KI103/24, Parashtrues: Sylejman Zeneli, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [Rev.nr.485/2022] të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, të 5 janarit 2023
KI103/24, Aktgjykim i 11 shtatorit 2024, publikuar më 24 shtator 2024
Fjalët kyç: kërkesë individuale, paga përcjellëse pas pensionimit, e drejta për gjykim të drejtë, zbatim i gabuar apo arbitrar i ligjit
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, më 11 shtator 2024, ka vendosur lidhur me kërkesën KI103/24, nëpërmjet së cilës është kërkuar vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [Rev.nr.485/2022] të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, të 5 janarit 2023. Gjykata, njëzëri (i) deklaroi se kërkesa është e pranueshme; (ii) konstatoi se ka pasur shkelje të paragrafit 1 të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës në ndërlidhje me paragrafin 1 të nenit 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut; dhe (iii) shpalli të pavlefshëm Aktgjykimin [Rev.nr.485/2022] të Gjykatës Supreme, të 5 janarit 2023, si dhe të ktheu të njëjtin për rishqyrtim në pajtim me Aktgjykimin e kësaj Gjykate.
Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me marrëdhënien e punës që parashtruesi i kërkesës kishte me Limak Kosovo International Airport “Adem Jashari” J.S.C, në pozitën e Menaxherit të Sigurimit, nga viti 2002. Bazuar në shkresat e lëndës, në vitin 2012, “Limak Kosova” ia kishte ndërprerë parashtruesit të kërkesës marrëdhënien e punës me pretendimin se i njëjti ka dështuar në përmbushjen e detyrave të përcaktuara në kontratën e tij të punës. Pas kontestimit të këtij vendimi nga ana e parashtruesit të kërkesës, Gjykata Themelore, nëpërmjet Aktgjykimit [C.nr.412/2015], aprovoi padinë e parashtruesit të kërkesë, duke urdhëruar kthimin në vendin e punës dhe kompensimin e pagave të humbura. Ky Aktgjykim ishte vërtetuar nëpërmjet Aktgjykimit [AC.nr.1276/17] të 20 korrikut 2020 të Gjykatës së Apelit dhe Aktgjykimit [Rev.nr. 508/2020] të 26 prillit 2021, të Gjykatës Supreme. Si rezultat, sipas parashtruesit të kërkesës, ai ishte kompensuar për pagat e humbura deri në moshën e pensionimit të tij, në vitin 2017.
Megjithatë, duke marrë parasysh që në vitin 2017 parashtruesi i kërkesës kishte arritur moshën e pensionimit, ai kishte parashtruar padinë e dytë ndaj “Limak Kosova”, duke kërkuar kompensimin e tri (3) pagave përcjellëse të pensionimit, dhe të dy (2) pagave jubilare bazuar në Marrëveshjen e Përgjithshme Kolektive, e cila ishte në fuqi nga 1 janari 2015 deri më 31 dhjetori 2017. Gjykata Themelore, nëpërmjet Aktgjykimit [C.nr.312/2019] të 20 janarit 2020, refuzoi si të pabazuar padinë e parashtruesit të kërkesës, me arsyetimin se të njëjtit: (i) nuk i takon shpërblimi jubilar, pasi që në kohën kur ai kishte arritur vitin jubilar në vitin 2012, Marrëveshja e Përgjithshme Kolektive, nuk ishte në fuqi; ndërsa për sa i përket (ii) kompensimit të pagave përcjellëses të pensionimit si rezultat i daljes në pension, parashtruesi i kërkesës në momentin e pensionimit nuk kishte qenë në marrëdhënie të punës tek “Limak Kosova”. Aktgjykimi i Gjykatës Themelore ishte vërtetuar nëpërmjet Aktgjykimit [Ac.nr.4626/20] të 16 shtator 2022 të Gjykatës së Apelit dhe Aktgjykimit të kontestuar [Rev.nr.485/2022] të 5 janarit 2023 të Gjykatës Supreme.
