KI181/21, Parashtrues: Bajram Badivuku, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [Rev. nr. 117/2021] të Gjykatës Supreme, të 30 gushtit 2021
KI181/21, Aktvendimi për papranueshmëri, i 13 dhjetorit 2022, publikuar më 11 janar 2023
Fjalët kyç: kërkesë individuale, qartazi e pabazuar, pretendimet të pambështetura
Parashtruesit të kërkesës iu kishte dhuruar pasuria nga nëna e tij përmes kontratës [Ov. nr. 2015/97] të 26 dhjetorit 1997 dhe kjo pasuri ende kishte mbetur pronë e regjistruar në emrin e nënës së parashtruesit të kërkesës. Në ndërkohë, në vitin 2001, parashtruesi i kërkesës e kishte shitur pasurinë e tij nga kontrata e lartcekur personit N.P. dhe në pamundësi që t’ ia bartë formalisht të drejtën pronësore, nëna e parashtruesit të kërkesës H.B., përmes Kontratës për Dhuratën [Vr. nr. 3043/10] të 21 dhjetorit 2010 i kishte dhuruar bijës së saj M.B.P. parcelën kadastrale [P-70202016-00715-6], ndërsa më vonë kjo e fundit këtë pasuri përmes kontratës për shitblerjen e patundshmërisë [Vr. nr. 423/13] të 26 marsit 2013, ia kishte bartur në pronësi personit N.P. Në vitin 2011, parashtruesi i kërkesës ngriti padi në Gjykatën Themelore, duke kërkuar anulimin e Kontratës për Dhuratën [Vr. nr. 3043/10] të 21 dhjetorit 2010 dhe Kontratës për Patundshmëri [Vr. nr. 423/13] të 26 marsit 2013 dhe që pasuria e tij e ndarë përmes kontratës [Ov. nr. 2015/97] të 26 dhjetorit 1997 të regjistrohet në librat kadastral. Gjykata Themelore në përgjigje të pretendimeve të parashtruesit të kërkesës konstaton se kontrata e 21 dhjetorit 2010 dhe Kontrata për Patundshmëri [Vr. nr. 423/13] e 26 marsit 2013 janë ligjërisht të vlefshme dhe se parashtruesi i kërkesës nuk mund të kërkoj pronësinë mbi palujtshmërinë e kërkuar, sepse në vitin 2001 përmes një marrëveshjeje joformale ai e kishte shitur tek N.P., i cili në bazë të provave rezulton të jetë pronar legjitim. Pas ankimimit, Gjykata e Apelit dhe Gjykata Supreme konfirmuan konstatimet e Gjykatës Themelore, duke theksuar se kontratat e kontestuara nuk janë në kundërshtim me dispozitat ligjore, respektivisht me nenin 103 dhe nenin 111 të LMD-së (të vjetër) apo me nenin 89 dhe 97 të LMD-së (i ri). Parashtruesi i kërkesës i konteston këto vlerësime të gjykatave të rregullta para Gjykatës, duke pretenduar shkelje të të drejtave të tij kushtetuese, përkatësisht shkelje të neneve 23, 36, 46 dhe 54 të Kushtetutës. Pretendimi kryesor i parashtruesit të kërkesës në thelb ka të bëjë me shkeljen e të drejtave pronësore me arsyetimin se gjykatat e rregullta përmes vendimeve të tyre, duke refuzuar kërkesën e parashtruesit për anulimin e Kontratës për Dhuratën [Vr. nr. 3043/10] të 21 dhjetorit 2010 dhe Kontratës për Patundshmërinë [Vr. nr. 423/13] të 26 marsit 2013, kanë shkelur të drejtat e tij pronësore mbi pasurinë që i takon nga trashëgimia e babait, respektivisht me ato akte i është pamundësuar regjistrimi në emrin e tij të pronës e cila i kishte takuar mbi bazën e Kontratës [Ov. nr. 2015/97] të 26 dhjetorit 1997.
Gjykata konstaton se gjykatat e rregullta, në rrethanat e rastit konkret, kishin trajtuar dhe arsyetuar pretendimet e parashtruesit të kërkesës. Të njëjtat, kishin trajtuar pretendimet thelbësore të parashtruesit të kërkesës dhe kishin sqaruar se (i) Kontrata për Dhuratën [Vr. nr. 3043/10] e 21 dhjetorit 2010 dhe Kontrata për Patundshmëri [Vr. nr. 423/13] e 26 marsit 2013 janë ligjërisht të vlefshme në kuptim të nenit 103 dhe 111 të Ligjit mbi Marrëdhëniet e Detyrimeve të 30 marsit 1978 dhe nenit 89 dhe 97 të Ligjit nr. 04/l-077 për Marrëdhëniet e Detyrimeve të 19 qershorit 2012; (ii) parashtruesi i kërkesës pronën e tij që i kishte takuar përmes kontratës [Ov. nr. 2015/97] të 26 dhjetorit 1997 ia kishte shitur përmes një marrëveshjeje joformale personit N. P., nga i cili kishte pranuar çmimin e shitjes; (iii) dhe se parashtruesi i kërkesës nuk e ka provuar mënyrën e fitimit të pronësisë mbi pronën kontestuese meqë në bazë të certifikatës së pronësisë rezulton të mos jetë pronar legjitim i pronës, pasi që kishte dështuar ta regjistroj në librat kadastral.
Gjykata konstatoi se pretendimi i parashtruesit të kërkesës për shkelje të nenit 46 duhet të refuzohet si qartazi i pabazuar, ndërsa pretendimet tjera i përkasin kategorisë së tretë (iii), nënkategorisë (a), të pretendimeve të pambështetura ose të paarsyetuara”, andaj, si të tilla, të njëjtat, duhet shpallur qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, në pajtim me rregullin 39 (2) të Rregullores së punës.
Bajram Badivuku
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Civile