KI77/21, Parashtrues: Halit Korenica, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme PML. nr. 30/2021 të 25 shkurtit 2021
KI77/21, aktvendim për papranueshmëri i 30 qershorit 2021, publikuar më 21 korrik 2021
Fjalët kyç: kërkesë individuale, e drejta për gjykim të drejtë, aktvendim për papranueshmëri
Bazuar në shkresat e lëndës në kërkesë, rrjedh që parashtruesi i kërkesës dhe një person tjetër E.L., më 5 qershor 2018, rreth orës 23:30 në Rahovec, sulmuan një person të tretë D.K., duke i marrë në mënyrë të paligjshme telefonin dhe një shumë të caktuar të hollash.
Prokuroria Themelore ngriti aktakuzë kundër parashtruesit të kërkesës dhe personit E.L., për të cilën ata u dënuan me aktgjykimin e formës së prerë të Gjykatës Supreme.
Parashtruesi parashtroi kërkesën në Gjykatë duke konsideruar që me Aktgjykimin e Gjykatës Supreme janë shkelur të drejtat e tij të garantuara me nenet 24 [Barazia para Ligjit] dhe 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të KEDNJ-së, duke vënë në plan të parë faktin se ai ishte dënuar, ndërsa nuk kishte ekzistuar prova kryesore e kryerjes së veprës penale.
Lidhur me shkeljet e pretenduara të nenit 31 të Kushtetutës dhe nenit 6 të KEDNJ-së, Gjykata konkludoi se gjykatat e rregullta gjatë gjithë procedurës kishin respektuar parimet e së drejtës për një gjykim të drejtë dhe të paanshëm, siç parashikohet në nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, dhe se ato vepruan ekskluzivisht në frymën e dispozitave përkatëse të KPK-së gjatë përcaktimit dhe kualifikimit të veprës, nga e cila gjithashtu mund të konkludohet se nuk ka pasur shkelje të nenit 2 të KPK-së ose nenit 385 paragrafi 1 pika 1 e KPPRK, siç thuhet në kërkesë.
Sa i përket pretendimeve për shkelje të nenit 24 të Kushtetutës, Gjykata arriti në përfundim se kërkesa duhet të deklarohet e papranueshme si qartazi e pabazuar, sepse këto pretendime kualifikohen si pretendime që bien në kategorinë e (iii) pretendimeve “të pambështetura apo të paarsyetuara”, sepse parashtruesi i kërkesës thjesht citoi një ose më shumë dispozita të Konventës ose Kushtetutës, pa shpjeguar se si ato janë shkelur. Prandaj, këto të fundit janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, siç përcaktohet në paragrafin (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës.
Halit Korenica
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Penale