Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme ARJ.nr.133/21 të 29 dhjetorit 2021

Nr. të lëndës KI73/22

Parashtruesit: N.T “Viva Pharmacie”

Shkarko:

KI73/22, Parashtrues: N.T “Viva Pharmacie”, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme ARJ.nr.133/21 të 29 dhjetorit 2021

KI73/22, Aktvendim për Papranueshmëri, i 13 dhjetorit 2022, publikuar më 11 janar 2023

Fjalët kyç: kërkesë individuale, kontest pune, kërkesë e papranueshme 

Rrethanat e rastit konkret, ndërlidhen me atë që parashtruesja e kërkesës pas inspektimit të Inspektoratit tatimor, ishte ngarkuar me tatime shtesë. Parashtruesja e kërkesës ishte ankuar në Komisionin e ankesave të ATK-së, lidhur me raportin e vlerësimit të Inspektoratit tatimor. Komisioni i ankesave i ATK-së e kishte refuzuar ankesën e parashtrueses së kërkesës dhe kishte vërtetuar vlerësimin e Inspektoratit tatimor. Parashtruesja e kërkesës kishte ushtruar padi në Gjykatën Themelore kundër vendimit të ATK-së, të cilën padi Gjykata Themelore e kishte refuzuar dhe kishte lënë në fuqi vendimin e ATK-së. Parashtruesi i kërkesës kishte parashtruar ankesë në Gjykatën e Apelit kundër vendimit të Gjykatës Themelore, e cila ankesë ishte refuzuar. Në Gjykatën Supreme parashtruesja e kërkesës kishte parashtruar kërkesë për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor, por e cila ishte refuzuar nga Gjykata Supreme.

Parashtruesja e kërkesës pretendoi se me Aktgjykimin e kontestuar të Gjykatës Supreme, i janë shkelur të drejtat e saj të garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës.

Gjykata vërejti se thelbi i pretendimeve të parashtrueses së kërkesës kishte të bënte me vërtetimin e gabuar të gjendjes faktike dhe interpretimin e gabuar të ligjeve të zbatueshme nga Gjykatat e rregullta, përkatësisht nenit 19 të Ligjit 03/L-222 për ATK-në dhe Procedurat, si dhe nenit 160 paragrafi 5 i LPK-së.

Gjykata theksoi që në rrethanat e rastit konkret, parashtruesja e kërkesës lidhur me pretendimet për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, si rezultat i interpretimit të gabuar të ligjit, theksoi se, Gjykatat e rregullta kanë interpretuar gabimisht dispozitën e nenit 19 të Ligjit 03/L-222 për ATK-në, si dhe nenit 160 paragrafi 5 i LPK-së, megjithatë ajo nuk e mbështet në asnjë mënyrë dhe as nuk argumenton para Gjykatës, se si ky interpretim i ligjit të aplikueshëm nga gjykatat e rregullta, mund të ketë qenë “qartazi i gabuar”, duke rezultuar në “konkluzione arbitrare” apo “qartazi të paarsyeshme” për parashtruesen e kërkesës apo se si procedurat pranë gjykatave të rregullta, në tërësinë e tyre, mund të mos kenë qenë të drejta apo edhe arbitrare. Përveç kësaj, Gjykata vlerëson se gjykatat e rregullta kanë marrë parasysh të gjitha faktet dhe rrethanat e rastit, pretendimet e parashtrueses së kërkesës dhe kanë arsyetuar qartazi të njëjtat.

Gjykata vlerësoi se Gjykatat e rregullta arsyetuan në mënyrë të detajuar pretendimet e parashtrueses së kërkesës, ku në bazë të provave të nxjerra ishte vërtetuar se nuk qëndrojnë pretendimet e parashtrueses së kërkesës dhe me këtë rast, të njëjtat ishin shpallur si të pa bazuara. Sa më sipër, Gjykata thekson se parashtruesja e kërkesës nuk ka arritur që pretendimet e saj për shkelje të të drejtave të garantuara me Kushtetutë t’i ngrejë në nivel kushtetutshmërie.

Prandaj, Gjykata konkludoi se pretendimet e parashtrueses së kërkesës për shkeljen e së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës dhe nenin 6 të KEDNJ-së janë (i) pretendime që bien në kategorinë e “shkallës së katërt” dhe si të tilla, këto pretendime të parashtrueses së kërkesës janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, siç përcaktohet në paragrafin (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

N.T “Viva Pharmacie”

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Administrative