Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme Rev. nr. 322/2018 të 15 tetorit 2018

Nr. të lëndës KI 201/18

Parashtruesit: Selami Taraku

Shkarko:

KI201/18, Parashtrues: Selami Taraku, vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme Rev. nr. 322/2018 të 15 tetorit 2018

KI201/18, Aktvendim për papranueshmëri i 8 tetorit 2018, publikuar më 6 nëntor 2019

Fjalët kyç: kërkesë individuale, vlerësim i kushtetutshmërisë së  aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, qartazi e pabazuar

Parashtruesi e parashtroi kërkesën në pajtim me nenin 113.7 të Kushtetutës, nenin 47 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës nr. 03/L-121 dhe rregullit 32 të Rregullores së Punës të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës.

Në vitin 2016, parashtruesi i kërkesës parashtroi padi në Gjykatën Themelore në Prishtinë, kundër Universitetit të Prishtinës, në të cilën kërkoi që Universiteti i Prishtinës të detyrohet të ia paguajë tri paga pas daljes në pension dhe tri paga si shpërblim jubilar.

Gjykata Themelore në Prishtinë me Aktgjykimin C. nr. 2797/16 e miratoi padinë e parashtruesit të kërkesës dhe e detyroi Universitetin e Prishtinës që t’i paguajë kompensim monetar parashtruesit të kërkesës  në emër të shpërblimit për tre paga përcjellëse për pension dhe tre pagave për shpërblim jubilar.

Gjykata e Apelit duke vendosur në lidhje me ankesën e  Universitetit të Prishtinës me Aktgjykimin Ac. nr. 4531/2017 refuzoi si të pabazuar ankesën e Universitetit të Prishtinës dhe vërtetoi në tërësi aktgjykimin e Gjykatës Themelore.

Gjykata Supreme duke vendosur në lidhje me revizionin e Universitetit të Prishtinës me Aktgjykimin Rev. nr. 322/2018 pranoi revizionin e Universitetit të Prishtinës, dhe ndryshoi aktgjykimet e Gjykatës Themelore dhe të Gjykatës së Apelit, ashtu që e refuzoi si të pabazuar padinë parashtruesit të kërkesës që t’i paguajë tri paga përcjellëse për dalje në pension dhe shpërblimin jubilar.

Parashtruesi i kërkesës pretendon se gjykatat e rregullta i kanë shkelur të drejtat e mbrojtura me nenet 31 dhe 46 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 dhe nenin 1 të Protokollit nr. 1. të KEDNJ-së dhe të drejtat e garantuara me nenin 10 të DUDNJ-së, pasi që pas daljes në pension nuk i është mundësuar pagesa e shpërblimit jubilar dhe përfitimet tjera që vijnë me shpërblimin jubilar.

Gjykata vë në pah se pretendimet e parashtruesve të kërkesës, në thelb, kanë të bëjnë me interpretimin nga Gjykata Supreme të dispozitave përkatëse të së drejtës materiale (përkatësisht të Ligjit të Punës dhe Marrëveshjes së përgjithshme Kolektive dhe anashkalimin e Kontratës Kolektive të nënshkruar nga Ministri i Arsimit dhe SBASHK-u).

Në lidhje me këtë, Gjykata thekson se  interpretimi i të drejtës materiale dhe procedurale është detyrë parësore dhe brenda juridiksionit të gjykatave të rregullta (çështje e ligjshmërisë). Roli i Gjykatës Kushtetuese është vetëm të përcaktojë nëse efektet e interpretimit të tillë janë në pajtim me normat dhe standardet kushtetuese.

Gjykata vëren gjithashtu se pretendimet e parashtruesit të kërkesës në lidhje me të drejtën e pronës në përputhje me praktikën e GJEDNJ-së, nuk mund të thuhet se lind ndonjë “pritje legjitime” atje ku ekziston një kontest në lidhje me interpretimin e drejtë dhe aplikimin e së drejtës së brendshme dhe atje ku parashtresat e parashtruesit janë hedhur poshtë më pas nga gjykatat kombëtare.

Prandaj, kërkesa është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese dhe duhet të deklarohet e papranueshme në pajtim me rregullin 39 paragrafi (2) të Rregullores së punës.

 

 

Parashtruesit:

Selami Taraku

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Administrative