Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [Rev.nr.552/2020] të Gjykatës Supreme të 21 marsit 2022

Nr. të lëndës KI145/22

Parashtruesit: Sanija Doliqanin

Shkarko:

KI145/22, Parashtrues: Sanija Doliqanin, vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [Rev.nr.552/2020] të Gjykatës Supreme të 21 marsit 2022

KI145/22, Aktvendim për papranueshmëri i 13 shkurtit 2024, publikuar më 13 mars 2024

Fjalët kyç: kërkesë individuale, mbrojtja e pronës, e drejta në profesion, kërkesë e papranueshme    

Nga shkresat e lëndës rezulton se esenca e këtij rasti ndërlidhet me padinë e paraqitur nga parashtruesja e kërkesës  kundër të paditurës Komuna e Pejës, me të cilën ka kërkuar që të konfirmohet se parashtruesja e kërkesës e ka të drejtën e shfrytëzimit të përhershëm mbi parcelat kadastrale 245/22, 23 dhe 24, lokacioni nr.5, në sipërfaqe prej 28m2, gjithashtu edhe që e paditura Komuna e Pejës të obligohet që t’i dorëzoje asaj në shfrytëzim të papenguar dhe të përhershëm sipërfaqen e lartpërmendur, si dhe që e njëjta të obligohet për kompensimin e dëmit material dhe jo-material. Gjykata Themelore e refuzoi të pabazuar kërkesëpadia e parashtrueses së kërkesës. Gjykata Themelore kishte theksuar se e paditura Komuna e Pejës nuk e ka ekzekutuar shpronësimin e sipërfaqes prej 28m2 në parcelën e kontestuar, sepse e njëjta nuk ka qenë asnjëherë në pronësi private të parashtrueses së kërkesës, por vetëm i është dhënë parashtrueses së kërkesës në shfrytëzim për ndërtimin e objektit, dhe në rastin konkret nuk kemi të bëjmë me shpronësimin e pronës private. Parashtruesja e kërkesës paraqiti ankesë në Gjykatën e Apelit duke pretenduar shkelje së dispozitave të procedurës kontestimore, vërtetim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe aplikim të gabuar të së drejtës materiale. Gjykata e Apelit e refuzoi të pabazuar ankesën e parashtrueses së kërkesës dhe e vërtetoi vendimin e Gjykatës Themelore. Parashtruesja e  kërkesës paraqiti revizion në Gjykatën Supreme duke pretenduar aplikim të gabuar të së drejtës materiale, propozim që aktgjykimi i Gjykatës së Apelit të ndryshohet apo shfuqizohet dhe çështja t’i kthehet gjykatës së shkallës së parë në rivendosje. Gjykata Supreme e refuzoi të pabazuar revizionin e parashtrueses së kërkesës të paraqitur kundër vendimit të Gjykatës së Apelit. Gjykata Supreme miratoi konstatimet e gjykatave të instancës më të ulët dhe se theksoi nuk ka shkelje të së drejtës procedurale dhe materiale.

Në procedurë në Gjykatën Kushtetuese, parashtruesja e kërkesës pretendoi se me vendimet e kontestuara të komunës së Pejës dhe të gjykatave të rregullta, nenet 46 dhe 49 të Kushtetutës janë cenuar në dëm të saj mirëpo pa argumentuar në substancë se si janë cenuar nenet në fjalë të Kushtetutës. Në kontekst të së drejtës për ushtrim të profesionit, parashtruesja e kërkesës po ashtu ishte ankuar se autoritetet franceze nuk ia kishin njohur diplomën e juristit.

Në vlerësimin e të gjitha pretendimeve të lartpërmendura të parashtruesit  të kërkesës, se gjykata e rregullta shpjeguan të gjitha çështjet qendrore të rastit konkret: (i) prona e kontestuar nuk është private por është regjistruar si pronë nën regjimin shoqëror; (ii) parashtruesja e kërkesës ka fituar të drejtën e shfrytëzimit të pronë së kontestuar por jo edhe pronësinë ndaj saj; (iii) parashtruesja e kërkesës ka mundur ta parashtrojë padinë lidhur me dëmin e pësuar gjatë shfrytëzimit të pronës së kontestuar mirëpo jo në kontekst të pretendimit të pronësisë; (iv) Gjykata Supreme ka vlerësuar se gjykatat e instancës më të ulët kanë vepruar drejtë kur kanë shqyrtuar padinë mbi bazat që e kishte parashtruar vetë parashtruesja e kërkesës.

Lidhur me pretendimin për mos njohje të diplomës së juristit nga autoritetet franceze, Gjykata vlerëson se ky pretendim nuk ndërlidhet me veprimet e autoriteteve publike në Kosovë, siç përcaktohet me nenin 113 (7) të Kushtetutës, nenin 47 (1) të Ligjit dhe rregullit 34 (3) (b) të Rregullores së punës dhe rrjedhimisht nuk është ratione materiae në pajtim me Kushtetutën.

Për pasojë dhe bazuar në sqarimet e dhëna në Aktvendimin e publikuar, Gjykata konkludoi se pretendimet  e parashtrueses së kërkesës për shkelje neneve 46 dhe 49 të Kushtetutës, janë qartazi të pabazuar në baza kushtetuese, siç specifikohet në rregullat 34 (2) dhe 34 (3) (b) të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

Sanija Doliqanin

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile