KI83/22, Parashtrues: Isak Shehu, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme, Rev. nr. 580/2022, të 11 janarit 2022
KI83/22, Aktvendim për Papranueshmëri, i 12 tetorit 2022, publikuar më 8 nëntor 2022
Fjalët kyç: kërkesë individuale, procedurë administrative, kërkesë e paafatshme
Parashtruesi i kërkesës kishte punuar në Korporatën Energjetike të Kosovës që nga viti 1979 derisa ishte pensionuar (në vitin 2019), në pozitën Menaxher i Kontabilitetit. Pas pensionimit, parashtruesi i kërkesës kishte paraqitur kërkesë drejtuar KEK-ut, për njohjen e shpërblimit në paga jubilare. KEK kishte refuzuar kërkesën e parashtruesit të kërkesës. Parashtruesi i kërkesës kishte parashtruar padi në Gjykatën Themelore kundër KEK-ut ku kishte kërkuar që ti paguhen pagat jubilare. Gjykata Themelore e kishte aprovuar padinë e parashtruesit të kërkesës dhe detyroi të paditurën KEK që parashtruesit të kërkesës t’ia paguaj shumën prej 3,960 (tre mijë e nëntëqind e gjashtëdhjetë) euro me kamatë në lartësi prej 8% nga dita e marrjes së aktgjykimit si dhe shpenzimet e procedurës në lartësi 175 euro të gjitha në afatin prej 7 ditëve. KEK kishte paraqitur ankesë në Gjykatën e Apelit, ku kjo e fundit aprovoi ankesën e KEK-ut dhe ndryshoi Aktgjykimin e Gjykatës Themelore, ashtu që refuzoi si të pa bazuar kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës. Parashtruesi i kërkesës kishte paraqitur revizion në Gjykatën Supreme, ku kjo e fundit e refuzoi si të pathemeltë revizionin e tij.
Parashtruesi i kërkesës para Gjykatës kontestoi Aktgjykimin [Rev.nr.580/2021] të 11 janarit 2022 të Gjykatës Supreme, me pretendimin se i njëjti është nxjerrë në shkelje të të drejtave dhe lirive themelore të tij të garantuara me nenet 3 [Barazia para Ligjit], 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], 32 [E Drejta për Mjete Juridike], 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] dhe 102 [Parimet e Përgjithshme të Sistemit Gjyqësor] të Kushtetutës si dhe nenet 6 dhe 13 të KEDNJ-së.
Në këtë kontekst, në rrethanat e rastit konkret, Gjykata rikujtoi që parashtruesi i kërkesës e kontestoi Aktgjykimin [Rev.nr.580/2021] të 11 janarit 2022 të Gjykatës Supreme. Fletëkthesa e dorëzuar në Gjykatë nga Gjykata Themelore, vërteton që parashtruesi i kërkesës e ka pranuar aktin e kontestuar më 4 shkurt 2022. Parashtruesi i kërkesës e kishte dorëzuar kërkesën e tij në postë më 6 qershor 2022, gjë që vërtetohet përmes zarfit, e cila në Gjykatë ka arritur më 10 qershor 2022, më shumë se 4 muaj pas pranimit të aktit të kontestuar. Rrjedhimisht, Gjykata konstaton se kërkesa e parashtruesit të kërkesës është dorëzuar pas afatit ligjor prej 4 (katër) muajve të përcaktuar me Ligj dhe Rregullore të punës, dhe rrjedhimisht është e papranueshme për shqyrtim.
Si përfundim, Gjykata konstatoi se kërkesa nuk është dorëzuar brenda afatit ligjor të përcaktuar me nenin 49 të Ligjit dhe rregullin 39 (1) (c) të Rregullores së punës dhe rrjedhimisht, kërkesa shpallet e papranueshme.
Isak Shehu
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Neni 31 - E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm , Neni 32 - E Drejta për Mjete Juridike , Neni 54 - Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave
Kërkesa është paraqitur pas afatit
Administrative