Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme, Rev.nr.465/2019, të 11 dhjetorit 2019

Nr. të lëndës KI 08/20

Parashtruesit: Naser Husaj

Shkarko:

KI08/20, Parashtrues: Naser Husaj, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme, Rev.nr.465/2019, të 11 dhjetorit 2019 

KI08/20, Aktvendim i miratuar më 25 nëntor 2020, i publikuar më 16 dhjetor 2020

Fjalët kyç: kërkesë individuale, e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, mbrojtja e pronës, gjykatë e paanshme, kërkesë e papranueshme

Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me një kontest gjyqësor për një Kontratë të vitit 2006 në vlerë prej 30,000 eurosh të lidhur ndërmjet parashtruesit të kërkesës dhe S.J.-së, lidhur me disa ngastra kontestuese. Parashtruesi i kërkesës pretendoi, ndër tjerash, se ka përmbushur pjesën më të madhe të Kontratës sepse ka paguar 20,000 euro nga kjo shumë, për më tepër që, gjithashtu pretendoi se ka fituar të drejtën e kësaj pronësie si mbajtës në mirëbesim me kalimin e kohës së nevojshme bazuar në dispozitat përkatëse të Ligjit mbi  Marrëdhëniet Themelore Juridike-Pronësore të 30 janarit 1980.  Ndërkohë, dhe përderisa ankesa e parashtruesit të kërkesës ishte në pritje para Gjykatës së Apelit, parashtruesi i kërkesës kishte paraqitur kallëzim penal kundër njërit prej gjyqtarëve pjesëmarrës në kolegjin e Gjykatës së Apelit. Duke marrë parasysh që kjo e fundit kishte refuzuar pretendimet e tij rreth ngastrave kontestuese si të pabazuara dhe kishte konfirmuar konstatimet e Gjykatës Themelore, parashtruesi i kërkesës, përmes revizionit në Gjykatën Supreme, kishte kontestuar pjesëmarrjen e gjyqtarit Q.A., në kolegjin përkatës të Gjykatës së Apelit. Gjykata Supreme, përmes Aktgjykimit [Rev.nr.335/2015] të 14 dhjetorit 2015, kishte shqyrtuar pretendimet e parashtruesit të kërkesës të ngritura përmes revizionit duke i refuzuar të njëjtat, por nuk kishte trajtuar pretendimet që ndërlidheshin me paanshmërinë e Gjykatës së Apelit për shkak të pjesëmarrjes së gjyqtarit Q.A. në kolegjin përkatës. Për pasojë, parashtruesi i kërkesës iu drejtua Gjykatës Kushtetuese, duke pretenduar shkelje të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, për shkak të mungesës së vendimit të arsyetuar gjyqësorë përkitazi me anshmërinë e Gjykatës së Apelit, si rezultat i pjesëmarrjes së gjyqtarit Q.A. në kolegjin përkatës. Gjykata Kushtetuese përmes Aktgjykimit KI22/16, e kishte shpallur Aktgjykimin e lartcekur të Gjykatës Supreme në kundërshtim me nenet 31 të Kushtetutës dhe 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, për shkak të mungesës së vendimit të arsyetuar gjyqësor, vetëm dhe specifikisht, lidhur me pretendimin për anshmërinë e Gjykatës së Apelit, dhe e kishte kthyer rastin në Gjykatën Supreme. Në rivendosje, Gjykata Supreme përmes Aktgjykimit [Rev.nr.465/2019] të 11 dhjetorit 2019, sërisht refuzoi të pathemeltë revizionin e parashtruesit të kërkesës, por kësaj radhe, në përputhshmëri më konstatimet e Aktgjykimit të Gjykatës në rastin KI22/16, gjithashtu adresoi dhe arsyetoi pretendimet e parashtruesit të kërkesës përkitazi me anshmërinë e Kolegjit përkatës në Gjykatën e Apelit, për shkak të pjesëmarrjes së gjyqtarit Q.A.

Parashtruesi i kërkesës e kontestoi këtë Aktgjykim të Gjykatës Supreme sërisht para Gjykatës, duke pretenduar shkelje të neneve 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] dhe 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës dhe nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, në esencë, duke pretenduar se Aktgjykimi i Gjykatës në rastin KI22/16 nuk ishte zbatuar nga Gjykata Supreme dhe se Aktgjykimi i të njëjtës vazhdonte të jetë i paarsyetuar. Këto pretendime të parashtruesit të kërkesës, Gjykata i trajtoi, duke aplikuar praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, mbi bazën e të cilës Gjykata, bazuar në nenin 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës, është e detyruar të interpretojë të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutë.

Përkitazi me pretendimet e parashtruesit të kërkesës në lidhje me nenin 31 të Kushtetutës, Gjykata, pasi dha sqarimet e nevojshme, theksoi se arsyetimi i Gjykatës Supreme në Aktgjykimin e kontestuar [Rev.nr.465/2019] të 11 dhjetorit 2019 është  në përputhje me kërkesat dhe konstatimet e Gjykatës në rastin KI22/16, dhe rrjedhimisht, ky i fundit është zbatuar në mënyrë të drejtë. Prandaj, pretendimet e parashtruesit të kërkesës për mungesë të vendimit të arsyetuar gjyqësor dhe moszbatim të Aktgjykimit të Gjykatës në rastin KI22/16, i cilësoi si pretendime që reflektojnë  “mungesë të dukshme ose të qartë të shkeljes”, duke i shpallur të papranueshme si qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, siç është përcaktuar përmes paragrafit (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës.

Ndërsa, përkitazi me pretendimet e parashtruesit të kërkesës në lidhje me aspekte të tjera të nenit 31 të Kushtetutës dhe nenit 46 të Kushtetutës, Gjykata vlerësoi se këto pretendime bien në kategorinë e pretendimevetë pambështetura apo paarsyetuara”. Në kontekst të kësaj kategorie pretendimesh, Gjykata, duke u bazuar në nenin 48 të Ligjit dhe paragrafët (1) (d) dhe (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës dhe praktikën e saj gjyqësore, rikujtoi qëndrimin e saj tashmë të konsoliduar që (i) palët kanë detyrim që të qartësojnë saktësisht dhe në mënyrë adekuate të paraqesin faktet dhe pretendimet; dhe gjithashtu (ii) të dëshmojnë dhe në mënyrë të mjaftueshme të mbështesin pretendimet e tyre për shkelje të të drejtave apo dispozitave kushtetuese. Për pasojë, edhe këto pretendime u shpallën të papranueshme si qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, siç është përcaktuar përmes paragrafit (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës.

Përfundimisht, kërkesa u shpall e papranueshme si qartazi e pabazuar në baza kushtetuese siç përcaktohet me nenin 113.7 të Kushtetutës, nenin 47 të Ligjit dhe rregullin 39 (2) të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

Naser Husaj

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri