KI271/23, Parashtrues Adem Hoti, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit Rev.nr.362/22, të 4 prillit 2023, të Gjykatës Supreme të Kosovës
KI271/23, Aktvendim për Papranueshmëri, i 21 marsit 2023, publikuar më xx xx 2023
Fjalët kyçe: kërkesë individuale, kompensim dëmi, kërkesë e pasafatshme
Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës kundër Drejtorisë për Arsim të Komunës së Podujevës për kompensim të dëmit, për shkak të moszbatimit të Ujdisë Gjyqësore, përmes së cilit kjo e fundit u detyrua që parashtruesit të kërkesës: (i) t’ia paguajë pagat për muajt korrik, gusht, tetor, nëntor, dhjetor dhe janar 2013. Kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës, fillimisht, Gjykata Themelore me aktvendim e hodhi poshtë si të palejueshme, ndërsa Gjykata e Apelit sipas ankesës së parashtruesit të kërkesës: (i) e aprovoi ankesën e tij; (ii) prishi aktvendimin e lartcekur të Gjykatës Themelore; si dhe (iii) ktheu lëndën në rishqyrtim dhe rivendosje në gjykatën e shkallës së parë. Pas procedurës së rishqyrtimit, kërkesëpadia e parashtruesit të kërkesës u refuzua si e pabazuar, i cili aktgjykim u vërtetua nga Gjykata e Apelit. Parashtruesi i kërkesës paraqiti revizion në Gjykatën Supreme, por e njëjta, më 4 prill 2023, me aktgjykim e refuzoi si të pabazuar revizionin e parashtruesit të kërkesës.
Parashtruesi i kërkesës, si pretendim kryesor para Gjykatës Kushtetuese ngrit shkeljen e të drejtave, të garantuara me nenet 31 [E Drejta në Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] dhe 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës, respektivisht, si rezultat i moszbatimit të ujdisë gjyqësore.
Gjykata vlerësoi që objekt i çështjes është vlerësimi i Aktgjykimit [Rev.nr.362/22], të 4 prillit 2023, të Gjykatës Supreme, të cilin, sipas fletë-kthesës së dorëzuar në Gjykatë nga Gjykata Themelore, vërtetohet që parashtruesi i kërkesës e ka pranuar më 10 maj 2023. Parashtruesi i kërkesës e ka dorëzuar kërkesën e tij në Gjykatë më 8 dhjetor 2023, më shumë se 5 (pesë) muaj pas pranimit të aktit të kontestuar.
Rrjedhimisht, Gjykata duke u bazuar në praktikën gjyqësore të saj dhe të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, konstatoi se kërkesa e parashtruesit të kërkesës është dorëzuar pas afatit ligjor prej 4 (katër) muajve të përcaktuar me Ligj dhe Rregullore të punës, dhe rrjedhimisht është e papranueshme për shqyrtim.
Adem Hoti
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është paraqitur pas afatit
Civile