Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [Rev.nr.243/22] të Gjykatës Supreme të 17 tetorit 2022

Nr. të lëndës KI59/23

Parashtruesit: Fehmi Grajçevci

Shkarko:

KI59/23, Parashtrues: Fehmi Grajçevci, vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [Rev.nr.243/22] të Gjykatës Supreme të 17 tetorit 2022     

KI59/23, Aktvendim për papranueshmëri i 30 gushtit 2023, publikuar më 2 tetor 2023

Fjalët kyç: kërkesë individuale, e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, pagat jubilare, barazia para ligjit, mjeti efektiv juridik, kërkesë e papranueshme    

Nga shkresat e lëndës rezulton se esenca e këtij rasti ka të bëjë me padinë që parashtruesi i kërkesës parashtroi për kompensim të pagave për shpërblim jubilar, kundër KEK-ut, si rezultat i mos-njohjes së kësaj të drejte nga ana e KEK-ut. Parashtruesi i kërkesës, mbështetet në MPKK si bazë ligjore për realizimin e kësaj të drejte, dhe njëherësh pretendon se plotëson të gjitha kriteret e përcaktuara nga ky akt për shpërblim jubilar. Nga ana tjetër, KEK pretendon se padia e parashtruesit të kërkesës është e paafatshme, pasi që kanë kaluar më shumë se tre (3) vite nga momenti që parashtruesi ka fituar të drejtën për të kërkuar kompensimin e shpërblimit jubilar. Gjykata Themelore aprovoi kërkesëpadinë e parashtruesit dhe detyroi të paditurën KEK që t’ia paguaj tre (3) paga mujore në emër të shpërblimit jubilar. Pala e paditur KEK, parashtroi  ankesë në Gjykatën e Apelit duke pretenduar shkelje esenciale të dispozitave të LPK-së, vërtetim jo të plotë të gjendjes faktike dhe aplikimit të gabuar të së drejtës materiale, me propozimin që të aprovohet ankesa dhe të ndryshohet vendimi i shkallës së parë. Gjykata e Apelit miratoi konstatimet e gjykatës së shkallës së parë, duke vlerësuar se qëndrimi dhe përfundimi juridik ishin të drejtë dhe ligjshëm. Sipas Gjykatës së Apelit, Aktgjykimi i atakuar nuk shkelë dispozitat themelore të procedurës kontestimore dhe se e drejta materiale është zbatuar drejtë. Pala e paditur KEK paraqiti revizion kundër vendimit të Gjykatës së Apelit, për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të LPK-së dhe zbatimit të gabuar të së drejtës materiale. Gjykata Supreme pranoi revizionin e KEK-ut dhe ndryshoi vendimet e gjykatave të instancës më të ulët, duke refuzuar në tërësi kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës. Gjykata Supreme konkludoi se në bazë të dispozitave relevante ligjore, padia e parashtruesit të kërkesës është në tërësi e pabazuar, pasi që nga momenti që ky i fundit ka fituar të drejtën për të kërkuar kompensimin e shpërblimit jubilar, kanë kaluar saktësisht 3 vite, 1 muaj e 13 ditë, çfarë do të thotë padia është e parashkruar.

Në procedurë në Gjykatën Kushtetuese, parashtruesi i kërkesës në thelb pretendoi shkelje të nenin 24 [Barazia para Ligjit] të Kushtetutës, të së drejtës së përgjithshme për gjykim të drejtë dhe të paanshëm që garantohet me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës, të drejtës për mjete juridike nga neni 32 [E Drejta për Mjete Juridike] i Kushtetutës, mbrojtjes gjyqësore së të drejtave nga neni 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] i Kushtetutës dhe parimeve të përgjithshme të sistemit gjyqësor nga neni 102 [Parimet e Përgjithshme të Sistemit Gjyqësor] i Kushtetutës në ndërlidhje me nenet 6 (E drejta për një proces të rregullt) dhe 13 (E drejta për zgjidhje efektive) të KEDNJ-së. Parashtruesi i kërkesës pohoi se në rastin e tij: (i) i është pamundësuar që të merr një përgjigje përfundimtare nga gjykatat sa i përket meritave të rastit; (ii) i është cenuar parimi i barazisë së armëve dhe administrimit të drejtë të drejtësisë.

Në vlerësimin e pretendimeve të parashtruesit  të kërkesës, Gjykata vlerësoi se Gjykata Supreme: (i) ka dhënë një arsyetim gjithëpërfshirës të të gjitha çështjeve qendrore të çështjes së parashtruesit të kërkesës çka lë të kuptohet se parashtruesit i është ofruar një arsyetim dhe i është mundësuar paraqitja e argumenteve kundrejt palës së paditur; (ii) ka analizuar gjendjen faktike dhe të gjitha provat relevante, rrjedhimisht konkludoi se gjykatat e instancës më të ulët gabimisht kanë zbatuar të drejtën materiale; (iii) ka arsyetuar qëndrimin e saj lidhur me mos-pranimin e konstatimeve të gjykatave të instancës më të ulët, duke sqaruar se edhe pse MPKK ka qenë në fuqi në momentin kur parashtruesi ka arritur vitin jubilar, i njëjti padinë e ka parashtruar pas afatit që përcaktohet nga dispozitat relevante të cituara në aktgjykimin e kontestuar.

Në vlerësimin e pretendimeve për mjet efektiv juridik dhe diskriminim, Gjykata vlerësoi se Gjykata Supreme dhe ka përmbushur kushtin e mjetit efektiv juridik siç kuptohet me nenin 32 të Kushtetutës dhe nenin 13 të KEDNJ-së dhe se parashtruesi i kërkesës po ashtu nuk ka provuar pretendimin e tij për diskriminim.

Për pasojë dhe bazuar në sqarimet e dhëna në Aktvendimin e publikuar, Gjykata konkludoi se pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje të neneve 24 [Barazia para Ligjit], 31[E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], 32 [E Drejta për Mjete Juridike] dhe 54[Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës në lidhje me dhe nenet 6 (1) (E drejta për një proces të rregullt), 13 (E drejta për zgjidhje efektive) dhe 14 (Ndalimi i diskriminimit) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, siç specifikohet në rregullin 34 (2) të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

Fehmi Grajçevci

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile