqitjes së saj, nga ana e Gjykatës është bërë gabim teknik, për shkak të rrethanës se: i) kërkesa është dorëzuar me postë, dhe ii) se kërkesa është paraqitur në ditën që sipas rregullores llogaritet si ditë që hyn në afatin prej 4 muajsh. Pikërisht për shkak të këtij gabimi teknik u konstatua se kërkesa ishte e pasafatshme. Prandaj, Gjykata konkludon se kërkesa KI 83/22 është dorëzuar brenda afatit kohor prej 4 muajsh.
Përkitazi me pretendimin e parashtruesit të kërkesës se në procedurën e ushtrimit të së drejtës për pagën jubilare i janë cenuar të drejtat dhe liritë e garantuara me nenet 3 [Barazia para Ligjit], 24 [Barazia para Ligjit], 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], 32 [E Drejta për Mjete Juridike], 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] dhe 102 [Parimet e Përgjithshme të Sistemit Gjyqësor] të Kushtetutës, si dhe nenet 6 (E drejta për një proces të rregullt) dhe 13 (E drejta për zgjidhje efektive) të KEDNJ-së, gjatë analizës së këtyre pretendimeve, Gjykata zbatoi praktikën e Gjykatës si dhe parimet e GJEDNJ-së dhe analizoi me kujdes ndarazi të gjitha pretendimet e parashtruesit të kërkesës, duke konstatuar se ato janë të pabazuara në pajtim me paragrafin (2) të rregullit 34 të Rregullores së punës.
Isak Shehu
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Civile