KI99/22, Parashtruese Arijeta Bara Abazi, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [Rev.nr.558/21], të 2 qershorit 2022, të Gjykatës Supreme të Kosovës
KI99/22, Aktvendim për Papranueshmëri, i 31 janarit 2024, publikuar më 5 mars 2024
Fjalët kyçe: kërkesë individuale, shkallë e katërt, kërkesë e “pambështetur dhe e paarsyetuar”
Thelbi i kërkesës ndërlidhet me procedurën në të cilën gjykatat e rregullta përcaktuan se a ka pasur të drejtë apo jo punëdhënësi i parashtrueses së kërkesës, respektivisht, ProCredit Bank që ta ndërpresë marrëdhënien e punës së saj pa vendim për ndërprerje të saj, por vetëm me njoftim për ndërprerjen e kontratës së punës. Çështja në fjalë pranë gjykatave të rregullta përfundoi në atë mënyrë që në procedurën e dytë gjyqësore pas rikthimit në herën e parë në rigjykim dhe rivendosje, Gjykata Themelore dhe Gjykata e Apelit vlerësuan se ProCredit Bank nuk kishte vepruar në harmoni me dispozitat ligjore në momentin kur e kishte ndërprerë marrëdhënien e punës më parashtruesen e kërkesës, meqenëse kjo e fundit nuk e kishte njoftuar me rregull sipas ligjit dhe kontratës së punës parashtruesen e kërkesës, si dhe nuk kishte nxjerrë vendim për ndërprerjen e kontratës së punës. Megjithatë, Gjykata Supreme nuk u pajtua me konstatimin e Gjykatës Themelore dhe Gjykatës së Apelit, prandaj edhe e pranoi si të bazuar revizionin e parashtruar nga ProCredit Bank, duke konkluduar se gjykatat e instancave më të ulëta kanë aplikuar gabimisht të drejtën materiale dhe se bazuar në paragrafin 7 të nenit 11 dhe paragrafin 1 të nenit 12 të Rregullores së UNMIK-ut Nr. 2001/27, si dhe nenit 7 të kontratës së punës së 28 korrikut 2008, ProCredit Bank nuk ka pasur detyrim ligjor që të nxjerrë vendim për ndërprerje të marrëdhënies së punës me parashtruesen e kërkesës.
Parashtruesja e kërkesës konsideroi se Gjykata Supreme nuk kishte dhënë arsye bindëse dhe të mjaftueshme lidhur me interpretimin e dispozitave ligjore që ishin bazë për vendosjen e çështjes, si dhe pretendoi se ka pasur shkelje të neneve 24, 31, 49, 53 dhe 55 të Kushtetutës, lidhur me të drejtën “për vendim të arsyetuar” dhe “aplikim të gabuar të së drejtës materiale” e që ka rezultuar pastaj me shkelje të së drejtës në punë dhe lidhur me detyrimin që gjykatat të japin përgjigje të hollësishme për çdo argument ose çështje nëse një kërkesë është e një rëndësie thelbësore për rezultatin e çështjes.
Pas shtjellimit të praktikës gjyqësore të saj dhe GJEDNJ-së, si dhe duke marrë parasysh arsyetimin e gjykatave të rregullta në rastin konkret, Gjykata vlerësoi se parashtruesja e kërkesës nuk dëshmoi dhe nuk mbështeti në mënyrë të mjaftueshme pretendimin e saj se Gjykata Supreme mund të ketë aplikuar ligjin në mënyrë të gabuar që ka rezultuar në “konkluzione arbitrare”, dhe rrjedhimisht pretendimet e saja për interpretim dhe aplikimin e gabuar të ligjit të aplikueshëm, kualifikohen si pretendime që bien në kategorinë e “shkallës së katërt” dhe si të tilla, reflektojnë pretendime në nivel të “ligjshmërisë” dhe nuk janë argumentuar në nivel të “kushtetutshmërisë”.
Në lidhje me pretendimin për divergjencë në praktikën gjyqësore të Gjykatës Supreme, Gjykata vuri në pah se parashtruesja e kërkesës në kërkesën e saj nuk ka bashkëngjitur aktgjykimet e Gjykatës Supreme, për të cilat pretendon se janë të njëjta me rastin e saj në mënyrë që ta mbështesë pretendimin e saj në fjalë, andaj, konstatoi se ky pretendim është qartazi i pabazuar në kategorinë e pretendimeve “të pambështetura dhe të paarsyetuara”, ashtu siç është përcaktuar me nenin 48 të Ligjit dhe rregullin 34 (1) (d) dhe (2) të Rregullores së punës.
Sa i përket pretendimeve të parashtrueses së kërkesës lidhur me shkeljen e të drejtave dhe lirive të garantuara me nenin 49 të Kushtetutës, Gjykata i konsideroi këto pretendime si të pabazuara, meqenëse parashtrueses së kërkesës nuk iu mohua e drejta e punës dhe se është obligim i parashtrueses së kërkesës që të dëshmojë pretendimet e saja kushtetuese dhe të paraqesë dëshmi prima facie që të tregojë shkelje të drejtave të garantuara me Kushtetutë dhe Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, andaj konstatoi se ky pretendim është qartazi i pabazuar në kategorinë e pretendimeve “të pambështetura dhe të paarsyetuara”, ashtu siç është përcaktuar me nenin 48 të Ligjit dhe rregullin 34 (1) (d) dhe (2) të Rregullores së punës. Mbi të njëjtë bazë, Gjykata i shpalli të papranueshme edhe pretendimet përkitazi me shkeljen e neneve 24, 53 dhe 55 të Kushtetutës, sepse parashtruesja e kërkesës vetëm kishte përmendur nenet e lartcekura, por pa arsyetuar apo shpjeguar fare se si ka ardhur deri të shkelja e këtyre të drejtave.
Arijeta Bara Abazi
KI - Kërkesë individuale
Vendim
Civile