KI135/19, Parashtrues: Shkodran Hashani, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit të Republikës së Kosovës, Ac. nr. 2469/15, të 4 korrikut 2019
KI135/19, Aktvendim për papranueshmëri, i 7 tetorit 2020, publikuar më 6 nëntor 2020
Fjalët kyç: kërkesë individuale, e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, kërkesë qartazi e pabazuar
Në bazë të shkresave të lëndës rezulton se si rezultat i një aksidenti të komunikacionit të ndodhur në mes të parashtruesit të kërkesës dhe H. S., dhe pas padisë së këtij të fundit kundër parashtruesit të kërkesës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, më 9 dhjetor 2014, Gjykata Themelore në Prishtinë përmes Aktgjykimit [C. nr. 520/09] miratoi padinë e H. S. dhe e detyroi parashtruesin e kërkesës që në emër të kompensimit të dëmit material t’ia paguaj H. S. një shumë të caktuar të të hollave.
Pas ankesës së parashtruesit në Gjykatën e Apelit, i cili në thelb kishte pretenduar se ekspertizat të cilat janë kryer lidhur me rastin e tij nuk i janë dërguar parashtruesit të kërkesës dhe i njëjti nuk ka pasur mundësi që të deklarohet lidhur me to, dhe as t’i kundërshtoj, Gjykata e Apelit refuzoi si të pabazuar ankesën e parashtruesit të kërkesës.
Parashtruesi i kërkesës i ishte drejtuar Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit me kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë, kundër Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit, dhe kjo e fundit përmes njoftimit e kishte refuzuar kërkesën e parashtruesit të kërkesës për ngritjen e kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë.
Parashtruesi i kërkesës pretendoi se me vendimin e kontestuar i janë shkelur të drejtat e garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës.
Në thelb, parashtruesi i kërkesës para Gjykatës Kushtetuese pretendoi se gjykatat e rregullta nuk i kishin dhënë mundësinë ligjore që të deklarohet për ekspertizën e ekspertit të komunikacionit, duke mos i dërguar të njëtat tek parashtruesi dhe rrjedhimisht nuk kishte pasur mundësi t’i kundërshojë ato.
Gjykata, duke u bazuar në dosjen e rastit, vërejti se ekspertizat e aksidentit të komunikacionit e 15 tetorit 2014 dhe ekspertiza e vlerësimit të dëmit e 27 tetorit 2014, janë dërguar në adresë të parashtruesit të kërkesës dhe e njëjta është pranuar nga N. H., babai i parashtruesit të kërkesës, më 12 nëntor 2014, dhe rrjedhimisht Gjykata konsideroi se parashtruesi e ka pranuar ekspertizën e komunikacionit.
Gjykata Kushtetuese konsideroi se parashtruesi i kërkesës nuk i ka mbështetur pretendimet se procedurat përkatëse në ndonjë mënyrë ishin të padrejta apo arbitrare dhe që me vendimin e kontestuar janë shkelur të drejtat dhe liritë e garantuara me Kushtetutë. Gjykata Kushtetuese konkludoi se në pajtim me nenin 113.7 të Kushtetutës, me nenin 20 të Ligjit, dhe në pajtim me rregullin 39 (2) të Rregullores së punës, kërkesa e parashtruesit të kërkesës ishte qartazi e pabazuar.
Shkodran Hashani
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Civile