Përmbledhje
KI50/21, Parashtruese: Sevdije Xhaferi; Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit, AC. nr. 5753/2019, të 30 shtatorit 2020
KI50/21, Aktvendim i 15 shkurtit 2022, publikuar më 21 mars 2022
Fjalët kyç: kërkesë individuale, shkelje e nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Gjykata fillimisht rikujton se parashtruesja e kërkesës nga 1 marsi 1993, kishte filluar të punoj në Ndërmarrjen “Vushteks”. Ndërsa nga 1 gushti 1999, parashtruesja e kërkesës kishte filluar të punojë në Qendrën për Mjekësi Familjare në Vushtrri. Më 1 gusht 2013, parashtruesja e kërkesës mbushi 20 vite përvojë pune. Si rezultat i kësaj, parashtruesja e kërkesës paraqiti në Komunën e Vushtrrisë kërkesën për pagesën e dy pagave jubilare, duke u bazuar në Kontratën Kolektive Sektoriale të 11 qershorit 2018. Komuna e Vushtrrisë, përmes vendimit [Nr. 305], refuzoi kërkesën e parashtrueses së kërkesës, me arsyetimin se i mungon baza ligjore. Parashtruesja e kërkesës kundër të paditurës, Komuna e Vushtrrisë, parashtroi padi në Gjykatën Themelore, nëpërmjet të cilës, në emër të shpërblimit jubilar kërkoi pagesën e 2 pagave jubilare, në shumën e përgjithshme prej 835.10 euro, duke u bazuar në nenin 17, paragrafin 3.2 të Kontratës Kolektive Sektoriale të 11 qershorit 2018. Gjykata Themelore, përmes Aktgjykimit [C. nr. 224/2019] të 23 shtatorit 2019, aprovoi kërkesën e parashtrueses se kërkesës dhe detyroi Komunën e Vushtrrisë që t’ia realizoj detyrimin parashtrueses së kërkesës. Komuna e Vushtrrisë paraqiti ankesë në Gjykatën e Apelit kundër vendimit të lartcekur për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës kontestimore, vërtetim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe zbatim të gabuar të së drejtës materiale. Gjykata e Apelit, përmes Aktgjykimit [AC. nr. 5753/2019], aprovoi padinë e Komunës së Vushtrrisë dhe ndryshoi Aktgjykimin e Gjykatës Themelore, duke refuzuar si të pabazuar kërkesën e parashtrueses së kërkesës për pagesën e dy pagave jubilare duke u bazuar në Kontratën Kolektive Sektoriale të 11 qershorit 2018, me arsyetimin se Aktgjykimi i Gjykatës Themelore është marrë duke konstatuar gabimisht gjendjen faktike në rastin e parashtrueses së kërkesës, sepse kjo e fundit 20 vjetorin jubilar të përvojës së punës e ka arritur në vitin 2013, në momentin kur kontrata kolektive e sektorit të shëndetësisë nuk ka qenë në fuqi, as kontrata e përgjithshme kolektive, ndërsa kontrata e cekur nuk prodhon efekt retroaktiv.
Thelbi i pretendimeve të parashtrueses së kërkesës është që Gjykata e Apelit nuk e ka arsyetuar mjaftueshëm Aktgjykimin e saj dhe ka interpretuar gabimisht aplikueshmerinë e Kontratës Kolektive Sektoriale të 11 qershorit 2018, në rrethanat e parashtrueses së kërkesës. Më tutje, parashtruesja e kërkesës pretendon se Gjykata e Apelit ka vendosur ndryshe në Aktgjykimin [AC. nr. 1902/2020], duke u mbështetur në dispozita të njëjta ligjore, megjithëse rastet ishin të njëjta, dhe për pasojë ka shkelur të drejtën e saj për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës dhe me nenin 6 të KEDNJ-së.
Në këtë aspekt, Gjykata vëren se parashtruesja e kërkesës kishte arritur 20 (njëzetë) vite përvoje të punës më 1 gusht 2013, ndërsa Kontrata Kolektive Sektoriale, të cilës i referohet parashtruesja e kërkesës si bazë ligjore për realizmin e shpërblimit jubilar, kishte hyrë në fuqi më 11 qershor 2018, duke mos prodhuar efekte ligjore në kohën sa nuk ishte në fuqi. Gjykata vërejti se Kontrata Kolektive Sektoriale e 11 qershorit 2018 nuk kishte qenë e aplikueshme në kohën kur parashtruesja e kërkesës kishte plotësuar kriteret për realizmin e shpërblimit jubilar.
Në dritën e kësaj, Gjykata vëren se Gjykata e Apelit i kishte sqaruar parashtrueses së kërkesës se përse në rrethanat e saj nuk aplikohet Kontrata Kolektive Sektoriale si bazë ligjore, në mënyrë që ajo të realizoj shpërblimin jubilar.
Si përmbledhje, Gjykata konsideron se parashtruesja e kërkesës nuk kishte paraqitur dëshmi, fakte dhe argumente që dëshmojnë se procedurat në gjykatat e rregullta kanë shkaktuar shkelje të të drejtave të saj të garantuara me Kushtetutë, gjegjësisht me nenet 24, 31 dhe 46 të Kushtetutës, në ndërlidhje me nenin 6 dhe nenin 1 të Protokollit 1 të KEDNJ-së.
Prandaj, kërkesa u refuzua qartazi e pabazuar në baza kushtetuese dhe deklarohet e papranueshme në pajtim me rregullin 39 (2) të Rregullores së punës.
Sevdije Xhaferi
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Vendim për refuzim të kërkesës
Civile