Aktvendim

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme, Rev. nr. 416/2020, të 5 nëntorit 2020

Nr. të lëndës KI 59/21

Shkarko:
Përmbledhje

KI59/21, Parashtrues: Partia Demokratike e Kosovës, dega në Gjakovë, kërkesë për vlerësim të kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme, Rev. nr. 416/2020, të 5 nëntorit 2020

KI59/21, Aktvendim për papranueshmëri, i 22 korrikut 2021, publikuar më 12.08.2021

Fjalët kyç: e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, kërkesë e papranueshme, person juridik, qartazi e pabazuar

Nga shkresat e lëndës rezultoi që rasti ndërlidhej me lidhjen e një kontrate për qiranë, ndërmjet parashtruesit të kërkesës dhe Agjencisë Kosovare të Privatizimit si administratore e ndërmarrjeve shoqërore. Si rezultat i mospagesës së obligimeve kontraktuese nga parashtruesi i kërkesës, respektivisht për pagesën e borxhit të qirasë për periudhën 1 qershor 2012 deri më 1 nëntor 2015, Agjencia Kosovare e Privatizimit kishte parashtruar padi në Gjykatën Themelore, dhe në ndërkohë kishte kërkuar plotësimin e kërkesëpadisë duke kërkuar që parashtruesi i kërkesës të paguajë edhe kamatë. Gjykata Themelore kishte aprovuar pjesërisht kërkesëpadinë e Agjencisë Kosovare të Privatizimit dhe e obligoi parashtruesin e kërkesës që të paguajë borxhin në emër të qirasë së papaguar, në bazë të kontratës mbi qiranë, me kamatë përkatëse ligjore të cilën e paguajnë bankat komerciale në Kosovë për mjetet e deponuara në afat mbi një vit, ndërsa pjesën tjetër e refuzoi si të pabazuar. Pas ankesës së parashtruesit të kërkesës në Gjykatën e Apelit, ku ndër të tjera parashtruesi e kontestoi edhe legjitimitetin pasiv dhe aktiv të Agjencisë Kosovare të Privatizimit në këtë çështje, Gjykata e Apelit e refuzoi si të pabazuar. Parashtruesi i kërkesës parashtroi revizion në Gjykatën Supreme, dhe kjo e fundit refuzoi revizionin kundër Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit, ndërsa Aktgjykimin e Gjykatës Themelore, e ndryshoi vetëm sa i përket datës prej kur duhet të paguhet kamata.

Parashtruesi i kërkesës, si pretendim kryesor para Gjykatës Kushtetuese kishte ngritur shkeljen e të drejtës të mbrojtur me nenet 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të KEDNJ-së.

Parashtruesi i kërkesës në thelb para Gjykatës pretendoi se vendimet e gjykatave të rregullta nuk janë mjaftueshëm të arsyetuara, respektivisht çështjet si në vijim i) mungesës së arsyetimit që i kanë bërë gjykatat e rregullta pretendimit të parashtruesit, lidhur me mungesën e legjitimitetit pasiv dhe aktiv të Agjencisë Kosovare të Privatizimit për të qenë palë në procedurë; ii) pretendimit se gabimisht është konstatuar fakti se parashtruesi i kërkesës është person juridik; dhe iii) se Agjencia Kosovare e Privatizimit është përfaqësuar në mënyrë jo të drejtë para gjykatave të rregullta, respektivisht jo në mënyrën e paraparë me Ligjin për Agjencinë Kosovare të Privatizimit.

Lidhur me pretendimet e parashtruesve të kërkesës, Gjykata fillimisht shtjelloi parimet e praktikës së saj gjyqësore dhe të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, përkitazi me doktrinën e shkallës së katërt, dhe më pas aplikoi të njëjtat në rrethanat e rastit konkret.

Gjykata, lidhur me këto pretendime, konkludoi se të njëjtat janë çështje të ligjshmërisë që i takojnë kategorisë së pretendimeve të “shkallës së katërt”, rrjedhimisht, pretendime qartazi të pabazuara.

Parashtruesit:

Partia Demokratike e Kosovës, dega në Gjakovë

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim