Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme PML.nr.378/2021 i 4 nëntorit 2021  

Nr. të lëndës KI226/21

Shkarko:
Përmbledhje

KI226/21, Parashtrues: Bajram Gegaj, vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme PML.nr.378/2021 i 4 nëntorit 2021   

KI226/21, Aktvendim për papranueshmëri i 11 majit 2022, publikuar më 13 qershor 2022

Fjalët kyç: kërkesë individuale, procedurë penale, e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, kërkesë e papranueshme  

Nga shkresat e lëndës rezulton se parashtruesi i kërkesës kishte pasur mosmarrëveshje pronësore me vëllain e tij I.G., të cilin më vonë e kishte vrarë dhe po ashtu kishte plagosur të dëmtuarën N.G. Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti për Krime të Rënda, kishte parashtruar aktakuzë kundër parashtruesit të kërkesës për shkak të veprës penale të vrasjes së rëndë, veprës penale të vrasjes në tentativë dhe veprës penale mbajtja në pronësi, kontroll, posedim të paautorizuar të armëve nga neni 374 paragrafi 1 i KPK-së. Gjykata Themelore në Prizren  vendosi që parashtruesi i kërkesës është fajtor për shkak të kryerjes së veprave penale vrasje e rëndë dhe mbajtja në pronësi, kontroll, posedim të paautorizuar të armëve; ndërsa e liroi parashtruesin e kërkesës nga akuza përkitazi me veprën penale të vrasjes në tentativë. Gjykata e Apelit vendosi që ta ndryshojë Aktgjykimin e Gjykatës Themelore vetëm përkitazi me cilësim të veprës penale, ashtu që, veprën penale vrasje e rëndë cilëson si vepër penale vrasje e rëndë nga neni 179 paragrafi 1 nën-paragrafi 3 të KPK-së. Mbrojtësi i parashtruesit të kërkesës paraqiti kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë në Gjykatën Supreme duke pretenduar shkelje të ligjit penal, shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe shkelje të dispozitave tjera të procedurës penale që kanë ndikuar në ligjshmërinë e vendimit gjyqësor dhe ka propozuar që aktgjykimet të anulohen dhe çështja të kthehet në rigjykim në gjykatën e shkallës së parë. Gjykata Supreme refuzoi të pabazuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të mbrojtësit të parashtruesit të kërkesës të ushtruar kundër aktgjykimeve të Gjykatës Themelore dhe të Gjykatës së Apelit.

Në procedurë para Gjykatës Kushtetuese, parashtruesi i kërkesës pretendoi se me Aktgjykimin e Gjykatës Supreme atij i janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të tij të garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës. Parashtruesi i kërkesës në thelb pretendoi se vendimet e gjykatave të rregullta janë kontradiktore, të paqarta dhe nuk kanë sqaruar provat që i kanë përdorë për nxjerrje të konstatimit se ai është fajtor për veprat penale të vrasjes së rëndë dhe mbajtjes në pronësi dhe kontroll të paautorizuar të armëve dhe sidomos që nuk kanë marrë parasysh faktin se veprën penale të vrasjes e ka kryer në gjendje të tronditjes së fortë mendore. 

Në vlerësimin e pretendimeve të parashtruesit  të kërkesës, Gjykata vlerësoi se gjykatat e rregullta nga provat e mbledhura dhe dëshmitë e dëshmitarëve okularë kanë vërtetuar përtej dyshimit të arsyeshëm se parashtruesi i kërkesës është fajtor për vrasjen e viktimës I.G., dhe se po ashtu tek parashtruesi i kërkesës janë gjetur armë të paautorizuara të prodhimit turk dhe kroat. Gjykata po ashtu vlerësoi se gjykatat e rregullta kanë konstatuar se parashtruesi i kërkesës nuk e ka kryer veprën penale të vrasjes së rëndë në gjendje të tronditjes së fortë mendore sepse nga ekzaminimet psikiatrike është vërtetuar e kundërta.

Gjykata konstatoi se kërkesa e parashtruesit të kërkesës është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, dhe duhet të shpallet e papranueshme bazuar në nenet 113.7 të Kushtetutës, nenin 47 të Ligjit dhe me rregullin 39 (2) të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

Bajram Gegaj

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Neni 31 - E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Penale