Aktgjykim

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës, Ae.nr.179/2017, të 11 nëntorit 2019

Nr. të lëndës KI 24/20

Parashtruesit: “PAMEX SH.P.K”

Shkarko:

KI24/20, Parashtrues: “PAMEX SH.P.K”, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës, Ae.nr.179/2017, të 11 nëntorit 2019 

KI24/209, Aktgjykim i 3 shkurtit 2021, publikuar më 24 shkurt 2021

Fjalët kyç: Kërkesë individuale, transfer i gabuar bankar, Ligji për Sistemin e Pagesave, vendim i paarsyetuar

Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me një transaksion të 21 qershorit 2013, në emër të parashtruesit të kërkesës tek një kompani kineze, të cilin e kishte realizuar Banka për Biznes në Prishtinë. Megjithatë, kjo e fundit, gabimisht kishte realizuar transakcionin në euro dhe jo në dollarë, duke rezultuar kështu me një pagesë shtesë prej 17,436.85 euro, në dëm të parashtruesit të kërkesës, si rezultat i dallimit në kursin valutor. Më pas, bazuar në shkresat e lëndës, rezulton se parashtruesi i kërkesës dhe Banka kishin arritur një marrëveshje sipas së cilës (i) pjesa e transferit të realizuar gabimisht do t’i mbetej kompanisë kineze, prej të cilës parashtruesi i kërkesës do të porosiste mall shtesë; ndërsa (ii) Banka do t‘i mundësonte parashtruesit të kërkesë një Kontratë për Mbitërheqje përmes të cilës, parashtruesi i kërkesës do e kompenzonte Bankën në lidhje me shumën e kontestuar brenda një periudhe të caktuar.

Në fillim të vitit 2015, parashtruesi i kërkesës iu drejtua gjykatave të rregullta, jo vetëm duke kërkuar kthimin e shumës së kontestuar por edhe kompenzimin e humbjeve të shkaktuara, si rezultat i veprimeve të Bankës përkatëse. Gjykata Themelore në Prishtinë, kishte refuzuar si të pabazuar padinë e parashtruesit të kërkesës, pasi që kishte sqaruar se çështjet kontestuese që burojnë nga gabimi të cilin Banka e kishte bërë përmes transaksionit të 21 qershorit 2013, ishin zgjidhur me vullnetin e palëve përmes (i) deklaratës së nënshkruar nga parashtruesi i kërkesës më 30 korrik 2013; dhe (ii) Kontratës për Mbitërheqje të nënshkruar më 31 korrik 2013. Parashtruesi i kërkesës kishte kontestuar konstatimet e Gjykatës Themelore në Gjykatën e Apelit, ndër të tjera, duke theksuar faktin se në Gjykatën Themelore nuk është dëgjuar dëshmitari i propozuar prej tij dhe duke kërkuar caktimin e një superekspertize. Për më tepër, parashtruesi i kërkesës gjithashtu kishte pretenduar shkelje të dispozitave të Ligjit për Sistemin e Pagesave dhe më saktësisht, neneve 33, 34, 41 dhe 53 të tij. Gjykata e Apelit, përmes Aktgjykimit të kontestuar kishte miratuar konstatimet e Gjykatës Themelore.

Para Gjykatës, parashtruesi i kërkesës pretendoi se Aktgjykimi [Ae.nr.179/2017] i 11 nëntorit 2019 i Gjykatës së Apelit është nxjerrë në shkelje të të drejtave dhe lirive themelore të tij të garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, për shkak të mungesës së vendimit të arsyetuar gjyqësor. Parashtruesi i kërkesës para Gjykatës theksoi, ndër të tjera, se Gjykata e Apelit ka dështuar t’i arsyetojë pretendimet e tij, posaçërisht në lidhje me (i) kërkesën e tij për dëgjimin e dëshmitarit A.B.; (ii) kërkesën e tij përkitazi me superekspertizën; dhe (iii) shkeljet e neneve 33, 34, 41 e 53 të Ligjit të Pagesave.

Në adresimin e pretendimeve të parashtruesit të kërkesës, fillimisht Gjykata, duke u bazuar në praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, ndër të tjera, vuri theks në faktin që gjykatat janë të detyruara të arsyetojnë pretendimet e palëve që janë thelbësore apo që mund të jenë përcaktuese për meritat e një rasti. Në këtë kontekst, Gjykata gjithashtu sqaroi se përkundër faktit që kur gjykatat me juridiksion apeli, konfirmojnë vendimet e gjykatave më të ulëta, nuk janë të detyruara të arsyetojnë secilin argument, ato megjithatë janë të detyruara që të tregojnë konsideratë të mjaftueshme në shqyrtimin e vendimit të shkallës më të ulët. Për më tepër, në vlerësimin e një vendimi të një gjykate më te ulët, gjykata më e lartë është po ashtu e detyruar të vlerësojë pretendimet ankimore të një parashtruesi, dhe jo vetëm të vlerësojë nëse gjykata më e ultë në mënyrë të drejtë e ka vlerësuar ankesën përkatëse para saj.

Në aplikimin e këtyre standardeve në rastin konkret, Gjykata konstatoi se në nxjerrjen e Aktgjykimit [Ae.nr.179/2017] të 11 nëntorit 2019, Gjykata e Apelit përtej dështimit për të arsyetuar pretendimet e parashtruesit të kërkesës lidhur me superekspertizën dhe mosdëgjimin e dëshmitarëve të caktuar, e njëjta në arsyetimin e saj nuk kishte përfshirë asnjë fjali të vetme përkitazi me pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje të dispozitave të Ligjit për Sistemin e Pagesave, si pretendim thelbësor i parashtruesit të kërkesës. Ligji i lartcekur, në nenin 53 të tij, ndër të tjera, përcakton se asnjë marrëveshje me shkrim ndërmjet klientit dhe institucionit të pagesave nuk mund të përmbajë ndonjë dispozitë që paraqet heqje dorë nga ndonjë e drejtë e akorduar apo shkak veprimi të krijuar sipas këtij ligji. Bazuar në vlerësimin e Gjykatës, heshtja e Gjykatës së Apelit, përkitazi me pretendime të tilla thelbësore dhe përcaktuese të parashtruesëve përkatës, nuk i plotëson standardet e një vendimi të arsyetuar gjyqësor, siç është garantuar përmes Kushtetutës dhe Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Për pasojë, Gjykata konstatoi se Aktgjykimi i lartcekur i Gjykatës së Apelit, nuk është në përputhshmëri me garancitë e mishëruara në nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, për shkak të mungesës së vendimit të arsyetuar gjyqësor, dhe rrjedhimisht duhet të shpallet i pavlefshëm, dhe të kthehet në rivendosje në Gjykatën e Apelit.

Parashtruesit:

“PAMEX SH.P.K”

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktgjykim

Shkelje e të drejtave kushtetuese

Neni 31 - E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile