Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme Plm. nr. 69/2021 të 18 marsit 2020

Nr. të lëndës KI 124/21

Parashtruesit: Faik Kokollari

Shkarko:

KI124/21, Parashtrues: Faik Kokollari, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme Plm. nr. 69/2021 të 18 marsit 2020

KI124/21, Aktvendim i  25 nëntorit 2021, publikuar më 22 dhjetor 2021

Fjalët kyç: ndërprerje e procedurës gjyqësore, shkelje procedurale me ndikim në aktgjykim, i shpallur fajtor

Nga shkresat e lëndës rezulton se thelbi i rastit që përmban kjo kërkesë lidhet me faktin se Gjykata Themelore në Prishtinë e shpalli fajtor parashtruesin  e kërkesës dhe personin. L.T. për veprën penale “blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotropike dhe analoge nga neni 273, par. 2, lidhur me nenin 31 të KPK-së” për shkak se gjatë kontrollit rutinë të automjetit në pikën kufitare Merdare, është gjetur një sasi e caktuar e substancave narkotike që i takonin parashtruesit të kërkesës dhe palës së tretë L.T., në automjetin „Peugeot 308“, të cilën e ngiste personi L.T. Gjykata e Apelit duke vendosur sipas ankesave të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, e ndryshoi dënimin me burg të shqiptuar parashtruesit të kërkesës në kohëzgjatje prej tri (3) vjet e (6) muaj burgim, ndërsa refuzoi ankesën e parashtruesit të kërkesës dhe personit L.T. si të pabazuar. Në lidhje me këtë të fundit, parashtruesi i kërkesës ka paraqitur kërkesë për mbrojtjen e ligjshmërisë në Gjykatën Supreme, ndër të tjera, për shkelje të rënda nga neni 311 [Ndryshimi i përbërjes së trupit gjykues gjatë shtyrjes] paragrafi 3 i KPPK-së, sepse nga seanca e mbajtur më 27 maj 2019 deri në seancën e radhës më 24 tetor 2019 nuk është mbajtur asnjë seancë ku kanë kaluar më shumë se tre (3) muaj, andaj gjykata është dashur ta ketë parasysh këtë shtyrje dhe të rifillojë shqyrtimin gjyqësor, për shkak të faktit se nga seanca e fundit kanë kaluar më shumë se tre (3) muaj, siç parashihet me nenin 311 të KPPK-së. Gjykata Supreme nxori Aktgjykimin Pml. nr. 69/2021, përmes të cilit refuzoi si të pabazuar kërkesën për mbrojtjen e ligjshmërisë së parashtruesit të kërkesës, duke mbështetur plotësisht aktgjykimet e Gjykatës së Apelit dhe të Gjykatës Themelore, me arsyetimin se lëshimi procedural nuk ishte shkelje esenciale e procedurës penale, sepse nuk kishte asnjë ndikim në ligjshmërinë e Aktgjykimit të Gjykatës Themelore.

Parashtruesi i kërkesës pretendoi në Gjykatën Kushtetuese se i janë shkelur të drejtat dhe liritë e tij themelore të garantuara me nenin 3 [Barazia para Ligjit], neni 7 [Vlerat], neni 30 [Të Drejtat e të Akuzuarit], neni 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] dhe neni 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta). Ai pretendoi se Gjykata Themelore e kishte ndërprerë shqyrtimin gjyqësor për më shumë se 3 (tre) muaj përkundër dispozitave të KPPK-së, përkatësisht nenin 311 paragrafi 3, i cili përcakton se  nëse shqyrtimi gjyqësor shtyhet për më shumë se tre (3) muaj, duhet të fillojë shqyrtimi i ri në të cilin do të vlerësohen këto prova, Gjykata Themelore vazhdoi me shqyrtimin gjyqësor dhe nxori aktgjykim pa vazhdimin e shqyrtimit gjyqësor.

Në shqyrtimin e pretendimeve për shkelje procedurale, të cilën pretendim ai e lidhë me të drejtën për një gjykim të drejtë, Gjykata theksoi në radhë të parë se, ndër të tjera, sipas qëndrimit parimor të gjykatës nuk është detyrë e Gjykatës Kushtetuese të merret me gabimet faktike ose ligjore (ligjshmëria) që pretendohet të jenë kryer nga Gjykata Supreme ose nga një gjykatë tjetër e instancës më të ulët, përveç në masën që ato gabime mund të kenë shkelur të drejtat dhe liritë e mbrojtura me Kushtetutë (kushtetutshmëria). Gjykata më tej rithekson se nuk është detyrë e saj, sipas Kushtetutës, të veprojë si gjykatë e “shkallës së katërt” në lidhje me vendimet e marra nga gjykatat e rregullta. Në të vërtetë, është roli i gjykatave të rregullta të interpretojnë dhe zbatojnë rregullat përkatëse të së drejtës procedurale dhe materiale. Gjatë shqyrtimit të pretendimeve të parashtruesit të kërkesës, Gjykata rikujtoi konkluzionin e Gjykatës Supreme se këto pretendime hyjnë në kategorinë e shkeljeve relative procedurale sipas paragrafit 2 të nenit 384 të KPPK-së. Pra, në raste të tilla, shkeljet procedurale do të ndikonin në ligjshmërinë e një vendimi të tillë, vetëm nëse do të kishin ndikim në vendimin e ligjshëm. Në anën tjetër, sipas vlerësimit të Gjykatës Supreme, ky lëshim procedural nuk ka ndikuar në ligjshmërinë e aktgjykimit të Gjykatës Themelore. Gjykata Supreme erdhi në këtë përfundim duke vlerësuar interpretimin e gabuar të deklaratave dhe provave e shqyrtuara nga Gjykata Themelore, duke iu referuar provave të dhëna nga parashtruesi i kërkesës dhe në polici në prani të mbrojtësit si dhe fakteve të tjera. Prandaj, Gjykata konstatoi se në lidhje me të drejtën për një gjykim të drejtë të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës, parashtruesi i kërkesës ka pasur mundësi të përfitojë nga procedura kontradiktore dhe se ka pasur mundësi që në fazat e ndryshme të procedurës t’i paraqesë pretendimet dhe provat të cilat i ka konsideruar si të rëndësishme për rastin e tij; ka pasur mundësinë për t’i kundërshtuar në mënyrë efektive pretendimet dhe provat e paraqitura nga pala kundërshtare; gjykatat e rregullta i kanë dëgjuar dhe shqyrtuar të gjitha pretendimet e tij, e të cilat, shikuar objektivisht, kanë qenë të rëndësishme për zgjidhjen e rastit të tij, arsyet faktike dhe juridike për vendimin e kundërshtuar janë paraqitur në detaje, dhe për këtë arsye procedura, e marrë në tërësi, ishte e drejtë. Sa i përket shkeljeve të të drejtave të garantuara nga nenet 3, 7, 30, 31 dhe 54 të Kushtetutës, Gjykata konstatoi se këto pretendime nuk ishin shpjeguar qartë dhe se faktet dhe pretendimet për shkelje të të drejtave apo dispozitave kushtetuese nuk ishin paraqitur në mënyrë adekuate.

Rrjedhimisht, kërkesa duhet të deklarohet e papranueshme në tërësinë e saj si qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, siç përcaktohet në paragrafin (1) (d) dhe (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

Faik Kokollari

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Mosshkelje e të drejtave kushtetuese

Neni 3 - Barazia para Ligjit, Neni 7 – Vlerat, Neni 31 - E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm , Neni 54 - Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Penale