KI126/23, Parashtrues: Sh.P., Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit Pml.nr.57/2023, të 6 prillit 2023, të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës
KI126/23, Aktvendim për papranueshmëri, i 19 dhjetorit 2024, publikuar më 27 dhjetor 2024
Fjalët kyç: kërkesë individuale, palë e paautorizuar, e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, kërkesë e papranueshme
Parashtruesi i kërkesës në rastin konkret është vëllai i të ndjerës D.P. e cila është privuar nga jeta me armë zjarri. Për çështjen penale në fjalë Prokuroria e Shtetit kishte ngritur aktakuzë ndaj personit me inicialet N.P. me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale të vrasjes së rëndë, duke e privuar nga jeta D.P. Në vijim të kësaj, Gjykata Themelore fillimisht kishte shpallur N.P. fajtor për kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë dhe veprave penale të mbajtjes në pronësi, kontroll apo posedim të armëve, të parashikuara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës atë kohë në fuqi. Në procedurë të rivendosjes, konstatimet e Gjykatës Themelore ishin vërtetuar edhe nga Gjykata e Apelit. Megjithatë si rezultat i kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë, të parashtruar në Gjykatën Supreme, kjo e fundit, e kishte liruar N.P. nga akuza e kryerjes së veprës penale të vrasjes së rëndë, dhe për të njëjtin kishte vërtetuar kryerjen e veprave penale të mbajtjes në pronësi, kontroll apo posedim të armëve, përderisa përfaqësuesin e të ndjerës, për realizimin e kërkesës pasurore juridike e kishte udhëzuar në kontest civil.
Parashtruesi i kërkesës pranë Gjykatës pretendoi se Aktgjykimi [Pml.nr.57/2023] i 6 prillit 2023, i Gjykatës Supreme, shkel të drejtat dhe liritë themelore të tij të garantuara me nenet 3 dhe 24 [Barazia para Ligjit], 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, në ndërlidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) dhe 13 (E drejta për zgjidhje efektive) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Parashtruesi i kërkesës pretendoi se rasti i vrasjes së motrës së tij, D.P. është trajtuar në mënyrë jo të duhur. Ai theksoi se gjatë hetimit janë vërtetuar disa prova që e ngarkojnë të akuzuarin N.P. për kryerjen e veprës penale “vrasje e rëndë”, sipas nenit 179 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Megjithatë, sipas tij, këto prova janë administruar në mënyrë të papërshtatshme dhe janë shqiptuar vendime të ndryshme për të njëjtat prova. Gjithashtu, parashtruesi i kërkesës theksoi se në Aktgjykimin e Gjykatës Supreme nuk janë përfshirë të gjitha provat cilësore, të cilat ai pretendon se do t’i ndriçonin më tej rrethanat e rastit.
