Aktgjykim

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme, Pml. nr. 36/2019, të 5 qershorit 2019

Nr. të lëndës KI 193/19

Shkarko:
Përmbledhje

KI193/19, Parashtrues: Salih Mekaj, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme, Pml. nr. 36/2019, të 5 qershorit 2019
KI193/18, Aktgjykim i 17 dhjetorit 2020 dhe i publikuar më 31 dhjetor 2020

Fjalët kyç: kërkesë individuale, procedurë penale, e drejta për gjykim të drejtë, kërkesë e pranueshme, shkelje e nenit 31 të Kushtetutës
Parashtruesi i kërkesës në Gjykatën Kushtetuese kontestoi kushtetutshmërinë e Aktgjykimit të Gjykatës Supreme, Pml. nr. 36/2019, të 5 qershorit 2019, duke pretenduar shkeljen e të drejtave të tij të garantuara me nenet 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, dhe nenin 6 [E Drejta për një proces të rregullt] të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Parashtruesi i kërkesës në Gjykatë pretendoi se Gjykata Supreme shkeli të drejtat e tij të garantuara me nenin 31 [E drejta për Gjykim te Drejtë] të Kushtetutës, nenin 6.1 të Konventës, sepse: “[…] më rastin e vendosjes lidhur me Kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë, të ushtruar nga Prokurori i Shtetit, Gjykata Supreme ka qenë e detyruara që […] krahas Kërkesës së Prokurorit të Shtetit ta shqyrtoj edhe Përgjigjen time si palë kundërshtare në procedurë, pasi edhe unë si i pandehur kam pas të drejtë t’i paraqes argumentet e mija kundër Kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë dhe gjykata ka qenë e detyruar që t’i shqyrtoj me të njëjtën vëmendje, sikurse argumentet e palës tjetër e që në këtë rast është Prokuroria e Shtetit, mirëpo Përgjigjja ime jo vetëm që nuk është shqyrtuar fare por në gjithë Aktgjykimin e kontestuar as që përmendet se unë kam paraqitur përgjigje në Kërkesën e Prokurorisë së Shtetit dhe kjo jo vetëm që paraqet shkelje të parimit të barazisë së palëve në procedurë, por paraqet edhe një sjellje arbitrare nga ana e Gjykatës”.
Gjykata fillimisht vlerësoi se kërkesa i plotëson kushtet e pranueshmërisë për shqyrtim meritor të kërkesës, siç janë të përcaktuara me Kushtetutë dhe të saktësuara më tej në Ligjin për Gjykatën Kushtetuese dhe në Rregulloren e punës të Gjykatës. Gjykata, pas vlerësimit të meritave të kërkesës erdhi në përfundim se detyrimi i njoftimit të palës kundërshtare, nga gjykatat, për ushtrimin e mjeteve juridike kundër tyre, nuk është qëllim në vetvete. Ky detyrim është hap i domosdoshëm procedural për t’ua mundësuar palëve që të trajtohen në mënyrë të barabartë, të kenë mundësi të kundërshtojnë pretendimet dhe argumentet e palës kundërshtare dhe të paraqesin rastin e tyre në mënyrë efektive. Tutje, Gjykata shtoi se gjykatat e rregullta nuk duhet të mjaftohen vetëm me faktin se palët kanë pranuar njoftimin për ushtrimin e mjetit juridik kundër tyre, por që ato (gjykatat e rregullta) duhet t’i sigurojnë palët që pikëpamjet dhe argumentet e tyre janë shqyrtuar dhe vlerësuar në mënyrë të rregullt, ashtu që t’iu garantohet një mbrojtje sa më efektive ndaj pretendimeve të ngritura kundër tyre. Në të kundërtën, mosmarrja në shqyrtim e kundërshtimeve dhe argumenteve të tyre, me automatizëm i vendos ato në një disavantazh të konsiderueshëm kundruall palës kundërshtare (shih, GJEDNj, në rastet Ofrer dhe Hopfinger, nr 524/59 dhe 617/59, 19.12.60, Vjetari 6, f. 680, ku theksohet që secilës palë duhet t’i jepet një mundësi e arsyeshme për të paraqitur rastin e saj, në kushte që nuk e vendosin atë në një disavantazh të konsiderueshëm vis à vis palës kundërshtare).
Në këtë kuptim, Gjykata konsideroi se Gjykata Supreme ka dështuar të garantojë zbatimin e parimit të barazisë se armëve dhe parimin e kontradiktoritetit procedural, sepse parashtruesi i kërkesës është vënë në një disavantazh të konsiderueshëm vis-à-vis Prokurorit të Shtetit, duke u privuar nga mundësia për të pasur një ballafaqim real dhe përmbajtjesor me argumentet dhe pretendimet e paraqitura nga Prokurori i Shtetit, si palë kundërshtare në procedurë. Rrjedhimisht, Gjykata konstaton se Aktgjykimi i kontestuar i Gjykatës Supreme është marrë në kundërshtim me parimin e barazisë së armëve dhe parimin e kontradiktoritetit procedural, si rrjedhojë e kësaj Gjykata gjeti se është shkelur dhe parimi i palës së dëgjuar dhe i së drejtës së një vendimi të arsyetuar dhe të arsyeshëm gjyqësor.

Parashtruesit:

Salih Mekaj

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktgjykim

Shkelje e të drejtave kushtetuese

Neni 31 - E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Penale