Aktvendim

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit Pn. II. 8/2019 të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, të 17 tetorit 2019

Nr. të lëndës KI237/19 dhe KI238/19

Shkarko:
Përmbledhje

KI237/19 dhe KI238/19, Parashtrues: Ekzon Keka dhe Muhamet Thaçi; Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit Pn. II. 8/2019 të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, të 17 tetorit 2019

KI237/19 dhe KI238/19, Aktvendim për papranueshmëri, i 25 nëntorit 2020, publikuar më 24 dhjetor 2020

Fjalët kyç: kërkesë individuale, procedurë penale, masë e përkohshme, e drejta për gjykim të drejtë, kërkesë qartazi e pabazuar, kërkesë e papranueshme

Parashtruesit e kërkesave në Gjykatë kontestonin kushtetutshmërinë e Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës Pn. II.8/2019, të 17 tetorit 2019, në ndërlidhje me Aktvendimin e Gjykatës Supreme, Pml. nr. 259/2018, të 5 nëntorit 2018 dhe Aktgjykimin e Gjykatës së Apelit, PA1. nr. 748/2018, të 13 gushtit 2018, duke pretenduar shkelje të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut.

Gjykata pasi analizoi pretendimet e parashtruesve të kërkesës, në përputhje me rregullin 35, nënrregullin (5) të Rregullores së punës rikujtoi se nuk i shqyrton pretendimet e përsëritura të parashtruesve të kërkesave të cilat ishin objekt i shqyrtimit nga Gjykata. Andaj, Gjykata nuk e vlerësoi kushtetutshmërinë e Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit, PA1. nr. 748/2018, të 13 gushtit 2018 dhe kushtetutshmërinë e Aktvendimit të Gjykatës Supreme, Pml. nr. 259/2018, të 5 nëntorit 2018, sepse të njëjtat ishin objekt i shqyrtimit nga Gjykata në rastet e bashkuara KI19/19 dhe KI20/19, për të cilat kishte vendosur me Aktvendimin për papranueshmëri, të 29 korrikut 2019. Ndërsa, sa i përket vlerësimit të kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës Pn. II.8/2019, të 17 tetorit 2019, Gjykata vërejti se parashtruesit e kërkesave në mënyrë të përgjithësuar, pretendonin se Aktgjykimi PN. II. 8/2019 i Gjykatës Supreme, ka shkelur të drejtat dhe liritë e tyre të garantuara me Kushtetutë. Megjithatë, parashtruesit e kërkesave nuk shpjeguan tutje, se si dhe pse, kishte ardhur deri të shkelja e të drejtave të tyre kushtetuese me Aktgjykimin PN. II. 8/2019, e Gjykatës Supreme, të 17 tetorit 2019. Për këtë arsye kërkesat e tyre në këtë pjesë u deklaruan të papranueshme si qartazi të pabazuara, në pajtim me rregullin 39 (2) të Rregullores së punës.

Gjykata, në pajtim me nenin 27 (1) të Ligjit dhe rregullin 57 (4) (a) të Rregullores së punës, edhe kërkesën e parashtruesve të kërkesave për masë të përkohshme e refuzoi, sepse e njëjta nuk mund të ishte tutje objekt i shqyrtimit, pasi kërkesat e tyre janë deklaruar të papranueshme, në baza kushtetuese.

 

Parashtruesit:

Ekzon Keka dhe Muhamet Thaçi

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Penale