Aktgjykim

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit Rev.nr. 239/2019, të 26 nëntorit 2020, të Gjykatës Supreme të Kosovës

Nr. të lëndës KI 19/21

Parashtruesit: Sadik Pllana

Shkarko:

KI19/21, Parashtrues: Sadik Pllana, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit Rev.nr. 239/2019, të 26 nëntorit 2020, të Gjykatës Supreme të Kosovës

KI19/21 Aktgjykim i 18 korrikut 2022, publikuar më 17 gusht 2022

Fjalët kyç: kërkesë individuale, gjykim brenda afatit të arsyeshëm, efektet e aktgjykimit, parashkrimi i kërkesëpadisë, kërkesë e pranueshme

Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me një padi për kompensim të dëmit, të cilën parashtruesi i kërkesës e kishte ngritur kundër Ministrisë Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë në vitin 2000,  pas lëndimeve trupore që kishte pësuar në vendin e punës në objektin e Shkollës Fillore “Enver Hadri” në Smrekonicë të Vushtrrisë. Që nga padia fillestare, përkitazi me këtë rast, janë zhvilluar dy procedura të ndryshme gjyqësore përgjatë njëzet viteve. Më saktësisht, padia e parë e parashtruesit të kërkesës kishte përfunduar me Aktvendimin [Rev.nr.97/2004] e 25 janarit 2005 të Gjykatës Supreme dhe përmes të cilit ishte konstatuar se padia e parashtruesit të kërkesës është e palejuar për shkak se Ministrisë së Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë i mungon legjitimiteti pasiv procedural. Ndërsa, padia e dytë e parashtruesit të kërkesës, e ngritur në vitin 2006, me të njëjtin objekt kontesti por kësaj radhe kundër Shkollës Fillore “Enver Hadri”, pas tri vendimeve të Gjykatës Komunale, respektivisht Themelore, dhe tri vendimeve të Gjykatës së Apelit, përfundimisht kishte përfunduar përmes Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të vitit 2020 dhe sipas të cilit, ndër tjerash, padia e parashtruesit të kërkesës është e pasafatshme për shkak të afateve të parashkrimit. Parashtruesi i kërkesës para Gjykatës kontestoi konstatimet e Gjykatës Supreme, duke pretenduar, ndër tjerash, se (i) gjykatat e rregullta kishin zbatuar dhe interpretuar në mënyrë arbitrare ligjin lidhur me parashkrimin e kërkesëpadisë së tij; dhe (ii) çështja e tij nuk është gjykuar brenda një afati të arsyeshëm në kundërshtim me garancitë e së drejtës për një gjykim të drejtë dhe të paanshëm të përcaktuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës dhe nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Përkitazi me pretendimin e parashtruesit të kërkesës për interpretimin qartazi të gabuar ose arbitrar të ligjit nga gjykatat e rregullta lidhur me parashkrimin e kërkesëpadisë, Gjykata konstatoi se nuk ka pasur shkelje të së drejtës për një gjykim të drejtë të garantuar me nenin 31 [E Drejta për një Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në lidhje me paragrafin 1 të nenit 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, sepse bazuar në arsyetimet e dhëna nga gjykatat e rregullta, parashtruesi i kërkesës nuk kishte paraqitur kërkesëpadinë e tij në pajtim me afatet e përcaktuara me dispozitat përkatëse të Ligjit për Marrëdhëniet e Detyrimeve të vitit 1978. Megjithatë, Gjykata, konstatoi se tejzgjatja e procedurave gjyqësore në rrethanat e rastit konkret, kishte rezultuar në shkelje të neneve të lartcekura.

Më saktësisht, në vlerësimin e pretendimit të parashtruesit të kërkesës se çështja e tij nuk është vendosur brenda një afati të arsyeshëm, Gjykata fillimisht shtjelloi parimet e përgjithshme të praktikës së saj gjyqësore dhe të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, dhe më pas i aplikoi të njëjtat në rrethanat e rastit konkret. Gjykata theksoi se sipas këtyre parimeve, përllogaritja e shtrirjes në kohë të procedurave fillon në momentin kur gjykata kompetente vihet në lëvizje me kërkesë të palëve për vendosjen e një të drejte apo interesi legjitim të pretenduar dhe vazhdon deri në nxjerrjen dhe zbatimin e një vendimi gjyqësor përfundimtar nga një instancë kompetente gjyqësore e fundit. Ndërsa, arsyeshmëria e kohëzgjatjes së procedurës duhet të vlerësohet në dritën e rrethanave të rastit, bazuar në: (i) ndërlikueshmërinë e rastit; (ii) sjelljen e palëve në procedurë; (iii) sjelljen e gjykatës kompetente ose autoriteteve të tjera publike; si dhe (iv) rëndësinë e asaj çfarë rrezikon parashtruesi i kërkesës në kontest.

