Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme [Pml.nr.16/2023] të 23 janarit 2023

Nr. të lëndës KI52/23

Parashtruesit: Nehat Bublica

Shkarko:

KI52/23, Parashtrues: Nehat Bublica, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme [Pml.nr.16/2023] të 23 janarit 2023

KI52/23, Aktgjykim i 29 gushtit 2023

Fjalët kyçe: kërkesë individuale; ngacmimi; mesazhet elektronike; kërkesa e papranueshme

Parashtruesi i kërkesës u denoncua në Policinë Rajonale të Mitrovicës nga ish-bashkëshortja e tij, për shkak se e kishte kanosur atë nëpërmjet mesazheve elektronike. Prokuroria Themelore ngriti aktakuzë kundër parashtruesit për shkak të dyshimit të bazuar se kishte kryer veprën penale “Ngacmimi” sipas nenit 182 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Gjykata Themelore e shpalli fajtor atë dhe i shqiptoi dënimin me kusht me 6 (gjashtë) muaj burgim, për shkak të kryerjes së veprës penale për të cilën u akuzua. Gjykata Themelore arsyetoi se parashtruesi i kërkesës me dashje ka vepruar për ta frikësuar dhe ngacmuar viktimën. Gjykata e Apelit, më pas Gjykata Supreme, refuzuan ankesën respektivisht kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të parashtruesit, dhe vërtetuan vendimin e Gjykatës Themelore.

Parashtruesi i kërkesës pretendonte në Gjykatë se ishte ndaluar në mënyrë arbitrare nga policia dhe i ishte nënshtruar torturës dhe dhunës psiqike nga zyrtarët policor gjatë kohës kur u morë në pyetje. Ai pretendonte që nuk ishin respektuar të drejtat e tij në lidhje me caktimin e avokatit mbrojtës, dhe mesazhet telefonike ndërmjet tij dhe ish-bashkëshortes ishin printuar në mënyrë të jashtëligjshme dhe ishin përdorur nga prokuroria si prova kundër tij, duke cenuar të drejtën e tij të privatësisë.

Gjykata theksoi se parashtruesi i kërkesës ishte ndaluar për 48 orë me kërkesë të Prokurorisë, ndërkaq me vendim të Gjykatës Themelore ishte liruar dhe nuk i ishte caktuar paraburgimi. Ndalimi i tij u bë për shkak të një dyshimi të bazuar nga autoritetet se mund të kishte kryer vepër penale. Gjykata vlerësoi se nuk kishte shkelje të të drejtës së tij për liri dhe siguri, siç pretendonte parashtruesi i kërkesës. Në lidhje me pretendimet për dhunën e ushtruar nga zyrtarët policor, Gjykata vlerësoi se parashtruesi i kërkesës nuk kishte paraqitur prova që dëshmonin pretendimet e tij. Ndërkaq, sa i përket të drejtave të të akuzuarit, Gjykata vlerësoi se autoritetet kompetente njoftuan parashtruesin e kërkesës për të drejtat që i takonin, iu caktua avokati mbrojtës dhe u intervistua në prani të tij, dhe krejt në fund kishte nënshkruar procesverbalin e deklaratës. Gjykata vlerësoi se është detyrë e gjykatave të rregullta të merren me vlerësimin dhe administrimin e provave, si dhe t’i peshojnë ato. Gjykata mund të ndërhyjë vetëm nëse kemi të bëjmë me administrim arbitrar të provave dhe kur parashtruesi nuk do të mund të kishte mundësi për t’i kundërshtuar ato, gjë që nuk ishte rasti. Gjykata në fund konstatoi se pretendimet e parashtruesit të kërkesës ishin të pambështetura dhe të paarsyetuara në baza kushtetuese dhe i shpalli ato të papranueshme.

Parashtruesit:

Nehat Bublica

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Penale