KI171/23, Parashtrues: Latif Zariqi, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme, Rev. nr. 235/2020, të 3 korrikut 2023
KI171/23, Aktvendim për papranueshmëri, i 29 prillit 2024, publikuar më 13 qershor 2024
Fjalët kyçe: kërkesë individuale, kërkesë e papranueshme, mossaktësim i të drejtave dhe lirive themelore
Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me inicimin e kërkesëpadisë së dy paditësve për njohjen e të drejtës së pronësisë si bashkëpronarë të vetëm me nga ½ pjesë ideale të paluajtshmërive kontestuese, kundër parashtruesit të kërkesës. Si rezultat i zhvillimit të procedurës para gjykatave të rregullta, nga viti 2004 e tutje, Gjykata Themelore, në procedurë të rivendosjes, përmes Aktgjykimit të saj, të 20 nëntorit 2019 sërish e kishte aprovuar kërkesëpadinë e dy paditësve, duke vërtetuar se të njëjtit e kanë fituar të drejtën e pronësisë me parashkrim fitues. Kundër aktgjykimit të Gjykatës Themelore, parashtruesi i kërkesës kishte paraqitur ankesë në Gjykatën e Apelit, e cila ishte refuzuar si e pabazuar. Në vijim, si rezultat i revizionit të parashtruar kundër vendimeve të Gjykatës Themelore dhe asaj të Apelit në Gjykatën Supreme, kjo e fundit përmes Aktgjykimit të 3 korrikut 2023 revizionin e parashtruesit së kërkesës e kishte refuzuar si të pabazuar.
Parashtruesi i kërkesës në kërkesën e tij para Gjykatës, të dorëzuar nga përfaqësuesi i tij i parë, nuk kishte qartësuar saktësisht se cilat të drejta dhe liri kushtetuese pretendon se i janë cenuar përmes Aktgjykimit të kontestuar të Gjykatës Supreme, por vetëm kontestoi nenin 53 [Interpretimi i Dispozitave për të drejtat e Njeriut] të Kushtetutës. Në vijim, Gjykata nuk e pranoi plotësimin e kërkesës së parashtruesit të kërkesës përmes përfaqësuesit të tij të ri ligjor, të autorizuar për përfaqësim në Gjykatë për shkak se e njëjta ishte dorëzuar pas afatit ashtu siç përcaktohet me rregullin 26 (Regjistrimi i kërkesës dhe afati i dorëzimit të përgjigjeve) të Rregullores së punës.
Rrjedhimisht, Gjykata konstatoi se kërkesa e parashtruesit të kërkesës duhet të shpallet si e papranueshme ashtu siç përcaktohet me nenin 48 të Ligjit në lidhje me rregullin 34 (1) (d) të Rregullores së punës për shkak se parashtruesi i kërkesës në kërkesën e tij nuk kishte specifikuar të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutë, të cilat ai pretendon se përmes Aktgjykimit të Gjykatës Supreme i ishin shkelur.
Latif Zariqi
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Civile