Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit, PAKR. nr. 4/21, të 16 shkurtit 2021

Nr. të lëndës KI 89/21

Parashtruesit: Hekuran Sokoli

Shkarko:

KI89/21, Parashtrues: Hekuran Sokoli, vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit, PAKR. nr. 4/21, të 16 shkurtit 2021

KI89/21, Aktvendim për papranueshmëri i 25 nëntorit 2021, publikuar më 14 dhjetor 2021

Fjalët kyç: e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, rikualifikim i veprës penale, kërkesë e papranueshme

Nga shkresat e lëndës rezulton që Gjykata Themelore kishte shpallur fajtor parashtruesin e kërkesës për kryerjen e veprave penale “Lëndim i lehtë trupor” nga paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të nenit 188 dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga paragrafi 1 i nenit 374 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Më pas, Gjykata e Apelit pas ankesës anuloi Aktgjykimin e Gjykatës Themelore dhe ktheu çështjen në rigjykim. Pas kthimit në rigjykim të rastit, Gjykata Themelore vendosi njësoj si herën e parë duke e shpallur parashtruesin e kërkesës fajtor për veprat penale “Lëndim i lehtë trupor” nga paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të nenit 188 të KPRK-së dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga paragrafi 1 të nenit 374 të KPRK-së. Kundër këtij Aktgjykimi, Prokuroria Themelore parashtroi ankesë pranë Gjykatës së Apelit. Gjykata e Apelit, aprovoi pjesërisht ankesën e Prokurorisë Themelore, duke ndryshuar Aktgjykimin e Gjykatës Themelore vetëm sa i përket cilësimit të veprës penale dhe vendimit mbi dënimin, ashtu që Gjykata e Apelit vlerësoi se përmbushen elementet e veprës penale “Vrasje në tentativë” nga neni 178 lidhur me nenin 28 të KPRK-së, duke i shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej 1 (një) viti e 3 (tre) muaj. Kundër Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit, parashtruesi i kërkesës dorëzoi ankesë pranë Gjykatës Supreme e cila u hodh si e palejueshme nga ana e Gjykatës Supreme.

Parashtruesi i kërkesës, si pretendim kryesor para Gjykatës Kushtetuese kishte ngritur shkeljen e të drejtës për një gjykim të drejtë e të paanshëm të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës, duke pretenduar se Gjykata e Apelit me rastin e rikualifikimit të veprës penale kundër parashtruesit të kërkesës, kishte vërtetuar gabimisht gjendjen faktike, duke u shpërfillur dëshmitë, si dhe nuk kishte marrë parasysh nenet e tjera të KPRK-së, të cilat sipas parashtruesit ishin relevante.

Së pari, Gjykata si “vendim i fundit” në rastin konkret konsideroi se është Aktgjykimi i Gjykatës së Apelit, meqenëse përmes këtij të fundit janë shqyrtuar edhe meritat e rastit, si dhe i njëjti në mënyrë shprehimore kontestohet nga parashtruesi i kërkesës.

Në shqyrtimin e pretendimeve të parashtruesit të kërkesës për shkelje të së drejtës së tij për një gjykim të drejtë dhe të paanshëm, Gjykata fillimisht shtjelloi parimet e praktikës së saj gjyqësore dhe të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, përkitazi me doktrinën e shkallës së katërt, dhe më pas aplikoi të njëjtat në rrethanat e rastit konkret. Gjykata fillimisht theksoi se Gjykata Kushtetuese nuk ka juridiksion për të vendosur nëse një parashtrues i kërkesës ka qenë fajtor për kryerjen e veprës penale apo jo. Gjykata konstatoi se arsyetimi i Gjykatës së Apelit, është i qartë dhe, pas shqyrtimit të të gjitha procedurave, Gjykata gjithashtu konstatoi se procedurat në gjykatat e rregullta nuk kanë qenë të padrejta apo arbitrare.

Përfundimisht, sa i përket pretendimeve të parashtruesit të kërkesës për shkelje të së drejtës për një gjykim të drejtë dhe të paanshëm të garantuar përmes nenit 31 të Kushtetutës, Gjykata konkludoi se i takojnë kategorisë së pretendimeve të “shkallës së katërt”, rrjedhimisht, pretendime qartazi të pabazuara.

Rrjedhimisht, Gjykata vendosi se kërkesa në tërësi duhet të shpallet e papranueshme si qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, siç është përcaktuar në paragrafin (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

Hekuran Sokoli

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Penale