KI187/22, Parashtrues: Elmi Mena, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit Rev. nr. 165/2022, të 6 korrikut 2022, të Gjykatës Supreme të Kosovës
Fjalët kyç: kërkesë individuale, parashkrim fitues, pronë shoqërore/publike, kërkesë qartazi e pabazuar
Çështja thelbësore në rrethanat e rastit konkret, ndërlidhet me padinë që parashtruesi i kërkesës e kishe paraqitur kundër Komunës së Lipjanit për vërtetimin e pronësisë për disa prona, të cilat pretendonin se ju takonin si rezultat i shfrytëzimit me mirëbesim për më shumë se 20 vite përmes parashkrimit fitues, prona këto të cilat u janë dhënë në shfrytëzim refugjatëve nga Shqipëria në vitin 1969. Fillimisht, Gjykata Themelore aprovoi kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës duke aprovuar kërkesëpadinë e tij, përmes së cilës vërtetohej se të njëjtit e kanë fituar pronësinë me posedim me mirëbesim dhe të ligjshëm në paluajtshmëritë e kontestuara. Pas ankesës së Komunës së Lipjanit, Gjykata e Apelit e pranoi si të bazuar ankesën e saj, duke e prishur aktgjykimin e Gjykatës Themelore si dhe duke e kthyer çështjen në rigjykim në të njëjtën gjykatë. Në vijim, në procedurën e rigjykimit, Gjykata Themelore përmes Aktgjykimit [C. nr. 526/2018] të 12 shkurtit 2020, përsëri e aprovoi si të bazuar kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës, duke vërtetuar se të njëjtit kanë fituar pronësinë me posedim me mirëbesim dhe të ligjshëm në paluajtshmëritë kontestuese. Pas ankesës së Komunës së Lipjanit, Gjykata e Apelit aprovoi si të bazuar ankesën e saj, ndryshoi Aktgjykimin e Gjykatës Themelore [C. nr. 526/2018] të 12 shkurtit 2020, dhe çështja lëndore u gjykua si në vijim: Refuzohet si tërësisht e pabazuar kërkesëpadia e parashtruesit të kërkesës. Pas kërkesës për revizion të parashtruar nga parashtruesi i kërkesës, Gjykata Supreme e refuzoi si të pabazuar këtë kërkesë të paraqitur kundër Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit.
Gjykata sqaron që parashtruesi i kërkesës i konteston konstatimet e gjykatave të rregullta para Gjykatës, duke pretenduar: shkelje të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] si rezultat i mungesës së arsyetimit gjyqësor dhe 24 [Barazia para Ligjit] të Kushtetutës.
Lidhur me pretendimin e parashtruesit të kërkesës për mungesë të arsyetimit gjyqësor, Gjykata konstatoi se gjykatat e rregullta, pasi administruan të gjitha provat relevante, të drejtën materiale të zbatuar në rrethanat e rastit konkret, erdhën në përfundim që pavarësisht që parashtruesi i kërkesës i shfrytëzoi patundshmëritë kontestuese nga viti 1969 përmes kontratës për dhënien e tokës me qira, përderisa ishte e regjistruar si pasuri shoqërore, deri në ndryshimin e LMTHPJ-së në vitin 1996, e drejta e pronësisë e patundshmërive të kontestuara nuk ka mundur të fitohet përmes parashkrimit fitues. Pra, kjo e drejtë nuk ka mundur të fitohet as pas vitit 1996 sepse nga viti 1996 e deri në parashtrimin e padisë në vitin 2010 nuk kishte kaluar koha prej 20 vitesh, e paraparë për parashkrim fitues në patundshmëri sipas nenit 28, paragrafi 4 të LMTHJP-së. Arsyeja e dytë përcaktuese të cilën e shtjelluan gjykatat e rregullta konsiston me çështjen se a ka pasur mirëbesim i cili u vlerësua në bazë të nenit 28, paragrafi 2 të Ligjit të lartpërmendur, ku kërkohej plotësimi kumulativ i dy kushteve ligjore për fitimin e pronësisë në patundshmëri: që mbajtësi të jetë me mirëbesim dhe posedimi të jetë i ligjshëm, ndërsa sipas paragrafit 4 të këtij neni kërkohet që mbajtësi të jetë me mirëbesim, që do të thotë se në dy paragrafët kërkohet që gjithsesi mbajtësi të jetë me mirëbesim, që në rastin konkret me vet faktin se paditësi e ka ditur se prona është e regjistruar si shoqërore në pronësi të paditurës, rezulton se mbajtja e pronës nga paditësit nuk mund të konsiderohet se është me mirëbesim. Rrjedhimisht, të njëjtat janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, siç është përcaktuar në paragrafin (2) të rregullit 34 të Rregullores së punës.
Lidhur me pretendimin e parashtruesit të kërkesës se i është shkelur e drejta për ndalimin e diskriminimit si rezultat i pabarazisë së palëve para ligjit, nga neni 24 i Kushtetutës në lidhje me të drejtën për një gjykim të drejtë, Gjykata vëren se lidhur me këtë pretendim të parashtruesit të kërkesës, tashmë e kishte trajtuar Gjykata Supreme në vendimin e kontestuar, ku se e njëjta i pati në konsideratë dhe shqyrtoi rastet e ndryshme mbi të cilat pala e paditur në revizion potencon faktin se në raste tjera të ngjashme gjykata e shkallës së dytë në kolegje të ndryshme ka vendosur ndryshe, mirëpo secili aktgjykim i gjykatës së shkallës së dytë në mënyrë të veçantë, mund t’i nënshtrohet procedurës sipas revizionit me çka përmes vendimit gjyqësor të gjykatës së revizionit eliminohet vendimmarrja e ndryshme e gjykatës së shkallës së dytë për situata të njëjta. Rrjedhimisht, pretendimet e lartcekura të parashtruesit të kërkesës janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, siç është përcaktuar në paragrafin (2) të rregullit 34 të Rregullores së punës.
Elmi Mena
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Civile