Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit Rev.Nr. 197/2021 të 6 korrikut 2022, të Gjykatës Supreme të Kosovës

Nr. të lëndës KI193/22

Parashtruesit: Avni Selmani

Shkarko:

KI193/22, Parashtrues Avni Selmani, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit Rev.Nr. 197/2021 të 6 korrikut 2022, të Gjykatës Supreme të Kosovës 

KI193/21, Aktvendim për Papranueshmëri, i 30 gushtit 2023, publikuar më 2 tetor 2023

Fjalët kyçe: kërkesë individuale, e drejta e subgrogimit, qartazi e pabazuar, mosarsyetim i vendimit gjyqësor, divergjencë në praktikën gjyqësore

Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me aksidentin e parashtruesit të kërkesës, i cili ishte shkaktuar më 8 gusht 2016 nga e siguruara e Kompanisë “Siguria”, ndërsa i njëjti kishte pësuar dëme materiale dhe jomateriale. Parashtruesi i kërkesës, më 31 gusht 2016, parashtroi kërkesë për shpërblim dëmi në kompaninë “Siguria”, gjegjësisht, regresim borxhi dhe marrjen e paradhënies për shpenzimet mjekësore që kishte kryer dhe pritej që t’i kryente, mirëpo, duke marrë parasysh që nuk ishte arritur marrëveshja, i njëjti kishte ushtruar padi pranë Gjykatës Themelore më 31 tetor 2016. Kërkesa për kompensim të dëmit material ishte aprovuar nga Gjykata Themelore përmes Aktgjykimit [C.nr.782/16] të 20 shkurtit 2018, në të cilin ishte caktuar kamatëvonesa në lartësi prej 12% (dymbëdhjetë përqind) duke filluar prej ditës së paraqitjes së padisë më 4 nëntor 2016 për dëmin jomaterial ndërsa kamatën prej 12% (dymbëdhjetë përqind) për dëmin material nga dita e nxjerrjes së ekspertizës së akuaristikës më 27 janar 2018. Më pas, duke vepruar sipas ankesës së Kompanisë “Siguria”, Gjykata e Apelit përmes Aktgjykimit [Ac.nr.2824/18] të 2 dhjetorit 2020, ndryshoi Aktgjykimin e Gjykatës Themelore, ndër të tjera, përkitazi me lartësinë e kamatëvonesës prej 12% (dymbëdhjetë përqind) në 8% (tetë përqind) duke e llogaritur atë nga dita e marrjes së aktgjykimit gjykatës së shkallës së parë më 20 shkurt 2018 e deri në pagesën definitive. Kundër këtij aktgjykimi, parashtruesi i kërkesës parashtroi revizion në Gjykatën Supreme, e cila, ndër të tjera, përmes Aktgjykimit të kontestuar, e vërtetoi Aktgjykimin e Gjykatës së Apelit lidhur me lartësinë e kamatës ndëshkuese prej 8% (tetë përqind) por e ndryshoi momentin e rrjedhjes së saj, respektivisht, nga dita e parashtrimit të padisë më 4 nëntor 2016 për dëmin material, ndërsa, nga dita e nxjerrjes së aktgjykimit të shkallës së parë më 20 shkurt 2018 për dëmin jomaterial. Në kontekst të kësaj të fundit, Gjykata Supreme, ndër të tjera, arsyetoi se kamata e aprovuar nga gjykata e shkallës së parë në lartësi prej 12% (dymbëdhjetë përqind): “[…] kur i dëmtuari e pranon ofertën e kompanisë së sigurimeve për kompensim të dëmit, dhe e njëjta vonohet me pagesë të kompensimit, dhe në situatën kur kompania e sigurimeve vonohet me pagesën e paradhënies për pjesën e pakontestueshme të dëmit”.

Parashtruesi i kërkesës pretendoi se me Aktgjykimin e kontestuar, atij i është shkelur e drejta e garantuar me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 6 (E Drejta për një Proces të Rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Në këtë kontekst, parashtruesi i kërkesës konsideroi se ky aktgjykim: (i) karakterizohej me mungesë të arsyetimit të vendimit gjyqësor sipas praktikës gjyqësore të Gjykatës dhe GJEDNJ-së dhe është në kundërshtim me lex specialis, përkitazi me momentin e rrjedhjes së kamatëvonesës te kërkesat e drejtpërdrejta për shpërblim dëmi dhe lartësisë së saj; si dhe që (ii) cenoi  parimin e sigurisë juridike për palët dhe pamundësoi zhvillimin e një praktike konstante të interpretimit gjyqësor për çështje të ngjashme, të cilin pretendim e mbështeti duke iu referuar 3 (tri) Aktgjykimeve të Gjykatës Supreme.

Bazuar në praktikën gjyqësore të saj dhe të GJEDNJ-së, Gjykata vlerësoi se: (i) sa i përket pretendimit për mosarsyetim të vendimit gjyqësor, Gjykata Supreme përmes Aktgjykimit të saj të kontestuar kishte adresuar pretendimet e parashtruesit të kërkesës të paraqitura në kërkesën e tij, dhe për pasojë konsideroi se nuk rezulton se procedurat e zhvilluara të kenë rezultuar në “konkluzione arbitrare” apo “qartazi të paarsyeshme” që do ta bënte vendimmarrjen e tyre të papajtueshme me standardet e një vendimi të arsyetuar dhe të arsyeshëm gjyqësor; ndërsa (ii) në lidhje me pretendimin për divergjencë të praktikës gjyqësore, Gjykata vlerësoi se Aktgjykimi i kontestuar i Gjykatës Supreme nuk është i përfshirë në cenim te parimit te sigurisë juridike dhe në shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm të parashtruesit te kërkesës, siç garantohet me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së. Rrjedhimisht, të dyja këto pretendime të parashtruesit të kërkesës, Gjykata i shpalli të papranueshme si qartazi të pabazuar në baza kushtetuese në kategorinë e “mungesës së dukshme ose evidente të shkeljes” ashtu siç përcaktohet me rregullin 34 (2) të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

Avni Selmani

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile