Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit Rev. nr. 263/23 të Gjykatës Supreme të Kosovës të 12 korrikut 2023

Nr. të lëndës KI238/23

Parashtruesit: Simon Raja, Elvane Qafani, Elvane Imeraj dhe Arjeta Marku-Metaj

Shkarko:

KI238/23, Parashtrues:  Simon Raja, Elvane Qafani, Elvane Imeraj dhe Arjeta Marku-Metaj, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit Rev. nr. 263/23 të Gjykatës Supreme të Kosovës të 12 korrikut 2023

KI238/23, Aktvendim për papranueshmëri i 1 tetorit 2024, publikuar më 18 tetor 2024

Fjalët kyç: kërkesë individuale, e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, kontratë e punës,  kërkesë e papranueshme   

Nga shkresat e lëndës rezulton se se esenca e këtij rasti ndërlidhet se faktin se  punëdhënësi spitali rajonal “Isa Grezda” në Gjakovë përkatësisht pala e paditur u kishte mohuar parashtruesve të kërkesës ngritjen e koeficientit (si bazë e përcaktimit të të ardhurave prej 4.8 në 5.4, siç iu paguhet të gjitha qendrave tjera shëndetësore të Kosovës, në QKUK-Shërbimet e Kujdesit Intensiv Kirurgjik. Parashtruesit e kërkesës paraqitën kërkesë tek komisioni për verifikimin e koeficientit të të ardhurave personale dhe tek Ministria e Shëndetësisë, mirëpo nuk morën përgjigje. Parashtruesit e kërkesës paraqitën padi në Gjykatën Themelore  kundër palës së paditur ashtu që e njëjta t’iu pranoj ngritjen-rregullimin e koeficientit të pagës nga 4.8 në 5.4 si bazë e të ardhurve personale dhe që secilit parashtrues të kërkesës t’ia kompensojë shumën prej 37.18 euro në muaj duke filluar nga data 01.08.2018 e tutje. Gjykata Themelore miratoi kërkesëpadinë e parashtruesve të kërkesës dhe detyroi palën e paditur që parashtruesve të kërkesës t’iu pranoj ngritjen-rregullimin e koeficientit të pagës nga 4.8 në 5.4 si bazë e të ardhurve personale dhe që secili prej tyre të kompensohet me shumën që iu takon. Pala e paditur parashtroi ankesë në Gjykatën e Apelit duke pretenduar shkelje esenciale të dispozitave të procedurale, vërtetim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe zbatim të gabuar të së drejtës materiale, me propozim që kërkesëpadia e parashtruesve të kërkesës të refuzohet në tërësi. Gjykata e Apelit aprovoi të bazuar ankesën e palës së paditur dhe ndryshoi aktgjykimin e shkallës së parë dhe refuzoi në tërësi kërkesëpadinë e parashtruesve të kërkesës. Parashtruesit e kërkesës paraqitën revizion në Gjykatën Supreme duke pretenduar shkelje thelbësore të dispozitave të procedures kontestimore dhe zbatim të gabuar të së drejtës materiale, me propozim që të ndryshohet aktgjykimi i gjykatës së shkallës së dytë dhe të refuzohet ankesa e palës së paditur duke e vërtetuar aktgjykimin e gjykatës së shkallës së parë. Gjykata Supreme refuzoi të pabazuar revizionin e parashtruesve të kërkesës Simon Raja, Elvane Qafani dhe Elvane Imeraj të paraqitur kundër aktgjykimit të gjykatës së shkallës së dytë, ndërsa revizioni i parashtrueses së kërkesës Arjeta Metaj-Marku, kundër të njëjtit aktgjykim, e hodhi të palejuar. Gjykata Supreme vlerësoi se parashtruesit e kërkesës dhe pala e paditur, kanë lidhur me vullnetin e tyre të ndërsjellë edhe kontratat e punës me çka, mes tjerash, kanë themeluar marrëdhënien e punës, ashtu që parashtruesit e kërkesës me vullnetin e tyre kanë pranuar kushtet e përcaktuara, përfshirë edhe pagën.

Në procedurë në Gjykatën Kushtetuese, parashtruesit e kërkesës në përgjithësi përshkruan procedurat e zhvilluara  pranë gjyqësorit të rregullt dhe se vetëm nominalisht pretenduan se aktgjykimi i kontestuar i Gjykatës Supreme shkel të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me nenet 24 [Barazia para Ligjit],  31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], 46 [Mbrotja e Pronës] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut si dhe nenin 1 (Mbrotja e pronës) të Protokollit Nr.1 të Konventës Evropiane të Drejtave të Njeriut.

Në vlerësimin e pretendimeve të parashtruesve të kërkesës, Gjykata vlerëson se në procedurën zhvilluar sipas revizionit: (i) Gjykata Supreme mbi bazën e dispozitave përkatëse materiale të Ligjit të punës ka vlerësuar se parashtruesit të kërkesës  me vullnetin e tyre kanë lidhur kontratë pune me palën e paditur dhe janë pajtuar me të gjitha kushtet  e përcaktuara në kontratë përfshitë dhe koeficientin e pagës; (ii) Gjykata Supreme kishte theksuar se kontrata e punës së parashtruesve të kërkesës  po ashtu ishte zbatuar nga pala e paditur në pajtim me dispozitat përkatëse të Ligjit të Punës dhe LMD-së; (iii) Gjykata Supreme po ashtu kishte konstatuar se njëri nga parashtruesit e kërkesës nuk i plotëson kushtet për të paraqitur revizion në pajtim me dispozitat përkatëse të LPK-së.

Për pasojë dhe bazuar në sqarimet e dhëna në Aktvendimin e publikuar, Gjykata konkludoi se pretendimet  e parashtruesve të kërkesës për shkelje të të drejtave dhe lirive themelore siç garantohen me nenet 24 dhe 31 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës në lidhje me nenet 6 (1) dhe 14 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, janë pretendime “të pambështetura apo të paarsyetuara” dhe duhet të  refuzohen  qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, siç specifikohet në rregullin  34 (2) të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

Simon Raja, Elvane Qafani, Elvane Imeraj dhe Arjeta Marku-Metaj

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Administrative