Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme ARJ.nr.134/2021 të 29 dhjetorit 2021

Nr. të lëndës KI65/22

Parashtruesit: Shoqëria “Fitorja” sh.p.k.

Shkarko:

KI65/22, Parashtrues: Shoqëria “Fitorja” sh.p.k.  vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme ARJ.nr.134/2021 të 29 dhjetorit 2021

KI65/22, Aktvendim për papranueshmëri i 23 shkurtit 2023, publikuar më 27 mars 2023

Fjalët kyç: kërkesë individuale, e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, procedurë paraprake, masat e përkohshme, kërkesë e papranueshme  

Nga shkresat e lëndës rezulton se esenca e këtij rasti ndërlidhet me faktin se Siguruesi “Kosova e Re” Sh. A.  përmes licencës 007 të datës 25 prill 2002 të lëshuar nga  Autoriteti Bankar dhe i Pagesave të Kosovës (BPK), e cila ishte paraardhësja Ligjore e BQK-së ishte autorizuar të kryejë biznes të sigurimeve në territorin e Kosovës. Siguruesi “Kosova e Re” Sh. A. ishte në pronësi të plotë të kompanisë turke “Tuspa Trade” LLC. Ndërsa një vit më vonë, kompania “Fitorja” Sh.P.K., (parashtruesi i kërkesës) kishte blerë 100% të aksioneve nga kompania “Tuspa Trade” L.L.C., dhe përmes këtij transaksioni, kompania  “Fitorja” Sh.P.K., (parashtruesi i kërkesës)  ishte bërë pronare e re e siguruesit “Kosova e  Re” Sh. A. me seli në Prishtinë. Ndërkohë, Bordi Ekzekutiv i BQK-së miratoi Vendim për revokimin e licencës së parashtruesit të kërkesës për shkak se i njëjti nuk kishte përmbushur kërkesat minimale ligjore lidhur me mjaftueshmërinë e kapitalit, aftësinë paguese (solvencën) dhe asetet në mbulimin e provizioneve teknike. Parashtruesi i kërkesës  paraqiti padi në Gjykatën Themelore kundër palës së paditur BQK me qëllim të kontestimit të vendimit për revokim të licencës së parashtruesit të kërkesës nga kjo e fundit.. Parashtruesi i kërkesës po ashtu kishte kërkuar nga Gjykata Themelore që ta shtyjë ekzekutimin e vendimit të kontestuar të BQK-së. Gjykata Themelore e aprovoi padinë e parashtruesit të kërkesës dhe e shtyu ekzekutimin e vendimit të kontestuar të BQK-së. Ndërkohë, pala e paditur BQK paraqiti ankesë në Gjykatën e Apelit kundër vendimit të Gjykatës Themelore. Gjykata e Apelit e aprovoi të bazuar ankesën e palës së paditur BQK, e ndryshoi aktvendimin e goditur të Gjykatës Themelore dhe e refuzoi të pabazuar propozimin i parashtruesit të kërkesës për shtyrje të ekzekutimit të vendimit të kontestuar të BQK-së. Gjykata e Apelit kryesisht kishte konstatuar se Gjykata Themelore nuk kishte zbatuar drejtë të drejtën materiale duke shpërfillur zbatimin e neneve 76 dhe 77 të Ligjit për BQK-në. Parashtruesi i kërkesës paraqiti kërkesës për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor  duke pretenduar shkelje të dispozitave procedurale, zbatim të gabuar të së drejtës materiale me propozim që aktvendimi i ankimuar i Gjykatës së Apelit të anulohet në tërësi . Gjykata Supreme e refuzoi të pabazuar kërkesën për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësorë të paraqitur nga parashtruesi i kërkesës i paraqitur kundër aktvendimit të Gjykatës së Apelit. Gjykata Supreme në përgjithësi e përvetësoi dhe miratoi arsyetimin e dhënë nga Gjykata e Apelit duke  arsyetuar se bazuar në nenin 22 të LKA-së për përmbushjen e kushteve për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të kontestuar dhe nenit 76 të Ligjit për BQK-në që përcakton imunitetin e veprimeve të BQK-së ndaj caktimit të masës së përkohshme nga gjykatat, vendimi i Gjykatës së Apelit është i drejtë dhe i ligjshëm.

Në procedurë në Gjykatën Kushtetuese, parashtruesi i kërkesës në thelb pretendoi se sa i përket të drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm me aktgjykimin e kontestuar i janë cenuar  garancitë specifike nga neni 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] i Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe neni 6 (1) (E drejta për një proces të rregullt) i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut që ndërlidhen me nuk kanë dhënë arsyetim të mjaftueshëm dhe të logjikshëm kur kanë gjykuar rastin e tij-dhe në formë të nënkuptuar-ka sugjeruar që Gjykata e Apelit dhe Gjykata Supreme kanë qenë të njëanshme. Parashtruesi i kërkesës po ashtu kërkoi caktimin e masave të përkohshme me qëllim të shmangies së dëmit të pariparueshëm dhe mbrojtjes së interesit publik.

Në vlerësimin e pretendimeve të parashtruesit të kërkesës, Gjykata vlerësoi: (i) Gjykata e  Apelit dhe Gjykata Supreme kanë dhënë një arsyetim të gjithëpërfshirës të të gjitha çështjeve qendrore të çështjes së parashtruesit të kërkesës çka lë të kuptohet se parashtruesit i është mundësuar paraqitja e argumenteve kundrejt palës së paditur BQK-së; (ii) Gjykata Supreme dhe Gjykata e Apelit kanë përcaktuar bazën ligjore duke dhënë shpjegime të mjaftueshme dhe logjike për shkaqet e “imunitetit” të veprimeve të BQK-së bazuar në nenet 76 dhe 77 të Ligjit për BQK-në; (iii) ekziston mundësia e kompensimit material qoftë e parashtruesit të kërkesës, qoftë e palëve të treta të dëmtuara, në rast të aprovimit të kërkesëpadisë së parashtruesit të kërkesës me vendim përfundimtar gjyqësorë;  prandaj, (iv)  sipas Gjykatës së Apelit dhe Gjykatës Supreme nuk paraqitet rreziku i dëmit të pariparueshëm ndaj parashtruesit të kërkesës dhe palëve të treta. Gjykata ritheksoi se vendimet e kontestuara të gjykatave të rregullta janë të arsyetuara dhe përmbajnë fakte të vërtetuara, dispozitat ligjore përkatëse dhe marrëdhënien logjike midis tyre.

Gjykata konstatoi se kërkesa për masa të përkohshme duhet të refuzohet për shkak se parashtruesi i kërkesës nuk ka paraqitur dëshmitë e nevojshme për vendosje të masës së përkohshme.

Gjykata në fund konstatoi se kërkesa e parashtruesit të kërkesës në tërësi është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, dhe duhet të shpallet e papranueshme bazuar në nenet 113.7 të Kushtetutës, nenin 47 të Ligjit dhe me rregullin 39 (2) të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

Shoqëria “Fitorja” sh.p.k.

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile