Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme ARJ-UZVP. nr. 72/2018 të 16 prillit 2019

Nr. të lëndës KI 132/19

Parashtruesit: Korporata Energjetike e Kosovës (KEK)

Shkarko:

KI132/19 Parashtrues: Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme ARJ-UZVP. nr. 72/2018 të 16 prillit 2019

KI 132/19, aktvendim për papranueshmëri i 3 shkurtit 2021, publikuar më 12 shkurt 2021

Fjalët kyç: person juridik, vlerësim i kushtetutshmërisë së aktgjykimit të kontestuar të Gjykatës Supreme, qartazi i pabazuar

Kërkesa bazohet në nenin 21, paragrafi 4 dhe 113.7 të Kushtetutës, nenin 22 dhe 47 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës nr. 03/L-121 dhe rregullin 32 të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese.

Me vendim të Qeverisë së Kosovës nr. 12/168 të 29 janarit 2014, parashtruesit të kërkesës i është ndarë për 99 vjet një parcelë e caktuar kadastrale për qëllim të instalimit të stabilimenteve energjetike. Më pas, Agjencia Kadastrale e Kosovës konstatoi që parashtruesi i kërkesës nuk kishte ndërtuar pajisje energjetike në parcelat e ndara, siç parashihet me vendim, prandaj, nuk ia lejoi parashtruesit të kërkesës regjistrimin e së drejtës për të shfrytëzuar parcelat e kontestuara për 99 vjet.

Parashtruesi i kërkesës filloi procedurë administrative në lidhje me regjistrimin e ngastrave të kontestuara në librat kadastral.

Kjo procedurë gjyqësore kaloi nëpër të gjitha fazat e procedurës në gjykatat e rregullta dhe kjo procedurë gjyqësore përfundoi me aktgjykimin e plotfuqishëm të Gjykatës Supreme, me të cilin ishin vërtetuar vendimet e Agjencisë Kadastrale, Gjykatës Themelore dhe Gjykatës së Apelit.

Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës përsërit të njëjtat pretendime që ai bëri para gjykatave të rregullta, dhe të cilat në thelb kanë të bëjnë me interpretimin e dispozitave përkatëse të së drejtës materiale nga gjykatat e rregullta.

Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës pretendon shkelje të, (i) të drejtave të garantuara me nenin 3 [Barazia para Ligjit], nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], nenin 54 [Mbrojtja Gjyqësore e Të Drejtave] dhe nenin 102 [Parimet e Përgjithshme të Sistemit Gjyqësor], si dhe (ii) nenin 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës.

Për sa i përket shkeljeve të sipërpërmendura të të drejtave të garantuara me nenet 31, 46, 54 dhe 102 të Kushtetutës, Gjykata rikujton se ajo e deklaron kërkesën të papranueshme si qartazi të pabazuar sipas kriterit të pretendimeve “të pambështetura apo të paarsyetuara”, kur plotësohen njëra nga të dy kërkesat karakteristike, përkatësisht (a) kur parashtruesi i kërkesës thjesht citon një ose më shumë dispozita të Konventës ose të Kushtetutës, pa shpjeguar se në çfarë mënyre janë shkelur ato dhe (b) kur parashtruesi i kërkesës dështon ose refuzon të ofrojë prova dokumentare në mbështetje të pretendimeve të tij (kjo në veçanti vlen për vendimet e gjykatave ose autoriteteve të tjera të vendit).

Prandaj, Gjykata konstaton se sa i përket këtyre pretendimeve të parashtruesit të kërkesës për shkelje të të drejtave të garantuara me nenet  31, 46, 54 dhe 102 të Kushtetutës, Gjykata konkludon që kërkesa duhet të deklarohet e papranueshme në tërësinë e saj si qartazi e pabazuar, sepse këto pretendime të parashtruesit të kërkesës kualifikohen si pretendime që bien në kategorinë (iii) e pretendimeve “të pambështetura apo të paarsyetuara”. Prandaj, të njëjtat janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, siç përcaktohet në paragrafin (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK)

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Administrative