KI121/20, parashtruesi i kërkesës: Besnik Berisha, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme ARJ–UZP–108/2019 të 10 tetorit 2019
KI121/20, Aktvendim për papranueshmëri i datës 30 mars 2022, publikuar më 27 prill 2022
Fjalët kyçe: kërkesë individuale, e drejta në gjykim të drejtë dhe të paanshëm, e drejta e qasjes në dokumente publike
Rrethanat e këtij rasti kanë të bëjnë me procedurën e përzgjedhjes së gjyqtarëve të Gjykatës Themelore, në të cilën ka marrë pjesë si kandidat edhe parashtruesi i kërkesës, por sipas rezultateve të vlerësimit nga ana e Komisionit të Këshillit Gjyqësor i Kosovës (KGJK), ai nuk kishte marrë poena të mjaftueshëm, andaj edhe nuk ishte zgjedhur. Parashtruesi i kërkesës i dërgoi një kërkesë KGJK-së duke kërkuar qasje në dokumentet publike lidhur me vlerësimin e tij gjatë procesit të përzgjedhjes, të cilën KGJK-ja e refuzoi, duke konsideruar se dokumentet përmbanin rezultatet dhe informacionet e kandidatëve të tjerë dhe për këtë arsye ata nuk mund t’ia jepnin ato.
Duke pasur parasysh këtë, parashtruesi i kërkesës parashtroi kërkesëpadi në Gjykatën Themelore duke kërkuar anulimin e vendimit të KGJK-së, si dhe sigurimin e materialeve të bëra gjatë procedurës së përzgjedhjes së kandidatëve si provë. Në ndërkohë, parashtruesi i kërkesës ka paraqitur një plotësim të kërkesëpadisë me të cilin ka kërkuar sigurimin e provave për 5 kandidatë të tjerë që kanë marrë pjesë në procedurën e përzgjedhjes. Gjykata Themelore, e Apelit dhe Gjykata Supreme e refuzuan kërkesën e parashtruesit, duke deklaruar se parashtruesi nuk arriti ta arsyetonte marrjen e provave para kohe, sepse nuk kishte rrezik që marrja e këtyre provave më vonë do të vështirësohej apo pamundësohej, dhe se provat e kërkuara nga parashtruesi i kërkesës do ta cenonin privatësinë e të tjerëve.
Duke pasur parasysh këtë, parashtruesi i kërkesës parashtroi kërkesë në Gjykatë në të cilën pretendon se vendimet e tilla të gjykatave të rregullta i shkelnin të drejtat e tij të garantuara me nenin 31. [E drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm], 41 [E drejta e qasjes në dokumente publike] dhe 54. [Mbrojtja gjyqësore e të drejtave] të Kushtetutës.
Duke analizuar dhe shqyrtuar pretendimet e parashtruesit, Gjykata fillimisht shqyrtoi në aspektin procedural nëse kërkesa i plotëson të gjitha kushtet formale për shqyrtimin e tyre. Rrjedhimisht, sa i përket pretendimeve të parashtruesit për shkelje të nenit 41 të Kushtetutës, Gjykata konkludoi se parashtruesi nuk ka iniciuar procedura gjyqësore në aspektin procedural në të cilin gjykatat do të merreshin me çështjen e qasjes në dokumente publike në pajtim me nenin 41 të Kushtetutës, andaj Gjykata e refuzoi këtë pretendim me arsyetimin se nuk ishin shteruar të gjitha mjetet juridike në aspektin procedural.
Në vazhdim të raportit, Gjykata i trajtoi pretendimet e parashtruesit për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës dhe nenit 6 të KEDNJ-së, në kuptim të procedurës gjyqësore të iniciuar dhe zhvilluar me kërkesëpadinë në Gjykatën Themelore, duke pasur parasysh se kjo pjesë e pretendimeve plotësonte të gjitha kërkesat procedurale. Megjithatë, duke marrë parasysh thelbin e këtyre pretendimeve, Gjykata konstatoi se ato ishin të pabazuara, sepse gjykatat e rregullta i trajtuan të gjitha pretendimet e parashtruesit të kërkesës, duke konstatuar se ato ishin të pabazuara dhe për të cilat ofruan arsyetimet përkatëse ligjore dhe juridike.
Rrjedhimisht, Gjykata hodhi poshtë pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së si pretendime që i përkasin kategorisë (iii) „të paargumentuara dhe paarsyetuara“. Meqenëse nga sa u tha është e qartë se në këtë rast nuk ka shkelje kushtetuese të nenit 31 të Kushtetutës, rrjedhimisht këto pretendime janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, siç parashihet në paragrafin (2) të rregullit 39 të Rregullores së Punës.
Gjykata po ashtu hodhi poshtë pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje të nenit 54 të Kushtetutës, sepse as nuk i kishte sqaruar ato në kërkesë.
Besnik Berisha
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Neni 31 - E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm , Neni 44 - Liria e Asociimit
Nuk janë shterur mjetet juridike, Kërkesa është qartazi e pabazuar
Civile