KI223/23, parashtrues Adem Dauti, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [Rev. nr. 106/2023] të Gjykatës Supreme të Kosovës të 24 majit 2023
KI223/23, Aktvendim për papranueshmëri i 11 shtatorit 2024, publikuar më 10 tetor 2024
Fjalët kyç: kërkesë individuale, pretendime të paarsyetuara, qartazi e pabazuar
Në vitin 2000, parashtruesi i kërkesës kishte lidhur një kontratë me Ndërmarrjen Shoqërore “Agrokultura” për të drejtën e shfrytëzimit të ngastrës nr. 2918/1 për një periudhë gjashtë (6) vjeçare, me mundësi vazhdimi. Gjatë vitit 2014, Kuvendi Komunal i Mitrovicës së Jugut nxori Vendimin mbi ndërrimin e bartësve të së drejtës së shfrytëzimit të pasurisë së paluajtshme shoqërore, në pronë komunale, dhe rrjedhimisht Komuna e Mitrovicës së Jugut, në librat kadastralë është regjistruar si pronare e ngastrës kontestuese nr. 2918/1. Si rezultat i këtij vendimi, parashtruesin e kërkesës inicioi procedurë administrative pranë organeve kompetente komunale, përfshirë këtu edhe katër (4) procedura të ndryshme gjyqësore pranë Gjykatës Themelore. Gjykatat themelore e kanë refuzuar kërkesëpadinë e parashtruesit si të pabazuar.
Pikërisht për këtë arsye, parashtruesi i ka parashtruar kërkesë gjykatës duke pretenduar shkeljen e nenit 3 të Kushtetutës, për shkak se i njëjti ka qenë palë dhe subjekt afarist i pabarabartë gjatë procedurës administrative pranë organit komunal të Mitrovicës.
Duke pasur parasysh se parashtruesi nuk e ka shpjeguar qartë se cilin vendim është duke e kontestuar dhe si lidhet i njëjti me shkeljen e nenit 3 të Kushtetutës, Gjykata i ka dërguar parashtruesit letër plotësuese duke kërkuar nga i njëjti që ta precizojë kërkesën dhe ta shpjegojë shkeljen e nenit 3 të Kushtetutës. Megjithëkëtë, parashtruesi i kërkesës në përgjigjen e vet i ka përsëritur të njëjtat pretendime si në kërkesë.
Duke pasur këtë parasysh, Gjykata e ka refuzuar kërkesën e parashtruesit si të pabazuar për arsye se i njëjti nuk i ka plotësuar kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara me nenin 48 të Ligjit dhe me rregullën 34 (1) (d) të Rregullores së Punës, duke theksuar se parashtruesi i kërkesës në përgjigjen e vet i ka precizuar vendimet e organit publik të cilat i konteston, por nuk i ka precizuar cilat të drejta dhe liri të garantuara me Kapitullin II [Të Drejtat dhe Liritë Themelore] të Kushtetutës i janë shkelur.
Adem Dauti
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Civile