Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit Rev.nr.202/2022  të Gjykatës Supreme të 12 tetorit 2022

Nr. të lëndës KI196/22

Parashtruesit: Arsim Murtezi

Shkarko:

KI196/22, Parashtrues: Arsim Murtezi, vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit Rev.nr.202/2022  të Gjykatës Supreme të 12 tetorit 2022

KI196/22, Aktvendim për papranueshmëri i 30 janarit 2024, publikuar më 18 mars 2024

Fjalët kyç: kërkesë individuale, e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, e drejta në pronë, ndalimi i diskriminimit, kërkesë e papranueshme   

 Nga shkresat e lëndës rezulton se esenca e këtij rasti ndërlidhet me padinë që parashtruesi i kërkesës e kishte paraqitur kundër palëve të treta lidhur me pronën kontestuese që ai pretendonte se e ka trashëguar nga paraardhësi i tij Ali Murtezi, ndërsa prona në fjalë ishte regjistruar në librat kadastral në emër të palës së paditur Hasan Murtezi. Ndërkohë, pala e paditur Hasan Murtezi,  kishte lidhur marrëveshje për investim të përbashkët me dy kompani ndërtimore, të cilat po ashtu ishin paditur nga parashtruesi i kërkesës.  Nga padia e paraqitur nga parashtruesi i kërkesës më 2011, procedurat janë zhvilluar në gjykatën komunale dhe gjykatën e apelit por që përfunduan më 2015 me prishje të vendimeve të këtyre gjykatave nga Gjykata Supreme e cila çështjen e ktheu për rigjykim tek gjykata themelore. Gjykata Supreme kishte konstatuar se për shkak të shkeljeve thelbësore, tani për tani gabimisht është zbatuar e drejta materiale nga neni 40.1 të Ligjit për pronësi dhe të drejta tjera sendore (LPDTS), për faktin se nga ana e gjykatave të shkallës më të ulët nuk janë dhënë arsye bindëse lidhur me mirëbesimin e posedimit të paditurit Hasan Murtezi,  përkitazi me ngastrën kontestuese. Më 2015 në ri-procedurë Gjykata Themelore e refuzoi kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës mirëpo më 2017, Gjykata e Apelit e prishi vendimin e gjykatës themelore dhe ktheu çështjen për rigjykim. Gjykata e Apelit vlerësoi se qëndrimi juridik i gjykatës themelore  është i  pabazuar në ligj dhe i padrejtë, sepse gjykata e shkallës së parë në këtë rast nuk ka hapur shqyrtim për faktet kontestuese, për të cilat i ka sugjeruar Gjykata Supreme. Më 2018 në ri-procedurë gjykata themelore e refuzoi kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës dhe i njëjti vendim më vonë u vërtetua edhe nga Gjykata e Apelit dhe Gjykata Supreme e cila e refuzoi revizionin e parashtruesit të kërkesës dhe vërtetoi vendimet e gjykatave të instancës më të ulët. Gjykata Supreme konstatoi se pretendimet e revizionit u refuzuan në tërësi si të pa bazuara, ngase në njërën anë, të njëjtat ishin paraqitur edhe në ankesë por edhe në procedurën e zhvilluar në shkallë të parë dhe për të njëjtat të dy gjykatat kanë dhënë arsye dhe vlerësim të pranueshëm edhe për gjykatën e revizionit.

Në procedurë në Gjykatën Kushtetuese, parashtruesi i kërkesës ngriti pretendime për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 6 të KEDNJ-së për shkak të vendimeve të paarsyetuara dhe akordimit jo të drejtë të fuqisë provuese të provave nga gjykatat e rregullta. Parashtruesi i kërkesës po ashtu pretendoi se atij i është cenuar dinjiteti personal dhe barazia para ligjit duke pasur parasysh mënyrën sesi është zhvilluar dhe ka përfunduar kjo mosmarrëveshje pronësore.

Në vlerësimin e të gjitha pretendimeve të lartpërmendura të parashtruesit  të kërkesës, Gjykata konstatoi se Gjykata e Apelit dhe Gjykata Supreme: (i) kanë dhënë një arsyetim të gjithëpërfshirës të të gjitha çështjeve qendrore të çështjes së parashtruesit të kërkesës çka lë të kuptohet se parashtruesit i është mundësuar paraqitja e argumenteve kundrejt palës së paditur; (ii) Gjykata Supreme dhe Gjykata e Apelit kanë shpjeguar dokumentet me të cilat pala e paditur ishte legjitimuar si posedues me mirëbesim i pronës kontestuese; (iii) Gjykata Supreme dhe Gjykata e Apelit kanë shpjeguar fuqinë provuese të dokumenteve para tyre si dhe duke dhënë bazën ligjore për vlerësim të dokumenteve. Gjykata po ashtu konstatoi se nga shkresat e lëndës është evidente se parashtruesi i kërkesës, pretendimin për diskriminim ai nuk e ka provuar.

Për pasojë dhe bazuar në sqarimet e dhëna në Aktvendimin e publikuar, Gjykata konkludoi se pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] dhe nenit 24 [Barazia para Ligjit] të Kushtetutës, janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, siç specifikohet në rregullin 34 (2) të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

Arsim Murtezi

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile