Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme, PML.nr.107/19 të 14 majit 2019

Nr. të lëndës KI 176/19

Parashtruesit: Liri Bibaj

Shkarko:

KI176/19, Parashtruese: Liri Bibaj, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme, PML.nr.107/19 të 14 majit 2019

KI176/19 Aktvendim për papranueshmëri, i 10 qershor 2020, publikuar më 24 korrik 2020

Fjalët kyçe: kërkesë individuale, procedurë penale, e drejta për gjykim të drejtë, barazia para ligjit, mbrojtja e pronës, kërkesë qartazi e pabazuar, kërkesë e papranueshme

Parashtruesi i kërkesës, në Gjykatën Kushtetuese kontestoi kushtetutshmërinë e Aktgjykimit të Gjykatës Supreme PML.nr. 107/19, të 14 majit 2019, duke pretenduar shkeljen e të drejtave të tij të garantuara me nenet: 3 dhe 24 [Barazia para Ligjit], 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], dhe 46 [Mbrojtja e Pronës], të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta) dhe me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNj), si dhe nenin 10 të Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: DUDNj).

Gjykata, në lidhje me pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë, se gjykatat e rregullta nuk administruan në mënyrën e duhur faktet dhe provat, bazuar në praktiken e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, konstatoi se është përtej juridiksionit të saj që të vlerësojë cilësinë e konkluzioneve të gjykatave lidhur me vlerësimin e provave, përveç nëse ato janë haptazi arbitrare. Gjykata shtoi se ajo “nuk ndërhyn as në mënyrën se si gjykatat kanë pranuar provat si material dëshmues dhe nuk ndërhyn në diskrecionin e gjykatës në vlerësimin e vlerës dëshmuese. Ky është rol ekskluziv i gjykatave të rregullta, madje edhe kur deklaratat e dëshmitarëve në shqyrtimin publik dhe nën betim janë në kundërshtim”. Sa i përket pretendimit se procesin në tërësinë e tij nuk ishte i drejtë, Gjykata nuk e pa të nevojshme ta trajtonte këtë pretendim pasi që veçse ishte trajtuar gjatë shqyrtimit të pretendimit të parë kur vlerësoi administrimin e provave. Parashtruesi i kërkesës gjithashtu pretendonte dhe në shkelje të neneve 25 dhe 46 të Kushtetutës, megjithatë Gjykata gjeti se i njëjti vetëm iu kishte referuara këtyre neneve respektive te Kushtetutës dhe nuk kishte elaboruar tutje si erdhi deri te shkelja e tyre. Në këtë aspekt, Gjykata rikujtoi se ajo ka theksuar vazhdimisht se vetëm përmendja e neneve të Kushtetutës dhe të KEDNj-së nuk është e mjaftueshme për të ndërtuar një pretendim të argumentuar për shkelje kushtetuese. Kur pretendohen shkelje të tilla të Kushtetutës, parashtruesit e kërkesës duhet të sigurojnë pretendime të arsyetuara dhe argumente bindëse (shih, në këtë kontekst, rastet e Gjykatës, KI187/18 dhe KI11/19, parashtrues: Muhamet Idrizi, Aktvendimi për papranueshmëri, i 29 korrikut 2019, paragrafi 73, dhe së fundmi rastin KI125/19, parashtrues: Ismajl Bajgora, Aktvendimi për papranueshmëri i 11 marsit 2020, paragrafi 63).

Si përmbledhje, Gjykata konsideroi se parashtruesi i kërkesës nuk ka arritur të tregojë dhe të provojë se procedurat në gjykatat e rregullta, përkatësisht në Gjykatën Supreme kanë qenë të padrejta apo arbitrare, apo që të drejtat dhe liritë e tij të mbrojtura me Kushtetutë, përkatësisht me nenet 3, 24, 31 dhe 46, të Kushtetues, nenin 6 të KEDNj dhe nenin 10 të DUDNj-së, i janë shkelur. Rrjedhimisht, Gjykata konkludoi se kërkesa e parashtruesit të kërkesës është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese dhe në pajtim me rregullin 39 (2) të Rregullores së punës, ajo duhet të deklarohet e papranueshme.

Parashtruesit:

Liri Bibaj

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Penale