Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [Rev.nr.7/2023] të 15 gushtit 2023, të Gjykatës Supreme

Nr. të lëndës KI09/24

Parashtruesit: Muhamet Pervizaj, Sami Pervizaj dhe Florije Lubiqeva

Shkarko:

KI09/24, Parashtrues Muhamet Pervizaj, Sami Pervizaj dhe Florije Lubiqeva, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [Rev.nr.7/2023] të 15 gushtit 2023, të Gjykatës Supreme

KI09/24, Aktvendim për papranueshmëri, i 30 prillit 2024, publikuar më  26 qershor 2024

Fjalët kyçe: trashëgimtarë; heqja dorë nga trashëgimia; mungesë e provave

Parashtruesit e kërkesës janë fëmijët e Z.P., e cila ishte pronare e pronës së paluajtshme në sipërfaqe prej 395 m2. Pas vdekjes së saj, Gjykata Themelore në Prizren i shpalli parashtruesit e kërkesës si trashëgimtarët ligjor të nënës së tyre dhe ia njohu secilit të drejtën nga ¼ pjesë ideale të paluajtshmërisë. Parashtruesit e kërkesës paraqitën kërkesëpadi duke pretenduar se vetëm ata ishin trashëgimtar ligjor ndërsa vëllai i tyre F.P. duhej të përjashtohej nga pjesa e tij e trashëgimisë, sepse ishte kompensuar në vlerën prej 70.000 (shtatëdhjetëmijë) marka gjermane për pjesën e tij të trashëgimisë. Sipas tyre, F.P. i kishte marrë paratë në kohën kur nëna e tyre ishte gjallë dhe me ato para e kishte blerë një shtëpi. Gjykatat e rregullta e refuzuan kërkesëpadinë e parashtruesve të kërkesës, me arsyetimin se nuk kishin dëshmuar mjaftueshëm që ia kishin dhënë kompensimin financiar vëllait të tyre F.P., në emër të heqjes dorë nga pjesa e tij e trashëgimisë.

Parashtruesit e kërkesës paraqitën kërkesë në Gjykatë me pretendimin se vendimet e gjykatave të rregullta ishin në kundërshtim me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së.

Gjykata konstatoi se parashtruesit e kërkesës vetëm e kishin përmendur shkeljen e nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, pa specifikuar asnjë çështje konkrete apo element që ka ndikuar në shkeljen e procesit të drejtë gjyqësor. Gjykata theksoi se parashtruesit e kërkesës nuk ishin të kënaqur me rezultatin e procesit gjyqësor dhe kjo nuk përbën argument për shkelje kushtetuese. Gjykata i vlerësoi pretendimet e parashtruesve të kërkesës si “të pambështetura apo të paarsyetuara”, prandaj i shpalli si qartazi të pabazuara.

Parashtruesit:

Muhamet Pervizaj, Sami Pervizaj dhe Florije Lubiqeva

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile