Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme Rev.nr.16/2019, të 7 shkurtit 2019

Nr. të lëndës KI 49/19

Parashtruesit: Limak Kosovo International Airport SH.A., "Adem Jashari"

Shkarko:

KI49/19, Parashtrues: Limak Kosovo International Airport SH.A., “Adem Jashari”, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme Rev.nr.16/2019, të 7 shkurtit 2019 

KI49/19, i 10 shtatori 2019, publikuar më 21 tetor 2019

Fjalët kyç: kërkesë individuale, person juridik, kërkesë qartazi e pabazuar,

Parashtruesi i kërkesës parashtroi kërkesë në Gjykatë duke kërkuar Vlerësimin e kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [Rev.nr.16/2019] të 7 shkurtit 2019 të Gjykatës Supreme.

Parashtruesi i kërkesës kishte nënshkruar një Marrëveshje të Partneritetit Publiko Privat me Republikën e Kosovës, në të cilën, ndër të tjera, kishte përcaktuar se pas përvjetorit të tretë të kontratave me punëtorët e saj, mund të i ndërpres të njëjtat pa asnjë kufizim, dhe duke u bazuar në këtë dispozitë, të punësuarit përkatës, nuk i ishte vazhduar kontrata e punës. Gjykata Themelore dhe Gjykata e Apelit, përmes Aktgjykimeve përkatëse, kishin refuzuar padinë dhe ankesën e të punësuarit përkatës, respektivisht, ndërsa Gjykata Supreme, përmes Aktgjykimit [Rev.nr.16/19] të 7 shkurtit 2019, e kishte pranuar pjesërisht revizionin e të punësuarit si të bazuar, duke ndryshuar vendimet e instancave më të ulëta dhe duke anuluar njoftimin e parashtruesit të kërkesës për mos-vazhdimin e kontratës së punës.

Parashtruesi i kërkesës pretendon se Aktgjykimi i Gjykatës Supreme është nxjerrë në shkelje të të drejtave dhe lirive të tij kushtetuese të garantuara me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së specifikisht për shkak të mungesës së arsyetimit të vendimit gjyqësor dhe interpretimit të gabuar të Ligjit të Punës. Parashtruesi i kërkesës gjithashtu kishte pretenduar shkelje të neneve 32, 54 dhe 46 të Kushtetutës në lidhje me nenin 1 të Protokollit nr. 1 të KEDNJ-së.

Gjykata duke aplikuar praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, sa i përket pretendimit të parashtruesit për mungesë të vendimit të arsyetuar, rikujtoi se gjykatat e rregullta janë të detyruara që të i adresojnë dhe arsyetojnë pretendimet thelbësore të palëve, dhe në rastin konkret Gjykata theksoi se parashtruesi i kërkesës duke mos u përgjigjur në revizionin e të punësuarit të parashtruar në Gjykatën Supreme, në fakt nuk ka paraqitur argumentet e tij para kësaj të fundit. Si rezultat, Gjykata Supreme, nuk ka mundur që të i adresoj pretendimet e parashtruesit të kërkesës. Për më tepër që parashtruesi i kërkesës gjithashtu nuk kishte dëshmuar dhe mbështetur në mënyrë të mjaftueshme pretendimin e tij përkitazi me mungesën e arsyetimin të vendimit të kontestuar të Gjykatës Supreme.

Si rrjedhojë, Gjykata konstatoi se kërkesa e parashtruesit të kërkesës duhet të deklarohet e papranueshme si qartazi e pabazuar në baza kushtetuese.

Parashtruesit:

Limak Kosovo International Airport SH.A., "Adem Jashari"

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar