KI258/23, Parashtrues: Shaban Hoti, Bedrije Hoti, Mirlindë Kelmendi, Mendim Hoti dhe Endrit Hoti, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [Rev. nr. 167/2023] të 7 qershorit 2023, të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës
KI258/23, Aktvendim për papranueshmëri, i 26 nëntorit 2024, publikuar më 23 dhjetor 2024
Fjalët kyç: kërkesë individuale, e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, mos arsyetim i vendimit gjyqësor, parimi i sigurisë juridike
Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me kërkesëpadinë e parashtruesve të kërkesës për kompensim të dëmit material dhe jomaterial në vlerë të përgjithshme prej 46.500 euro në Gjykatën Themelore në Pejë, ndaj Kompanisë së Sigurimeve “Sigma”, kompani kjo në të cilën kishte qenë i siguruar K.M., si shkaktar i aksidentit në të cilin kishte humbur jetën familjari i parashtruesve të kërkesës. Parashtruesit, kërkesëpadinë për kompensim të dëmit e kishin parashtruar më 21 mars 2019. Më 24 tetor 2019, Gjykata Themelore në Pejë aprovoi pjesërisht kërkesëpadinë e parashtruesve të kërkesës dhe e detyroi Kompaninë e Sigurimeve “Sigma” që për kompensim të dëmit, për dhimbje shpirtërore, t’ua paguajë satisfaksionin në lartësi si në vijim, Shaban Hoti kompensohet në vlerë 8.000 euro; Bedrije Hoti në vlerë 8.000 euro si dhe Mendim dhe Endrit Hoti, secilit i takon kompensimi nga 6.000 euro. Kundër vendimit të shkallës së parë, Kompania e Sigurimeve “Sigma”, parashtroi ankesë në Gjykatën e Apelit duke pretenduar, ndër të tjera, se në rastin konkret bazuar në nenin 357 (Kërkesa e shpërblimit të dëmit) të Ligjit Nr. 04/L-077 për Marrëdhëniet e Detyrimeve, ishte arritur parashkrimi. Gjykata e Apelit miratoi ankesën e Kompanisë së Sigurimeve “Sigma”, dhe refuzoi si të pathemeltë ankesën e parashtruesve të kërkesës, me arsyetimin se e njëjta ishte parashkruar. Gjykata Supreme, pas revizionit të paraqitur nga parashtruesit e kërkesës miratoi në tërësi aktgjykimin e Gjykatës Apelit.
Parashtruesit e kërkesës para Gjykatës pretenduan se përmes Vendimit të kontestuar të Gjykatës Supreme, u janë shkelur të drejtat e tyre të mbrojtura me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Në thelb, pretendimet e parashtruesve para gjykatës, ishin: (i) pretendime për mungesë të një vendimi të arsyetuar gjyqësor, si rezultat i zbatimit të gabuar të ligjit; si dhe (ii) pretendimi për shkelje të parimit të sigurisë juridike si rezultat i vendimeve kundërthënëse.
Në vlerësimin e pretendimeve të parashtruesve të kërkesës, Gjykata fillimisht (i) shtjelloi parimet e përgjithshme të praktikës së saj gjyqësore dhe asaj të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, përkitazi me të drejtën për një vendim të arsyetuar gjyqësor; dhe më pas (ii) i aplikoi të njëjtat në rrethanat e rastit konkret. Gjykata vlerësoi se pretendimet e lartcekura janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese sepse gjykatat e rregullta kanë dhënë arsye bindëse dhe të mjaftueshme për refuzimin e ankesës së parashtruesve duke u bazuar në të gjitha argumentet e elaboruara në Aktvendimin për Papranueshmëri.
Përkitazi me pretendimet e parashtruesve se si rezultat i vendimeve kundërthënëse të gjykatave të rregullta është cenuar parimi i sigurisë juridike, Gjykata konsideroi se as numri i aktgjykimeve të paraqitura si kundërthënëse, si dhe as mënyra se si Gjykata Apelit dhe Gjykata Supreme kanë vlerësuar dhe trajtuar rastin e parashtruesve të kërkesës nuk krijojnë bazë të mjaftueshme për të arsyetuar pretendimin për shkelje të parimit të sigurisë, si rrjedhojë e vendimeve kundërthënëse të gjykatave të rregullta.
Gjykata konkludoi se kërkesa, në tërësinë e saj, është qartazi e pabazuar dhe rrjedhimisht e papranueshme në baza kushtetuese, në pajtim me rregullin 34 (2) të Rregullores së punës.
Shaban Hoti, Bedrije Hoti, Mirlindë Kelmendi, Mendim Hoti dhe Endrit Hoti
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Civile