Aktgjykim

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme, ARJ-UZVP.nr. 42/2020, të 25 qershorit 2020

Nr. të lëndës KI 195/20

Parashtruesit: Aigars Kesengfelds, pronar i institucionit financiar jo-bankar “Monego”

Shkarko:

KI195/20, Parashtruesi i kërkesës: Aigars Kesengfelds, pronar i institucionit financiar jo-bankar “Monego”, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme, ARJ-UZVP.nr. 42/2020, të 25 qershorit 2020

KI195/20, Aktgjykim, vendosur më 29 mars 2021

Fjalët kyç: kërkesë individuale, person juridik, institucion financiar jo-bankar, aplikimi qartazi i gabuar apo arbitrar i ligjit,  vendim i arsyetuar gjyqësor, kërkesë e pranueshme, në përputhshmëri me nenin 31 të Kushtetutës 

Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me revokimin e licencës së parashtruesit të kërkesës si institucion financiar jo-bankar, nga ana e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) përmes Vendimit [Nr.77-32/2019] të 6 dhjetorit 2019. Revokimi i licencës nga ana e BQK-së mbështetej në arsyetimin se parashtruesi i kërkesës ka aplikuar norma efektive të interesit për kredi dukshëm më të larta se norma efektive e paraqitur në planin e biznesit të paraqitur në BQK.

Kundër Vendimit të BQK-së, parashtruesi i kërkesës në procedurë administrative kishte parashtruar kërkesëpadi për anulimin e vendimit dhe të njëjtën kohë në bazë të paragrafëve 2 dhe 6 të nenit 22 të Ligjit për Konfliktet Administrative (LKA) kishte paraqitur edhe kërkesë për shtyrjen e ekzekutimit të Vendimit të BQK-së. Gjykata Themelore kishte refuzuar kërkesën e tij për shtyrje të ekzekutimit të Vendimit duke aplikuar kriteret e paragrafëve 2 dhe 6 të nenit 22 të LKA-së, në të cilin rast kishte konstatuar  se parashtruesi i kërkesës nuk kishte dëshmuar se (i) ekzekutimi i Vendimit deri në vendosjen e meritave të rastit para gjykatave atij do t’i sillte dëm të madh dhe të pariparueshëm dhe se (ii) shtyrja e ekzekutimit të Vendimit nuk do të ishte në kundërshtim me interesin publik. Si rezultat i ankesës së tij ndaj Aktvendimit të dytë A.nr. 3029/2019 , të 3 shkurtit 2020 të Gjykatës Themelore, Gjykata e Apelit kishte vërtetuar konstatimin e Gjykatës Themelore përkitazi me mospërmbushjen e kritereve të nenit 22 të LKA-së për shtyrjen e ekzekutimit të Vendimit të BQK-së, dhe duke shtuar aplikimin edhe të nenit 76 të Ligjit për BQK-në kishte refuzuar ankesën e parashtruesit të kërkesës si të pabazuar. Në fund, pas kërkesës së parashtruesit të kërkesës për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor, gjegjësisht Aktvendimit të Gjykatës së Apelit, të parashtruar në Gjykatën Supreme, kjo e fundit refuzoi kërkesën e tij si të pabazuar dhe vërtetoi konstatimin e Gjykatës së Apelit.  

Parashtruesi i kërkesës i konteston konstatimet e Gjykatës Supreme duke pretenduar shkelje të nenit 31, në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së; nenin 32 [E Drejta për Mjete Juridike] dhe nenin 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 13 (E drejta për zgjidhje efektive) të KEDNJ-së; si dhe nenin  46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 1 (Mbrojtja e pronës) të Protokollit nr. 1 të KEDNJ-së; dhe nenet 7, 8 dhe 10 të DUDNJ-së. Në esencë, për pretendimin për shkeljen e së drejtës së tij për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, parashtruesi i kërkesës ankohet për aplikueshmërinë e nenit 76 të Ligjit për BQK-në, nga ana e gjykatave të rregullta duke theksuar se këto të fundit (i) kanë aplikuar në mënyrë qartazi të gabuar nenin 76 të Ligjit për BQK-në; dhe (ii) nuk kanë arsyetuar vendimet e tyre.

