Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme, Pml. nr. 275/20, të 9 nëntorit 2020

Nr. të lëndës KI 56/21

Shkarko:
Përmbledhje

KI56/21, Parashtrues: Emrush Berisha, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme, Pml. nr. 275/20, të 9 nëntorit 2020

KI56/21, Aktvendim për Papranueshmëri, i 7 tetorit 2021, publikuar më 29 tetor 2021

Fjalët kyç: kërkesë individuale, e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, procedurë penale

Nga shkresat e lëndës rezulton që parashtruesi i kërkesës kishte shkaktuar aksident trafiku, ku për pasojë aksidenti kishte qenë me fatalitet për personat tjerë. Si rezultat i kësaj, më 20 qershor 2019, Prokuroria Themelore në Prishtinë – Departamenti i Përgjithshëm, kishte ngritur aktakuzë [PP. II. nr. 4232/19] kundër parashtruesit të kërkesës për shkak të veprës penale rrezikim i trafikut publik nga neni 370, par. 9 dhe 8 lidhur me paragrafin 6 dhe paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Gjykata Themelore në Prishtinë e kishte shpallur fajtor parashtruesin e kërkesës për shkak të kryerjes së veprës penale rrezikim i trafikut publik nga neni 370, par. 9 dhe 8 lidhur me nenin 6 dhe 1 të KPRK-së dhe ishte dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 3 (tre) vjet e 6 (gjashtë) muaj, si dhe i ishte shqiptuar një dënim plotësues, marrja e lejes së vozitjes. Parashtruesi i kërkesës kishte ushtruar ankesë kundër vendimit të Gjykatës Themelore, e cila ankesë ishte aprovuar dhe Aktgjykimi i Gjykatës Themelore ishte ndryshuar, ku dënimi me burgim ishte zvogëluar në kohëzgjatje prej 2 (dy) vjet e 6 (gjashtë) muaj, si dhe marrja e lejes së vozitjes në afat prej 1 (një) viti. Tutje, parashtruesi i kërkesës kishte bërë kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë pranë Gjykatës Supreme, të cilën kjo e fundit e refuzoi si të pabazuar.

Parashtruesi i kërkesës para Gjykatës pretendoi shkelje të së drejtës në gjykim të drejtë dhe të paanshëm të garantuar përmes Kushtetutës dhe Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, sepse sipas pretendimit, Gjykata Supreme në rastin e vendosjes fare nuk kishte analizuar kërkesën e tij që të vërtetojë drejtë dhe saktë të gjitha provat që gjinden në dosje të lëndës. Po ashtu sipas parashtruesit, gjykatat e rregullta është dashur të evidentojnë shkeljet e ligjit penal lidhur me ekspertizat e ekspertëve të komunikacionit dhe të vijnë në një konkludim të drejtë dhe të saktë, duke pasur parasysh faktin se pas pranimit të fajësisë nuk janë vlerësuar drejtë provat që gjinden në dosje të lëndës.

Në vlerësimin e pretendimeve të parashtruesit të kërkesës, Gjykata, ndër të tjera, ritheksoi se Gjykata Kushtetuese nuk ka juridiksion për të vendosur nëse një parashtrues ka qenë fajtor për kryerjen e veprës penale apo jo. Ajo nuk ka as juridiksion për të vlerësuar, nëse gjendja faktike është vërtetuar në mënyrë të drejtë apo për të vlerësuar nëse gjyqtarët e gjykatave të rregullta kanë pasur dëshmi të mjaftueshme për të përcaktuar fajësinë e një parashtruesi të kërkesës. Në këtë kuptim, Gjykata ritheksoi më tej se nuk është detyrë e saj, sipas Kushtetutës, të veprojë si gjykatë e “shkallës së katërt” në lidhje me vendimet e marra nga gjykatat e rregullta. Në të vërtetë, është roli i gjykatave të rregullta të interpretojnë dhe të zbatojnë rregullat përkatëse të së drejtës procedurale dhe materiale. Gjykata gjeti se vendimi i kontestuar i Gjykatës Supreme, në ndërlidhje me vendimet e gjykatave të instancës më të ulët ishte mjaftueshëm i arsyetuar dhe rrjedhimisht, plotëson kriteret e vendimit të arsyetuar gjyqësor, të përcaktuara me nenin 31 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6.1. të KEDNj-së. Për më tepër, Gjykata vërejti se gjykatat e rregullta i kanë trajtuar me kujdes pretendimet e parashtruesit të kërkesës, sa i përket pranimit të fajësisë dhe marrjes parasysh të ekspertizës, duke arsyetuar tutje se parashtruesi i kërkesës e kishte pranuar fajësinë në prani të mbrojtësit të tij, pasi paraprakisht e ka kuptuar dhe është njoftuar nga gjykata, lidhur me natyrën dhe pasojat e pranimit të kryerjes së veprës penale. Kurse sa i përket marrjes parasysh të ekspertizës së dytë, Gjykata vërejti se kjo ekspertizë është marrë parasysh dhe vlerësuar nga ana e Gjykatës së Apelit, ku dhe në bazë të saj parashtruesit të kërkesës i ishte ndryshuar vendimi për dënim duke ia ulur dënimin e shqiptuar nga ana e Gjykatës Themelore.

Për pasojë, dhe bazuar edhe në sqarimet e dhëna në aktvendimin e publikuar, Gjykata konstatoi se pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, të garantuara me nenin 31 të Kushtetutës dhe nenin 6 të KEDNJ-së për shkak të vërtetimit të gabuar të gjendjes faktike dhe interpretimit dhe zbatimit të gabuar të ligjit të aplikueshëm janë pretendime që kualifikohen si pretendime të “shkallës së katërt”; dhe si të tilla, këto pretendime të parashtruesit të kërkesës janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, siç përcaktohet me paragrafin (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

Emrush Berisha

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Neni 31 - E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Penale