KI155/20, Parashtruesi i kërkesës: Sopa Rasim, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit, Ac.nr.2000/2015, të 31 marsit 2021
KI155/20, Aktvendimi i 3 nëntorit 2021, publikuar më 1 dhjetor 2021
Fjalët kyçe: kërkesë individuale, procedure për përcaktimin e pronësisë, barazia para ligjit, e drejta në gjykim të drejtë, mbrojtja e pronës, kërkesës qartazi e pabazuar, kërkesë e papranueshme
Parashtruesi i kërkesës parashtroi një kërkesëpadi në Gjykatën Komunale në Prizren për përcaktimin e pronësisë mbi objektin e banimit në pronësi të trashëgimtarit të të ndjerit M.K. Kjo procedurë ka kaluar nëpër të gjitha fazat dhe është shqyrtuar nga gjykatat e rregullta ku në fund Gjykata e Apelit ka refuzuar si të pabazuar kërkesëpadinë e parashtruesit për përcaktimin e pronësisë së paluajtshmërisë kontestuese, me arsyetimin se parashtruesi i kërkesës nuk ka dëshmuar se ai ka qenë pronar i paluajtshmërisë kontestuese, dhe as që i ka plotësuar kushtet ligjore për pronësinë mbi paluajtshmërisë kontestuese.
Parashtruesi i kërkesës konteston kushtetutshmërinë Aktgjykimin e Gjykatës së Apelit, Ac.nr.2000/2015, të 31 marsit 2020, duke pretenduar shkelje të të drejtave të tij të garantuara me nenin 21 [Parimet e Përgjithshme], nenin 24 [Barazia para Ligjit], nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] dhe nenin 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta).
Sa i përket shkeljes së pretenduar të të drejtave të garantuara me nenin 31 të Kushtetutës, në rastin konkret, Gjykata vëren se pretendimet e parashtruesit lidhur me shkeljen e nenit 31 të Kushtetutës përmblidhen në vërtetimin e gabuar të gjendjes faktike dhe aplikimin dhe interpretimin e gabuar të ligjit, më çfarë ai ngre çështjen e aplikimit dhe interpretimit të gabuar të dispozitave ligjore, që bie ekskluzivisht brenda juridiksionit të gjykatave të rregullta (ligjshmëria).
Sa i përket shkeljes së pretenduar të të drejtave të garantuara me nenet 21, 24 dhe 46 të Kushtetutës, këto pretendime kualifikohen si pretendime “të pambështetura ose te paarsyeshme” sepse parashtruesi i kërkesës vetëm thjesht ka përmendur një apo më shumë dispozita të Kushtetutës, pa shpjeguar se si janë shkelur ato.
Prandaj, Gjykata konkludon se kërkesa në tërësi duhet të shpallet e papranueshme si qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, në pajtim me rregullin 39 (2) të Rregullores së punës.
Sopa Rasim
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri