Aktvendim

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme, Pml. nr. 69/2021, të 18 marsit 2021

Nr. të lëndës KI 123/21

Shkarko:
Përmbledhje

KI123/21, Parashtrues: Luan Telaku, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme, Pml. nr. 69/2021, të 18 marsit 2021

KI123/21, Aktvendim i 10 nëntorit 2021, publikuar më 3 dhjetor 2021

Fjalët kyç: ndërprerja e shqyrtimit gjyqësor, shkeljet procedurale me ndikimin në aktgjykim, shpallje fajtor

Nga shkresat e lëndës rezulton që thelbi i rastit që ngërthen kjo kërkesë ndërlidhet me faktin që Gjykata Themelore në Prishtinë shpalli fajtor parashtruesin e kërkesës dhe personi F.K. për veprën penale “blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge nga neni 273, paragrafi 2 lidhur me nenin 31 të KPK-së” pasi gjatë kontrollit rutinor në vendkalimin kufitar në Merdar, gjetën një sasi të caktuar të substancave narkotike që i përkisnin parashtruesit të kërkesës dhe F. K., në automjetin me markë “Peugeot 308” të cilin e drejtonte parashtruesi i kërkesës. Gjykata e Apelit duke vendosur sipas ankesave, aprovoi ankesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, duke e ndryshuar dënimin me burgim të shqiptuar ndaj parashtruesit të kërkesës në dënimin me burgim në kohëzgjatje prej 3 (tre) vjet e 6 (gjashtë) muaj, ndërsa ankesën e parashtruesit të kërkesës dhe F. K. e refuzoi si të pabazuar. Lidhur me këtë të fundit, parashtruesi i kërkesës paraqiti kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë në Gjykatën Supreme, mes tjerash, për shkak të shkeljeve esenciale nga neni 311 [Ndryshimi i përbërjes së trupit gjykues gjatë shtyrjes], paragrafi 3 të KPPK-së, sepse nga seanca e 27 majit 2019 e deri në seancën e radhës të 24 tetorit 2019 nuk është mbajtur asnjë seancë, e që kanë kaluar më shumë se 3 (tre) muaj, ashtu që gjykata është dashur të ketë parasysh këtë vonesë dhe shqyrtimin gjyqësor ta filloj rishtas, për faktin se kanë kaluar më tepër se 3 (tre) muaj nga seanca e fundit, ashtu siç parashihet me nenin 311 të KPPK-së. Gjykata Supreme nxori Aktgjykimin Pml. nr. 69/2021, me të cilin e refuzoi si të pabazuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë së parashtruesit të kërkesës, duke i mbështetur në tërësi aktgjykimet e Gjykatës së Apelit dhe asaj Themelore, duke arsyetuar se lëshimi procedural nuk përbënte shkelje esenciale të procedurës penale pasi nuk kishte ndikim në ligjshmërinë e  Aktgjykimit të Gjykatës Themelore.

Parashtruesit të kërkesës pretendonte para Gjykatës Kushtetuese se atij i janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të tij të garantuara me nenin 3 [Barazia para Ligjit], nenin 7 [Vlerat], nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], nenin 46 [Mbrojtja e Pronës], dhe nenin 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta). Ai pretendoi se Gjykata Themelore ka ndërprerë shqyrtimin gjyqësor për më tepër se 3 (tre) muaj dhe përkundër dispozitës së KPPK-së, konkretisht nenit 311, paragrafi 3 që përcakton se nëse shqyrtimi gjyqësor ndërpritet për më tepër se 3 (tre) muaj, duhet të filloj shqyrtimi i ri ku do të vlerësohen këto prova, Gjykata Themelore ka vazhduar me shqyrtimin gjyqësor dhe ka nxjerr Aktgjykim pa përfillur shqyrtimin gjyqësor.

Në trajtimin e pretendimit për shkelje procedurale të cilin pretendim ai e ndërlidh me të drejtën për një gjykim të drejtë, Gjykata fillimisht vuri thekson, mes tjerash, në qëndrimin e saj parimor se nuk është detyrë e Gjykatës Kushtetuese të merret me gabimet e fakteve apo të ligjit (ligjshmëria), që pretendohet të jenë kryer nga Gjykata Supreme apo ndonjë gjykatë tjetër e instancës më të ulët, përveç; nëse dhe për aq sa ajo mund të ketë shkelur të drejtat dhe liritë e mbrojtura me Kushtetutë (kushtetutshmëria). Gjykata ritheksoj më tej se nuk është detyrë e saj, sipas Kushtetutës, të veprojë si gjykatë e “shkallës së katërt” në lidhje me vendimet e marra nga gjykatat e rregullta. Në të vërtetë është roli i gjykatave të rregullta të interpretojnë dhe të zbatojnë rregullat përkatëse të së drejtës procedurale dhe materiale. Në trajtimin e pretendimeve të parashtruesit, Gjykata rikujtoi konstatimin e Gjykatës Supreme se këto pretendime binin në kategorinë e shkeljeve procedurale relative sipas paragrafit 2 të nenit 384 të KPPK-së. Andaj, në raste të tilla, shkelja procedurale do të ndikonte në ligjshmërinë e një vendimi të tillë, vetëm nëse do të kishte ndikim në vendimin të ligjshëm. Ndërsa sipas Gjykatës Supreme, ky lëshim procedural nuk kishte ndikim në ligjshmërinë e Aktgjykimit të Gjykatës Themelore. Në këtë konstatim, Gjykata Supreme erdhi duke vlerësuar edhe çështjen e keqinterpretimit të deklaratave dhe dëshmive që ishin shqyrtuar nga Gjykata Themelore, duke iu referuar edhe dëshmive që parashtruesi kishte dhënë para policisë në prani të mbrojtësit të tij dhe fakteve tjera. Andaj, Gjykata gjeti se lidhur me të drejtën për  një gjykim të drejtë të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës, parashtruesi i kërkesës para gjykatave të rregullta i ka pasur përfitimet e procedurës kontradiktore; ai ka pasur mundësi që në fazat e ndryshme të procedurës t’i paraqesë pretendimet dhe provat të cilat i ka konsideruar si të rëndësishme për rastin e tij, e ka pasur mundësinë për t’i kundërshtuar në mënyrë efektive pretendimet dhe provat e paraqitura nga pala kundërshtare, gjykatat e rregullta i kanë dëgjuar dhe shqyrtuar të gjitha pretendimet e tij, të cilat, shikuar objektivisht, kanë qenë të rëndësishme për zgjidhjen e lëndës, arsyet faktike dhe juridike për vendimin e kundërshtuar janë paraqitur në detaje dhe se procedurat marrë në tërësinë e tyre ishin të drejta. Sa i përket shkeljeve të të drejtave të garantuara me nenet 3, 7, 46 dhe 54 të Kushtetutës, Gjykata gjeti se këto pretendime nuk janë qartësuar saktësisht dhe nuk janë paraqitur në mënyrë adekuate faktet dhe pretendimet për shkelje të të drejtave apo dispozitave kushtetuese

Rrjedhimisht, kërkesa në tërësi duhet të shpallet e papranueshme si qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, siç është përcaktuar në paragrafin (1) (d) dhe (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

Luan Telaku

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim

Neni 3 - Barazia para Ligjit, Neni 7 – Vlerat, Neni 31 - E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm , Neni 46 - Mbrojtja e Pronës , Neni 54 - Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Penale