KI 67/20, Parashtrues: KOMPANIA KOSOVARE PËR DISTRIBUIM ME ENERGJI ELEKTRIKE “KEDS” SH.A, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit, Ac. nr. 1674/2019 të 18 dhjetorit 2019
KI 67/20, Aktvendim për Papranueshmëri, i 9 shtatorit 2021, publikuar në 18 tetor 2021
Fjalët kyç: person juridik, kërkesë individuale, vlerësim i kushtetutshmërisë së vendimit të kontestuar të Gjykatës së Apelit, kërkesë qartazi e pabazuar
Kërkesa bazohet në nenet 21.4 dhe 113.7 të Kushtetutës, nenet 22 dhe 47 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, nr. 03/L-121 dhe rregullin 32 të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese.
Më 11 maj 2016, parashtruesi i kërkesës për shkak të arritjes së moshës së pleqërisë, pensionoi punonjësin S.L. Punonjësi S.L., parashtroi kërkesë te parashtruesi i kërkesës për pagesën e 3 (tri) pagave në emër të pagave përcjellëse për pension, siç parashikohet në nenin 53 të Marrëveshjes së Përgjithshme Kolektive të Kosovës. Parashtruesi i kërkesës e refuzoi kërkesën e punonjësit S.L., me arsyetimin se parashtruesi i kërkesës nuk është nënshkrues i Marrëveshjes Kolektive, dhe nuk është anëtar i asnjë prej institucioneve nënshkruese të Marrëveshjes Kolektive të vitit 2014. S.L. parashtroi kërkesëpadi në Gjykatën Themelore duke kërkuar nga parashtruesi i kërkesës që t’ia paguajë 3 (tri) paga mujore në emër të pagave përcjellëse për pension. Gjykata Themelore [me Aktgjykimin C. nr. 641/18] miratoi kërkesëpadinë e S.L. duke obliguar parashtruesin e kërkesës që të paguajë kompensim në vlerë prej 3 (tri) pagave mujore në emër të pagave përcjellëse për pension, duke thënë, “hyrje të marrëveshjes së Përgjithshme Kolektive për punëdhënësit, në këtë rast edhe për KEDS-së, nënshkruese e kontratës kolektive është Organizata e Punëdhënësve dhe Oda Ekonomike e Kosovës. Ndërsa në kuptim të nenit 2 par. 1 dhe 3 të Kontratës së Përgjithshme Kolektive, dispozitat e kësaj kontrate janë detyruese edhe në sektorin privat e gjithashtu vlejnë edhe për punëdhënësit me shtetësi të huaj, të cilët ushtrojnë veprimtari ekonomike në Kosovës. Në rastin konkret, këto dispozita janë detyruese edhe për KEDS, pasi që, përveç që është ndërmarrje me shtetësi të huaj dhe atë pas privatizimit njësisë së distribuimit të energjisë elektrike, e njëjta i takon edhe sektorit privat”. Parashtruesi i kërkesës parashtroi ankesë në Gjykatën e Apelit kundër Aktgjykimit [C. nr. 641/18] të Gjykatës Themelore, Gjykata e Apelit [me Aktgjykimin Ac. nr. 1674/19] e refuzoi si të pabazuar ankesën e parashtruesit të kërkesës dhe në të njëjtën kohë vërtetoi aktgjykimin e gjykatës së shkallës së parë. Parashtruesi i kërkesës konteston konkluzionet e gjykatave të rregullta në Gjykatë, duke pretenduar (i) shkelje të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, si rezultat i interpretimit të gabuar të ligjit, përkatësisht të neneve 52 dhe 53 të Marrëveshjes së Përgjithshme Kolektive të Kosovës në kundërshtim me nenin 90, paragrafi 5 i Ligjit të Punës; dhe (ii) shkelje të neneve 3 dhe 31 të Kushtetutës. Gjykata, bazuar në standardet e vendosura në praktikën e saj gjyqësore në raste të ngjashme dhe në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, konstaton se pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje të (i) nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të Konventës, si rezultat i interpretimit të gabuar të ligjit në fuqi në rrethanat e rastit të tij, përbëjnë pretendime të “shkallës së katërt”; ndërsa (ii) për shkelje të nenit 3 dhe 31 të Kushtetutës në lidhje me vendimin e paarsyetuar, përbëjnë pretendime “të pambështetura apo të paarsyetuara” dhe si të tilla, ato janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, siç përcaktohet në paragrafin (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës.
KOMPANIA KOSOVARE PËR DISTRIBUIM ME ENERGJI ELEKTRIKE “KEDS” SH.A.
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Neni 3 - Barazia para Ligjit, Neni 31 - E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Civile