Aktvendim

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme  Plm. nr. 76/2020, të 8 prillit 2020

Nr. të lëndës KI 110/20

Shkarko:
Përmbledhje

KI110/20, Parashtrues i kërkesës: Et-hem Bokshi, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme  Plm. nr. 76/2020, të 8 prillit 2020

KI110/20, aktvendim i 3 nëntorit 2021, publikuar më 26 nëntor 2021

Fjalët kyç: kërkesë individuale, parimi Ne bis in idem, E drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, mbrojtja e pronës

Rrethanat e rastit konkret kanë të bëjnë me procedurën penale të zhvilluar kundër parashtruesit të kërkesës në lidhje me shmangien e tatimit, përkatësisht mosparaqitje e qarkullimit faktik të realizuar në kuadër të aktiviteteve të subjektit afarist PKP “Marigona” i cili është në bashkëpronësi të parashtruesit të kërkesës. Në lidhje me këtë rast, fillimisht është iniciuar një procedurë administrative pranë ATK-së, e cila për shkak të mos paraqitjes së qarkullimit faktik të realizuar në kuadër të kryerjes së veprimtarive, e ka detyruar ta paguajë atë pjesë të tatimit mbi të ardhurat dhe ka gjobitur subjektin PKP “Marigona” në bashkëpronësi të parashtruesit të kërkesës, Pas kësaj, në lidhje me të  njëjtën vepër, Prokuroria Themelore në Gjakovë ka ngritur aktakuzë kundër parashtruesit të kërkesës dhe partnerit të tij afarist, për veprën penale shmangie tatimore në bashkëkryerje. Kjo procedurë penale, e cila ishte objekt i kontrollit gjyqësor, ku së pari, Gjykata Themelore e shpalli fajtor parashtruesin e kërkesës dhe partnerin e tij afarist për kryerjen e veprës penale, për çka i shqiptoi gjobë dhe dënim me burg me kusht. Në procedurën e apelit, Gjykata e Apelit e refuzoi si të pabazuar ankesën e parashtruesit të kërkesës dhe e vërtetoi në tërësi aktgjykimin e Gjykatës Themelore. Gjykata Supreme gjithashtu hodhi poshtë kërkesën e parashtruesit lidhur me kërkesën për mbrojtjen e ligjshmërisë, duke konstatuar se aktgjykimet e gjykatave më të ulëta ishin të drejta dhe të ligjshme.

Parashtruesi i kërkesës e konteston aktgjykimin e Gjykatës Supreme në Gjykatën Kushtetuese duke pretenduar i. shkeljen e të drejtës së garantuar me nenin 31 të Kushtetutës dhe nenin 6 të KEDNJ-së në lidhje me parimin ne bis idem; ii. shkeljen e të drejtës nga neni 31 i Kushtetutës dhe neni 6 i KEDNJ-së në lidhje me parimin e barazisë së armëve; iii. shkeljen e të drejtave të garantuara me nenin 31 të Kushtetutës dhe nenin 6 të KEDNJ-së në lidhje me mënyrën e gabuar apo arbitrare të zbatimit të dispozitave ligjore dhe iv. shkeljen e të drejtave të garantuara nga neni 1 i Protokollit nr. 1 të KEDNJ-së.

Sa i përket shkeljes së pretenduar të të drejtave të garantuara me nenin 31 të Kushtetutës dhe nenin 6 të KEDNJ-së në lidhje me parimin ne bis in idem, Gjykata konstatoi se këto pretendime  kualifikohen si pretendime me “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes; dhe si të tilla, i deklaroi këto pretendime të parashtruesit të kërkesës si qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, siç përcaktohet në paragrafin (2) të rregullit 39.

Sa i përket shkeljes së pretenduar të të drejtave të garantuara me nenin 31 të Kushtetutës dhe nenin 6 të KEDNJ-së në lidhje me parimin e barazisë së armëve, Gjykata konstatoi se kjo pjesë e pretendimeve kualifikohen si pretendime “të pambështetura apo të paarsyetuara”; dhe si të tilla, i deklaroi këto pretendime të parashtruesit të kërkesës si qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, siç përcaktohet në paragrafin (2) të rregullit 39.

Sa i përket shkeljes së pretenduar në lidhje me të drejtën në pronë të garantuar me nenin 1 të Protokollit nr. 1 të KEDNJ–së,  Gjykata konstatoi se ky pretendim i parashtruesit të kërkesës i takon pretendimeve „të pambështetura apo të paarsyetuara“, dhe si të tilla Gjykata në baza kushtetuese i deklaron si qartazi të pabazuara, dhe rrjedhimisht të papranueshme.

Prandaj, Gjykata konkludon se kërkesa duhet të deklarohet në tërësinë e saj si qartazi e pabazuar, dhe rrjedhimisht e papranueshme në baza kushtetuese, në pajtim me rregullin 39 (2) të Rregullores së punës.

 

Parashtruesit:

Et-hem Bokshi

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim

Neni 31 - E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Penale