Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit, PAKR. nr. 329/18, të 23 gushtit 2018

Nr. të lëndës KI 54/19

Parashtruesit: Pashke Krasniqi

Shkarko:

KI54/19 Parashtruesja e kërkesës: Pashke Krasniqi, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit, PAKR. nr. 329/18, të 23 gushtit 2018

KI54/19, Aktvendimi për Papranueshmëri i 15 janarit 2020, i publikuar më 7 shkurt 2020

Fjalët kyç: kërkesë individuale, vlerësim i kushtetutshmërisë së aktgjykimit të kontestuar, paafatshme

Kërkesa bazohet në nenin 113.7 të Kushtetutës, nenin 47 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, nr. 03/L-121 dhe rregullin 32 të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese.

Më 23 gusht 2016, në të shtënat që ndodhën në qendër të Gjakovës, nga arma e zjarrit u vra i biri i parashtrueses së kërkesës dhe dy persona të tjerë.

Më 30 prill 2018, Gjykata Themelore në Gjakovë, me Aktgjykimin PKR. nr. 6/2018, shpalli Q.Sh.-në dhe V.G.-në fajtorë për kryerjen e veprës penale të vrasjes në bashkëkryerje dhe veprës penale të mbajtjes në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve dhe rrjedhimisht i shqiptoi Q.Sh.-së dënim unik me burgim në kohëzgjatje prej 12 vjet e 6 muaj, ndërsa V.G.-së i shqiptoi dënim unik me burgim në kohëzgjatje prej 11 vjet e 6 muaj.

Parashtruesja e kërkesës paraqiti në Gjykatën e Apelit ankesë kundër Aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Gjakovë. Gjykata e Apelit, me Aktgjykimin PAKR. nr. 329/2018, e refuzoi si të pabazuar ankesën e parashtrueses së kërkesës dhe e vërtetoi Aktgjykimin e Gjykatës Themelore.

Pas kësaj, parashtruesja e kërkesës i paraqiti Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit propozimin për inicimin e kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë kundër Aktgjykimit (PKR. nr. 6/2018) të Gjykatës Themelore në Gjakovë dhe Aktgjykimit (PAKR. nr. 329/2018) të Gjykatës së Apelit.

Më 3 dhjetor 2018, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit i dorëzoi parashtrueses së kërkesës njoftimin (KMLP. I. nr. 21/19) e 27.11.2018 në të cilin, konstaton se nuk ka gjetur bazë ligjore për inicimin e Kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë.

Gjykata vëren se “vendim i fundit” (Aktgjykimi PAKR nr. 329/18 i 23 gushtit 2018) i Gjykatës së Apelit i është dorëzuar parashtrueses më 28 gusht 2018, ndërsa kërkesa kushtetuese është dorëzuar më 3 Prill 2019.

Në këtë drejtim, Gjykata vëren se kërkesa kushtetuese është dorëzuar jashtë afatit ligjor 4 (katër) mujor të paraparë me nenin 49 të Ligjit dhe specifikuar më tej me rregullin 39 (1) (c) të Rregullores së punës. Rrjedhimisht, Gjykata konstaton se kërkesa e parashtrueses është e papranueshme, sepse është e paafatshme.

Parashtruesit:

Pashke Krasniqi

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është paraqitur pas afatit

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Penale