KI97/20, Parashtruesi i kërkesës: Nehat Salihu, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme, ARJ. UZVP. nr. 140/2019, të 19 nëntorit 2019
KI97/20, Aktvendim për papranueshmëri, i miratuar më 26 mars 2021, publikuar më 13 prill 2021
Fjalët kyçe: kërkesë individuale, mos saktësim i dispozitave të kontestuara kushtetuese, mosshterim i mjeteve juridike, kërkesë e papranueshme.
Komisioni Disiplinor në kuadër të Komunës së Gjilanit, përmes Vendimit 02 016-35902, të 14 prillit 2015, parashtruesit të kërkesës ia kishte ndërprerë marrëdhënien e tij të punës në shërbimin civil, gjegjësisht e kishte larguar nga pozita e drejtorit të shkollës. Kjo si rezultat i konstatimit nga ana e Komisionit në fjalë se parashtruesi i kërkesës kishte bërë shkelje disiplinore, të përcaktuara me Rregulloren për Procedurat Disiplinore. Vendimi i Komisionit Disiplinor ishte konfirmuar nga Komisioni për Zgjidhjen e Kontesteve dhe Ankesave, KPMSHCK, Gjykata Themelore, Gjykata e Apelit dhe në fund edhe nga Gjykata Supreme, përmes Aktgjykimit të kontestuar. Përderisa, përkitazi me kërkesën e tij për kthimin në vendin e tij të punës si mësimdhënës para emërimit të tij në pozitën e drejtorit, e cila kërkesë bazohej në nenin 9 të Udhëzimit Administrativ të MASHT-it, KPMSHCK dhe gjykatat e rregullta kishin konstatuar se KPMSHCK nuk është kompetent për të vendosur përkitazi me marrëdhënien e stafit mësimor, pasi që kjo kategori e punonjësve publikë nuk e ka statusin e shërbyesve civil.
Parashtruesi i kërkesës në kërkesën e tij përkitazi me Aktgjykimin e Gjykatës Supreme pretendon shkelje të dispozitave të paspecifikuara të Ligjit për Shërbyesit Civil në Republikën e Kosovës, Ligjin e Punës dhe të Udhëzimit Administrativ të MASHT-it, vlerësim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike. Megjithatë, parashtruesi i kërkesës nuk ka qartësuar se cilat të drejta dhe liri, të garantuara me Kushtetutë, pretendon se i janë cenuar përmes Aktgjykimit të kontestuar të Gjykatës Supreme. Në vijim, parashtruesi po ashtu specifikon se në rastin e tij nga autoritete komunale të arsimit nuk është zbatuar një Vendimi i paspecifikuar të Inspektoratit të Punës për kthimin e tij në vendin e punës si mësimdhënës
Gjykata pas vlerësimit të pretendimeve të parashtruesit të kërkesës, konstatoi se kërkesa është e papranueshme, sepse: (i) përkitazi me pretendimet në lidhje me Aktgjykimin e kontestuar të Gjykatës Supreme, parashtruesi i kërkesës nuk ka saktësuar të drejtat kushtetuese të cilat ai pretendon se i janë cenuar dhe nuk ka qartësuar faktet që arsyetojnë këtë pretendim, ashtu siç përcaktohet përmes nenit 48 të Ligjit dhe rregullit 39 (1) (d) të Rregullores së punës; dhe (ii) përkitazi me Vendimin e paspecifikuar të Inspektoratit të Punës për kthimin e tij në vendin e punës si mësimdhënës, parashtruesi i kërkesës nuk ka shteruar mjetet juridike ashtu siç përcaktohet me nenin 47 dhe rregullin 39 (1) (b) të Rregullores së punës.
Nehat Salihu
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Administrative