Lidhur me periudhën që duhet të merret parasysh në rastin konkret, Gjykata së pari sqaroi se ajo nuk mund të marrë parasysh periudhën kohore lidhur me padinë e parë pasi e njëjta është inicuar nga parashtruesi i kërkesës më 2 nëntor 2000 dhe procedurat rreth saj kanë përfunduar më 25 janar 2005, përkatësisht, para se të hyjë në fuqi Kushtetuta e Republikës së Kosovës më 15 qershor 2008 dhe se ajo nuk mund të vlerësojë kushtetutshmërinë e akteve juridike para hyrjes në fuqi të Kushtetutës. Rrjedhimisht, Gjykata vlerësoi se periudha që duhet marrë parasysh në lidhje me pretendimin e parashtruesit të kërkesës për vendosjen e rastit të tij brenda një periudhe të arsyeshme, llogaritet nga data e parashtrimit të padisë së dytë, përkatësisht më 18 prill 2006 e deri në vendimin e fundit lidhur me padinë e parashtruesit të kërkesës, përkatësisht Aktgjykimin [Rev.nr. 239/2019] të 26 nëntorit 2020 i Gjykatës Supreme. Ndërsa, në aplikimin e kritereve përkitazi me arsyeshmërinë e tejzgjatjes së procedurave, Gjykata fillimisht konstatoi se rasti konkret (i) nuk ka qenë i ndërlikuar sepse gjykatat e rregullta thjeshtë kanë aplikuar dhe interpretuar dispozitat e ligjit të aplikueshëm përkitazi me afatshmërinë dhe parashkrimin e kërkesëpadisë përkatëse; (ii) parashtruesi i kërkesës, nuk ka kontribuar në tejzgjatjen e procedurës përmes veprimeve të tij dhe vetëm ka ndjekur hapat procedural për realizimin e të drejtës së tij për kompensim të dëmit që e kishte pësuar në vendin e punës; kurse (iii) gjykatave të rregullta iu është dashur më shumë se katërmbëdhjetë vite për të konstatuar me vendim të formës së prerë nëse kërkesëpadia e parashtruesit të kërkesës është parashkruar ose jo. Marrë parasysh aplikimin kumulativ të kritereve të lartcekura, Gjykata konstatoi se, në rrethanat e rastit përkatës, kohëzgjatja e procedurës, nuk mund të konsiderohet e arsyeshme dhe se, për pasojë, ka pasur shkelje të paragrafit 2 të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me paragrafin 1 të nenin 6 të Konventës Evropiane të Drejtat e Njeriut, përkitazi me të drejtën për një gjykim të drejtë brenda një afati të arsyeshëm.

 Në fund, marrë parasysh konstatimin e Gjykatës se Aktgjykimi i kontestuar i Gjykatës Supreme ishte nxjerrë vetëm në shkelje të së drejtës për një vendim gjyqësor brenda një afati të arsyeshëm kohor, Gjykata nuk shfuqizoj të njëjtin. Gjykata gjithashtu sqaroi që ajo nuk ka kompetencën e akordimit të kompensimit, por që bazuar në praktikën e saj gjyqësore, parashtruesi i kërkesës mund të shfrytëzoj mjetet juridike në dispozicion sipas legjislacionit në fuqi, për realizimin e mëtejmë të të drejtave të tij, duke përfshirë edhe të drejtën për të kërkuar kompensimin e dëmit material dhe jo-material, si rezultat i shkeljes së të drejtës dhe të paanshëm brenda një afati të arsyeshëm të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës dhe nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Parashtruesit:

Sadik Pllana

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktgjykim

Shkelje e të drejtave kushtetuese

Neni 31 - E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Administrative