Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme [Pml. nr. 181/2020], i 13 korrikut 2020

Nr. të lëndës KI 153/20

Parashtruesit: Abaz Zeqiri

Shkarko:

KI153/20, Parashtrues Abaz Zeqiri; Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme [Pml. nr. 181/2020], i 13 korrikut 2020 

KI153/20, Aktvendim i 3 nëntorit 2021, publikuar më 26 nëntor 2021

Fjalët kyç: Kërkesë individuale, procedure penale, përsëritje e procedurës, ratione materiae, kërkesë e papranueshme

Parashtruesi i kërkesës konteston Aktgjykimin  e Gjykatës Supreme të Kosovës, Pml. nr. 181/2020, i 13 korrikut 2020

Gjykata rikujton se parashtruesi i kërkesës përmes Aktgjykimit [P. nr. 1627/17] të 16 majit 2018, ishte shpallur fajtor për kryerjen e veprës penale mashtrim të parashikuar me nenin 335 të Kodit Penal nr. 04/L-082 i Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kodi Penal) dhe i shqiptoi dënimin me burgim në kohëzgjatje për 3 (tre) vjet dhe dënim me gjobë  në lartësi prej tetëqind (800) euro. Pas ankimimit nga ana e parashtruesit të kërkesës, Gjykata Themelore dhe ajo e Apelit konfirmuan vendimin e Gjykatës Themelore. Parashtruesi i kërkesës parashtroi kërkesë për rishikimin e procedurës penale në Gjykatën Themelore në Ferizaj kundër Aktgjykimit [P. nr. 1627/17] të Gjykatës Themelore duke pretenduar se në rastin e tij ka fakte dhe prova të reja të cilat vet ose së bashku me provat e mëparshme, e arsyetojnë pafajësinë e tij duke pohuar se gjykatat e rregullta vendimin e tyre për dënimin e tij e kanë bazuar në dëshmi të rreme të marra gjatë procedurës penale nga dëshmitari F. E., dhe i dëmtuari S. P. Gjithashtu, në kërkesën për rishikimin e procedurës penale, parashtruesi i kërkesës kishte paraqitur edhe provat të cilat nuk janë administruar më herët nga Gjykata. Gjykata Themelore përmes Aktvendimit [KP. nr. 372/2019] e hodhi poshtë si të pabazuar kërkesën e parashtruesit për rishikimin e procedurës penale me arsyetimin se kërkesa e parashtruesit nuk kishte baze ligjore për lejimin e rishikimit të procedurës penale. Pas ankimimit, Gjykata e Apelit dhe Gjykata Supreme vërtetuan vendimin e Gjykatës Themelore me arsyetimin se pretendimet e parashtruesit të kërkesë nuk paraqesin bazë për lejimin e rishikimit të procedurës penale. Si rezultat i kësaj, parashtruesi i kërkesës para Gjykatës  konteston vendimet e gjykatave te rregullta duke pretenduar shkelje të ligjit penal dhe shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale si rezultat i  (i) refuzimit të kërkesës për rishikim të procedurës penale si të palejueshme nga gjykata themelore; dhe (ii) mos administrim i provave të paraqitura nga parashtruesi në mbështetje të kërkesës për rishikimin e procedurës penale.

Në ketë kontekst, Gjykata vërejti se vendimi i fundit lidhur me rishikimin e procedurës është Aktgjykimi i Gjykatës Supreme, [PML. nr. 181/2020], i 13 korrikut 2020, me të cilin ishte refuzuar kërkesa e parashtruesit për mbrojtje të ligjshmërisë kundër Aktvendimit [PN. Nr. 1031/2019] të Gjykatës së Apelit, të 18 dhjetorit 2019 dhe Aktvendimit [PK.NR.372/19] Gjykatës Themelore, të  2 shtatorit 2019.

Gjykata duke u bazuar edhe në praktiken gjyqësore të GJEDNJ-së vlerësoi se ankesat e parashtruesit lidhur me refuzimin nga gjykatat e rregullta për të rishikuar procedurën penale nuk janë ratione materiae në pajtim me nenin 31 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së. Ndërsa, saj përket pretendimit të parashtruesve të kërkesës për shkelje të nenit 30, 32 dhe 54 të Kushtetutës, Gjykata vlerësoi se këto pretendime nuk ngrehin çështje të reja që nuk janë trajtuar në kuadër të nenit 31 të Kushtetutës.

Në përfundim, Gjykata, në pajtim me nenin 47 të Ligjit dhe me rregullin 39 (3) (b) të Rregullores së punës konstatoj se kërkesa e parashtruesit të kërkesës lidhur me rishikimin e procedurës penale duhet të deklarohet e papranueshme, sepse nuk është ratione materiae në pajtim me nenin 31 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së.

Parashtruesit:

Abaz Zeqiri

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri