Aktgjykim

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme, E. Rev. nr. 62/2020, të 6 prillit 2020

Nr. të lëndës KI 113/20

Shkarko:
Përmbledhje

KI113/20, Parashtrues: IF Skadeforsikring, nga Norvegjia, vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme, E. Rev. nr. 62/2020, të 6 prillit 2020

KI113/20 Aktgjykim i 28 prillit 2021, publikuar më 25 maj 2021

Fjalët kyç: kërkesë individuale, kontest civil, e drejta në gjykim të drejtë, kërkesë e pranueshme për shqyrtim, nuk janë gjetur shkelje kushtetuese

Parashtruesja e kërkesës pretendoi se Aktgjykimi E. Rev. nr. 62/2020 shkel të drejtat e saj të garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6.1 [E drejta për një proces të rregullt gjyqësor] të KEDNj-së. Lidhur me pretendimin për shkelje e këtyre dispozitave konkrete parashtruesja e kërkesës theksoi se Aktgjykimi i kontestuar i 6 prillit 2020, sërish karakterizohet nga mungesa e arsyetimit adekuat, sepse Gjykata Supreme nuk ka dhënë arsyetime të mjaftueshme dhe adekuate përkitazi me ndryshimet e Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit, Ae. nr. 191/2017, të 31 tetorit 2017, në lidhje me kamatëvonesën, duke shkelur kësisoj parimin e ndalimit të arbitraritetit në vendimmarrje. Përveç kësaj, parashtruesja e kërkesës pretendoi se moszbatimi i jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese lidhur me mungesën e arsyetimit përbën shkelje serioze të nenit 31 të Kushtetutës. Në mbështetje të këtij pretendimi, parashtruesja e kërkesës iu referohet rasteve KI55/09, KI135/14, KI97/16 dhe KI138/15 ku Gjykata kishte konstatuar shkelje të nenit 31 të Kushtetutës, për shkak të mungesës së arsyetimit të vendimit gjyqësor.

Në këtë rast, Gjykata konsideroi se të gjitha vërejtjet e dhëna nga Gjykata në Aktgjykimin e  saj të 27 shkurtit 2019 (rasti KI87/18), për sa i përket arsyetimit të pikës 2 (dy) të Aktgjykimit të kontestuar, se mbi cilën bazë ligjore a ligj e kishte mbështetur Gjykata Supreme ndryshimin e Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit përkitazi me lartësinë e normës së interesit (kamatëvonesës), tashmë janë konsumuar sepse Aktgjykimi i kontestuar, përmban arsyetim logjik dhe sqaron me saktësi se përse në rastin e parashtrueses së kërkesës nuk mund të aplikohet norma në lartësinë prej 12%, duke theksuar se kjo normë e interesit aplikohet vetëm kur kërkesat për dëmshpërblim bëhen nga personat e dëmtuar, ndaj të cilëve nuk është shlyer detyrimi brenda afateve të përcaktuara sipas nenit 26 të Ligjit për Sigurimin e Detyrueshëm nga Autopërgjegjësia. Përveç kësaj, Gjykata thekson se është konsumuar dhe pretendimi për moskonsistencë në vendimmarrje, përmes nxjerrjes së mendimit juridik nga ana e Gjykatës  Supreme. Kësisoj janë eliminuar edhe shkaqet të cilat kanë shkaktuar pasiguri juridike për shkak të zbatimit jo uniform të praktikës gjyqësore për çështje faktike dhe juridike të njëjta.

Si përmbledhje, lidhur me pretendimin për shkelje të së drejtës për një vendim të arsyetuar dhe të arsyeshëm gjyqësor, Gjykata konkludoi se Gjykata Supreme: (i) ka dhënë bazën juridike dhe ka shpjeguar se përse në rastin e parashtrueses së kërkesës nuk zbatohet norma e interesit prej 12%; (ii) Aktgjykimi i kontestuar i Gjykatës Supreme përmban lidhje logjike ndërmjet bazës juridike, arsyetimit dhe përfundimeve të nxjerra; (iii) si rrjedhojë logjike ndërmjet bazës juridike, arsyetimit dhe përfundimeve ka rezultuar se Aktgjykimi i kontestuar i Gjykatës Supreme, E. Rev. 62/2020, e plotëson kushtin e një vendimi të arsyetuar dhe të arsyeshëm gjyqësor. Për më tepër, i njëjti është edhe në linjë me Mendimin Juridik të Gjykatës Supreme, të 2 dhjetorit 2020. Andaj, Gjykata konkludoi se parashtruesja e kërkesës, në baza kushtetuese, nuk e mbështet mjaftueshëm pretendimin, se në rastin e saj ka pasur shkelje të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës dhe  të nenit 6.1  (E drejta për një proces të rregullt) të KEDNj-së, për pamjaftueshmëri të arsyetimit gjyqësor.

Andaj, Gjykata konkludon se, në rrethanat e rastit konkret, nuk ka pasur shkelje të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në lidhje me nenin 6.1  (E drejta për një proces të rregullt) të KEDNj-së.

Parashtruesit:

IF Skadeforsikring, nga Norvegjia

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktgjykim

Mosshkelje e të drejtave kushtetuese

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile