Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme Rev. nr.144/2021 të 19 tetorit 2021

Nr. të lëndës KI 34/22

Parashtruesit: Arbër Makolli

Shkarko:

KI34/22, Parashtrues: Arbër Makolli, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme Rev. nr.144/2021 të 19 tetorit 2021

KI34/22, Aktvendim për Papranueshmëri, i 8 qershorit 2022, publikuar më 29 qershor 2022

Fjalët kyç: kërkesë individuale, procedurë administrative, kërkesë qartazi e pabazuar

Rrethanat e rastit konkret, rezultojnë me largimin nga puna të parashtruesit të kërkesës në Policinë e Kosovës, për shkak të shkeljes së rëndë të detyrave të punës. Parashtruesi i kërkesës fillimisht ishte suspenduar me vendim të Komandantit të Stacionit për shkak të dyshimit të shkeljes së detyrave të punës përkatësisht për shkak të marrjes së ryshfetit. Pas zhvillimit të hetimeve NJSP përmes vendimit 021-SHPK-020067, parashtruesit të kërkesës i kishte shqiptuar masën disiplinore largim nga detyra, pasi që ishin hetuar dhe gjetur të aprovuara akuzat lidhur me standardin e sjelljes, të cilin vendim e kishte vërtetuar edhe  Komisioni i Ankesave të Drejtorisë së Personelit të SHPK-së në Prishtinë përmes vendimit Ref DP9827/D. Parashtruesi i kërkesës më tej kishte paraqitur padi në Gjykatën Themelore ku kishte kërkuar që të anulohet vendimi Ref DP9827/D i Komisioni i Ankesave të Drejtorisë së Personelit të SHPK-së dhe që të kthehet në vendin e tij të punës. Gjykata Themelore refuzoi si të pabazuar kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës. Kundër aktgjykimit të Gjykatës Themelore parashtruesi i kërkesës paraqiti ankesë të cilën ankesë Gjykata e Apelit e shpalli të pathemeltë dhe e vërtetoi aktgjykimin e Gjykatës Themelore. Parashtruesi paraqiti revizion në Gjykatën Supreme kundër aktgjykimit të Gjykatës së Apelit ku kërkoi që të prishen të dy aktgjykimet e gjykatave të instancës më të ultë dhe lënda të kthehet në rigjykim. Gjykata Supreme nëpërmjet aktgjykimit Rev.nr.144/2021 refuzoi si të pabazuar revizionin e parashtruesit të kërkesës.

Parashtruesi i kërkesës e kontestoi Aktgjykimin [Rev.nr.144/2021] e 19 tetorit 2021 të Gjykatës Supreme, me pretendimin se i njëjti është nxjerrë në shkelje të të drejtave dhe lirive themelore të tij të garantuara me nenet 3 [Barazia para Ligjit], 22 [Zbatimi i Drejtpërdrejtë i Marrëveshjeve dhe instrumenteve Ndërkombëtare], 24 [Barazia para Ligjit] dhe 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës.

Gjykata vërejti se thelbi i ankesës së parashtruesit të kërkesës qëndron në pretendimin se Gjykata Supreme ka shkelur nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, duke arsyetuar “sa i përket bazës juridike që gabimisht e ka konstatuar Gjykata Supreme, askund nuk është bere konstatimi i një fakti juridik se paditësi me Aktvendimin P nr.224/2006 dt.30.01.2012 te ish Gjykatës Komunale ne Podujeve, paditësi është liruar nga Aktakuza, se i njëjti Aktgjykim është nxjerre duke i administruar te gjitha provat e në veçanti deklarata e S.T i cili e konfirmon se paditësi asnjëherë nuk ka kërkuar para dhe se i njëjti e ka shfrytëzuar errësirën dhe i ka gjuajtur në dysheme parat në shumë prej 30 euro, pra të gjitha këto prova janë administruar dhe është vërtetu gjendja faktike në raport me aktvendimin për hedhjen e aktakuzës për shkak të parashkrimit që Gjykata Supreme e merr si bazë në kualifikimin e kinse shkeljeve disiplinore të paditësit. Po ashtu Gjykata fare nuk i ka marr parasysh shkeljet dhe arbitraritetin e policisë së Kosovës e cila masën e simulimit e kanë bërë në mënyrë arbitrare pa urdhër të prokurorit apo gjyqtarit të procedurës paraprake”.

Gjykata vërejti se thelbi i  pretendimeve të parashtruesit të kërkesës ka të bëjë me vërtetimin e gabuar të gjendjes faktike dhe interpretimin e gabuar të ligjeve të zbatueshme nga gjykatat e rregullta.