Parashtruesi i kërkesës para Gjykatës kontestoi Aktgjykimin [Rev.nr.485/2022] e 5 janarit 2023 të Gjykatës Supreme, që ndërlidhej me padinë e dytë, përkatësisht kërkesën për kompensimin e tri (3) pagave përcjellëse pas pensionimit dhe të dy (2) pagave jubilare, duke pretenduar shkeljen e të drejtave të tij të garantuara me nenet 7 [Vlerat], 24 [Barazia para Ligjit], 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] dhe 55 [Kufizimi i të Drejtave dhe Lirive Themelore] të Kushtetutës, si dhe paragrafin 1 të nenit 6 [E drejta për një proces të rregullt] të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Në vlerësimin e pretendimeve të parashtruesit të kërkesës, Gjykata fillimisht (i) shtjelloi parimet e përgjithshme të praktikës së saj gjyqësore dhe asaj të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, përkitazi me interpretimin dhe zbatimin e gabuar dhe arbitrar të ligjit, sipas së cilave Gjykata Kushtetuese mund të bëjë vlerësimin e interpretimeve dhe zbatimit të ligjeve nga ana e gjykatave të rregullta vetëm përjashtimisht dhe atë vetëm nëse ato interpretime mund të kenë rezultuar në konkluzione arbitrare ose qartazi të paarsyeshme; dhe më pas (ii) i aplikoi të njëjtat në rrethanat e rastit konkret. Sipas sqarimeve të dhëna në Aktgjykim, në lidhje me refuzimin e padisë së parashtruesit të kërkesës që ndërlidhet me kërkesën për kompensimin e tri (3) pagave përcjellëse pas pensionimit, Gjykata vërejti se Gjykata Supreme duke u thirrur në nenin 53 (Kompensimi në rast të pensionimit) të Marrëveshjes së Përgjithshme Kolektive, që përcakton se “i punësuari, me rastin e pensionimit, gëzon të drejtën në pagesën përcjellëse në lartësi prej tri (3) paga mujore, që i ka marrë për tre (3) muajt të fundit”, vlerësoi se parashtruesi i kërkesës nuk i takon kjo e drejtë pasi ai nuk ka kryer në mënyrë efektive punët dhe detyrat e punës te i padituri në tre muajt e fundit para pensionimit, dhe nuk ka realizuar të ardhura mujore tek i padituri. Lidhur me këtë, Gjykata vlerësoi se neni 53 (Kompensimi në rast të pensionimit) i Marrëveshjes së Përgjithshme Kolektive, në rrethanat e rastit konkret, është interpretuar në mënyrë të shkëputur, duke shpërfillur faktin se parashtruesi i kërkesës kishte vendim të formës së prerë për kthim në vendin e punës, dhe se për këtë arsye i njëjti nuk mund të punonte efektivisht tek punedhesit deri në ditën e pensionimit të tij. Si pasojë, Gjykata vlerësoi se interpretimi i nenit 53 (Kompensimi në rast të pensionimit) të Marrëveshjes së Përgjithshme Kolektive nga Gjykata Supreme, në rrethanat e rastit konkret, ka rezultuar në konkluzione arbitrare për parashtruesin e kërkesës, në kundërshtim me të drejtën për gjykim të drejtë të garantuar me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, në ndërlidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Ndërsa sa i përket të drejtës për pagesën e dy (2) pagave jubilare, Gjykata, bazuar në ligjin e aplikueshëm dhe në praktikën e saj gjyqësore përkitazi me raste të tilla, pretendimet e parashtruesit të kërkesë për shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë, si rezultat i mos akordimit të pagave jubilare, i vlerësoi si të pabazuara, pasi duke pasur parasysh që ai ishte punësuar tek “Limak Kosova” në vitin 2002, viti jubilar në rastin e tij ishte përmbushur në vitin 2012, në periudhën kur në Kosovë nuk ka ekzistuar kontrata kolektive.
Sylejman Zeneli
KI - Kërkesë individuale
Aktgjykim
Shkelje e të drejtave kushtetuese
Neni 7 – Vlerat, Neni 24 - Barazia para Ligjit, Neni 31 - E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm , Neni 54 - Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave, Neni 55 - Kufizimi i të Drejtave dhe Lirive Themelore
Civile