Fillimisht në pajtim me kërkesat e paragrafit 7 të nenit 113 të Kushtetutës, kërkesat e paragrafit 1 të nenit 47 [Kërkesa individuale] të Ligjit, dhe kërkesat e rregullit 34 (1) (a) të Rregullores së punës, Gjykata vlerësoi nëse parashtruesi i kërkesës është palë e autorizuar për të ngritur pretendime për shkelje kushtetuese. Bazuar në pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës, në ndërlidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Gjykata konsideroi, se i njëjti në kuptim të paragrafit 7 të nenit 113 të Kushtetutës, paragrafit 1 të nenit 47 të Ligjit, dhe rregullit 34 (1) (a) të Rregullores së punës nuk është palë e autorizuar për të ngritur pretendime për shkeljen e të drejtës së “tij” për gjykim të drejtë dhe të paanshëm përkitazi me procedurën gjyqësore penale kundër të pandehurit N.P, të zhvilluar në Gjykatën Supreme. Duke iu referuar praktikës së Gjykatës dhe të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Gjykata vuri në dukje se çështja e vrasjes se anëtarëve të familjes mund të ngrejë çështje të nenit 25 [E Drejta për Jetën] të Kushtetutës, në ndërlidhje me nenin 2 (E drejta për jetën) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Gjykata rikujtoi që parashtruesi i kërkesës në kërkesën e tij ka specifikuar që në procedurën hetimore të zhvilluar ndaj të pandehurit N.P. janë vërtetuar provat të cilat kanë rezultuar në ngritjen e aktakuzës nga ana e Prokurorisë. Tutje, Gjykata theksoi se në raport me N.P. autoritetet shtetërore kishin ndërmarrë veprimet e nevojshme, përfshirë zhvillimin e hetimeve, që kishin rezultuar në ngritjen e aktakuzës ndaj tij dhe zhvillimin e procedurës penale, e cila kishte përfunduar me nxjerrjen e Aktgjykimit të kontestuar të Gjykatës Supreme, përmes të cilit ishte konstatuar që ndaj të njëjtit nuk ishte vërtetuar përtej dyshimit të bazuar se kishte kryer veprën penale të vrasjes së të ndjerës D.P. Megjithatë, Gjykata rikujtoi se parashtruesi i kërkesës, në kërkesën e tij nuk kishte ngritur pretendime specifike që ndërlidheshin me procedurën e zhvilluara para Gjykatës Supreme, dhe me hetimin efektiv, si një nga komponentët e aspektit procedural të nenit 25 [E Drejta për Jetën] të Kushtetutës, në ndërlidhje me nenin 2 (E Drejta për Jetën) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Si rrjedhojë, edhe pse në rrethana të tilla, parashtruesi i kërkesës mund të cilësohej si viktimë e tërthortë në lidhje me këtë të drejtë, Gjykata nuk mund të shqyrtonte apo vlerësonte nëse procedura hetimore e zhvilluar në tërësinë e saj, për shkak të respektimit të kritereve të përcaktuara përmes Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, të cilat duhet të vlerësohen në kuptim të aspektit procedural të nenit 25 [E Drejta për Jetën] të Kushtetutës, në lidhje me nenin 2 (E Drejta për Jetën) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut nuk ishin ngritur para instancave tjera, para se parashtruesi i kërkesës të parashtronte kërkesën në Gjykatë. Më tej, Gjykata vuri në dukje se parashtruesi i kërkesës bazuar në mjetet juridike në dispozicion, mund të kërkojë zhvillimin e procedurës hetimore adekuate e cila mund të rezultojë në ndriçimin e rrethanave të vrasjes së të ndjerës, dhe po ashtu të kërkojë vlerësimin e përgjegjësisë së organeve përkatëse, përgjegjëse për zhvillimin e procedurës hetimore dhe penale, si pjesë përbërëse të aspektit procedural të nenit 25 [E Drejta për Jetën] të Kushtetutës, në ndërlidhje me nenin 2 (E Drejta për Jetën) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Parashtruesi i kërkesës po ashtu kishte ngritur pretendime për shkelje të së drejtës së barazisë para ligjit dhe mbrojtjes gjyqësore të të drejtave, duke mos specifikuar dhe dhënë asnjë shpjegim, se si i njëjti ishte viktimë e shkeljes së këtyre të drejtave, të garantuara me Kushtetutë.
Për pasojë dhe bazuar edhe në sqarimet e dhëna në Aktvendimin e publikuar, Gjykata konstatoi se kërkesa e parashtruesit të kërkesës duhet të shpallet e papranueshme, për shkak se i njëjti nuk është palë e autorizuar, ashtu siç specifikohet në paragrafin 7 të nenit 113 të Kushtetutës, dhe paragrafin 1 të nenit 47 të Ligjit, si dhe rregullin 34 (1) (a) të Rregullores së punës. Rrjedhimisht, kërkesa u shpall e papranueshme.
Sh.P.
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa nuk është paraqitur nga një palë e autorizuar
Penale