Në lidhje me pretendimet e parashtruesit të kërkesës, Gjykata, bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, por duke marrë parasysh edhe karakteristikat e saj, siç përcaktohen në KEDNJ, si dhe parimin e subsidiaritetit dhe doktrinën e shkallës së katërt, vazhdimisht ka theksuar ndryshimin midis “kushtetutshmërisë” dhe “ligjshmërisë” dhe ka theksuar se nuk është detyrë e saj të merret me gabimet e fakteve ose interpretimin e gabuar dhe zbatimin e gabuar të ligjeve, që pretendohet të jenë bërë nga një gjykatë e rregullt, përveç dhe për aq sa gabimet e tilla kanë mundur të shkelin të drejtat dhe liritë e mbrojtura me Kushtetutë dhe/ose KEDNJ. Gjykata gjithashtu vazhdimisht ka theksuar se nuk është roli i kësaj Gjykate të rishikojë gjetjet e gjykatave të rregullta në lidhje me gjendjen faktike dhe zbatimin e të drejtës materiale dhe se nuk mund të vlerësojë vetë ligjin që ka bërë që një gjykatë e rregullt të miratojë një vendim në vend të një vendimi tjetër. Nëse do të ishte ndryshe, Gjykata do të vepronte si gjykatë e “shkallës së katërt”, që do të rezultonte në tejkalimin e kufijve të vendosur në juridiksionin e saj.

Gjykata vërejti se gjykatat e rregullta arsyetuan në mënyrë të detajuar se në bazë të cilave prova dhe në bazë të të cilave dispozita materiale kanë nxjerrë aktgjykimet përkatëse, duke iu përgjigjur pretendimeve të parashtruesit të kërkesës lidhur me vërtetimin e gabuar të gjendjes faktike dhe zbatimin e gabuar të së drejtës materiale.

Gjykata po ashtu vërejti se Gjykatat e rregullta arsyetuan në mënyrë të detajuar pretendimet e parashtruesit të kërkesës, përfshirë edhe pretendimin se nuk e kishte marrë për bazë se ai ishte liruar nga akuza me vendim të Gjykatës Komunale të Podujevës P nr.224/2006 të 30 janarit 2006. Lidhur me këtë Gjykata vëren se vendimi në fjalë nuk ishte vendim i formës së prerë për shkak se ai ishte rikthyer në rigjykim nga ana e Gjykatës së Apelit. Thënë këtë, Gjykata vërejti se vendimi i fundit ishte ai i Gjykatës Themelore PKR 432/13 i 25 janarit 2016, përmes të cilit Gjykata Themelore kishte konstatuar që procedura penale pushohet për shkak të parashkrimit absolut të ndjekjes penale, por jo për shkak të lirimit nga akuza, gjë që ishte vërtetuar edhe përmes aktgjykimit të Gjykatës Supreme të cituar më lartë. Po ashtu procedura penale nuk e përjashton mundësin që ndaj parashtruesit të zhvillohet procedura disiplinore.

Prandaj, Gjykata konkludoi se pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkeljen e së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës dhe nenin 6 të KEDNJ-së janë (i) pretendime që bien në kategorinë e “shkallës së katërt” dhe si të tilla, këto pretendime të parashtruesit të kërkesës janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, siç përcaktohet në paragrafin (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës.

Po ashtu në rastin konkret, parashtruesi i kërkesës pretendoi që aktgjykimi i Gjykatës Supreme, ka shkelur të drejtat e tij individuale të garantuara me nenet 3, 22 dhe 24 të Kushtetutës, duke theksuar “nuk qëndrojnë konstatimet e Gjykatës Supreme se gjykatat e dy instancave më të ulëta se kinse veprimet e paditësit janë në kundërshtim me parimet e sjelljes së Policisë së Kosovës” si dhe duke iu referuar parimit In Dubio Pro Reo, por nuk shpjegoi specifikisht se si ka ardhur deri te shkelja e këtyre neneve të Kushtetutës dhe KEDNJ-së. Lidhur me këtë, Gjykata rikujtoi se ajo ka theksuar vazhdimisht se vetëm referimi dhe përmendja e neneve të Kushtetutës dhe të KEDNJ-së nuk është e mjaftueshme për të ndërtuar një pretendim të argumentuar për shkelje kushtetuese. Kur pretendohen shkelje të tilla të Kushtetutës, parashtruesit e kërkesës duhet të sigurojnë pretendime të arsyetuara dhe argumente bindëse.

Në fund, Gjykata konstatoi se kërkesa e parashtruesit të kërkesës është e papranueshme, sepse: (i) pretendimet për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, janë pretendime që kualifikohen si pretendime “të shkallës së katërt“ dhe si të tilla këto pretendime të parashtruesit të kërkesës janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese; dhe (ii) pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje të neneve 3, 22 dhe 24 të Kushtetutës, duhet të deklarohen si qartazi të pabazuara, sepse këto pretendime cilësohen si pretendime që i takojnë kategorisë së pretendimeve “të pambështetura ose të paarsyetuara”. Prandaj, kërkesa në tërësi duhet të deklarohet e papranueshme si qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, siç përcaktohet në paragrafin (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

Arbër Makolli

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Administrative