Gjykata gjatë vlerësimit të pranueshmërisë së kërkesës konstatoi se parashtruesi i kërkesës (i) është palë e autorizuar, sepse e dorëzoi kërkesën në cilësinë e personit juridik me qëllim të mbrojtjes së të drejtave, të garantuar me Kushtetutë; (ii) ka saktësuar të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutë për të cilat pretendon se i janë shkelur; (iii) ka dorëzuar kërkesën e tij brenda afatit; (iv) marrë për bazë faktit që objekt i çështjes është vlerësim i vendimeve të gjykatave të rregullta, të nxjerra në procedurë paraprake, Gjykata duke aplikuar kriteret e përcaktuara përmes praktikës së saj gjyqësore, të mbështetur në praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: GJEDNJ) konstatoi se neni 31 i Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së është i aplikueshëm në rastin e tij; dhe rrjedhimisht përfundoi se (v) se kërkesa e parashtruesit të kërkesës gjithashtu plotëson kriteret e pranueshmërisë të përcaktuara përmes paragrafi (1) të rregullit 39 të Rregullores së punës.

Gjykata, pas vlerësimit të pretendimeve të parashtruesit të kërkesës, duke aplikuar edhe  standardet e praktikës gjyqësore të vet Gjykatës dhe asaj të GJEDNJ-së konkludoi si në vijim:

Përkitazi me pretendimin e parashtruesit të kërkesës për shkelje të së drejtës së tij për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, si rezultat i interpretimit të gabuar të ligjit nga gjykatat e rregullta theksoi se baza e shqyrtimit të kërkesës për shtyrje të ekzekutimit të Vendimit të BQK-së, pranë Gjykatës Themelore ishte neni 22 i LKA-së, paragrafët 2 dhe 6. Rrjedhimisht, Gjykata konsideroi se konstatimet dhe konkluzionet e gjykatave të rregullta nuk janë arbitrare sepse në këtë procedurë paraprake mbështeten në radhë të parë në vlerësimin e tyre për plotësim të kritereve të përcaktuar në nenin 22, paragrafëve 2 dhe 6 të LKA-së dhe rrjedhimisht referimi edhe i nenit 76 të Ligjit për BQK-në nga Gjykata e Apelit, nuk e ka penguar këtë gjykatë dhe më pas edhe Gjykatën Supreme të konstatojë se nuk janë plotësuar kriteret e përcaktuar me nenin 22 të LKA-së për shtyrje të ekzekutimit të Vendimit.

Së dyti, përkitazi me pretendimin e parashtruesit të kërkesës për shkelje të së drejtës së tij për gjykim të drejtë dhe të paanshëm , si rezultat i mos-arsyetimin të vendimit gjyqësor, Gjykata theksoi se bazuar në rrethanat e rastit konkret, shqyrtimi apo aprovimi i pretendimit të parashtruesit të kërkesës për aplikim të gabuar të nenit 76 të Ligjit për BQK-në si të bazuar, nuk do ta ndërronte rezultatin në rastin e tij dhe kjo për faktin se, objekt shqyrtimi i kërkesës së parashtruesit të kërkesës në procedurën paraprake para gjykatave të rregullta ishte shtyrja e ekzekutimit të Vendimit të BQK-së dhe vlerësimi nga këto të fundit nëse ishin plotësuar kriteret e përcaktuara në nenin 22 të LKA-së.

Si përfundim, Gjykata, përkitazi me pretendimin për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së për (i) shkak të aplikimit të gabuar të ligjit dhe  (ii)  mungesës së arsyetimit të vendimit gjyqësor, Gjykata konstaton se Aktgjykimi i kontestuar ARJ-UZVP.nr. 42/2020, i 25 qershorit 2020, i Gjykatës Supreme nuk përbën shkelje të nenit 31 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së.

Ndërsa, sa i përket pretendimeve për shkelje të nenit 32 të Kushtetutës, nenit 54 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 13 të KEDNJ-së; dhe nenit 46 të  Kushtetutës, në lidhje me nenin 1 të Protokollit nr. 1 të KEDNJ-së, si dhe nenet 7, 8 dhe 10 të DUDNJ-së, Gjykata të njëjtat i konsideroi se të njëjtat parashtruesi i kërkesës i ndërlidh me pretendimet për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës, rrjedhimisht Gjykata të njëjtat i konstatoi si qartazi të pabazuara në baza Kushtetuese ashtu siç përcaktohet me nenin 39 (2) të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

Aigars Kesengfelds, pronar i institucionit financiar jo-bankar “Monego”

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktgjykim

Mosshkelje e të drejtave kushtetuese