Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit  Pml. nr. 495/2023 të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, të 3 tetorit 2023

Nr. të lëndës KI 234/23

Parashtruesit: Q.I.

Shkarko:

KI 234/23, Parashtrues: Q.I , Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit  Pml. nr. 495/2023 të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, të 3 tetorit 2023

KI 234/23, Aktvendim për papranueshmëri, i 26 qershorit 2024, publikuar më 2 tetor 2024

 Fjalët kyç: barazia para ligjit, e drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm,  mbrojtja e identitetit , kërkesë e papranueshme, kërkesë qartazi e pabazuar

Nga shkresat e lëndës rezulton se esenca e këtij rasti ka të bëj dënimin penal të shqiptuar kundrejt parashtruesit të  kërkesës me Aktgjykimin e Gjykatës Themelore për veprën penale – sulm seksual nga neni 229, paragrafi 5 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së, e të vërtetuar edhe me Aktgjykimin e Gjykatës së Apelit PAKR. nr. 371/2023 të 5 korrikut 2023, ndërsa më 3 tetor 2023, Gjykata Supreme e Republikës së Kosovës, me Aktgjykimin Pml. nr. 495/2023 vendosi të refuzonte si të pabazuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë e mbrojtësit të të dënuarit Q. I.

Parashtruesi i kërkesës pretendimet e tij ankimore i ka bazuar kryesisht në faktin se kontakti i tij me F.C.(e mitura-viktimë e  sulmit seksual) nuk ka qenë i dhunshëm por ka ndodhur me dëshirë të dyanshme, se e mitura është marrë në pyetje pa praninë e psikologut dhe se Gjykata Kushtetuese duhet ta aplikojë garancitë e theksuara tashmë në rastin e saj Ki 161/21 i cili u more si reference thuajse në secilin nga  pretendimet e ngritura nga parashtruesi i kërkesës për shkelje kushtetuese.

Në raport me pretendimin kryesor të parashtruesit të kërkesës për aplikimin e standardeve sikurse në rastin Ki 161/21 gjykata pasi shqyrtoi provat e paraqitura konstatoi dallimet esenciale në mes të rastit të ngritur dhe rastit  me të cilin kërkon parashtruesi i kërkesës  të krahasohet sikurse në vijim:

  1. veprat penale për të cilat parashtruesit ishin akuzuar dhe shpallur fajtorë nga gjykatat e rregullta ishin të natyrave të ndryshme (vrasje e rëndë, e para, sulm seksual, e dyta);
  1. F.C. në rastin e parashtruesit ishte viktimë e drejtpërdrejtë e veprimeve të parashtruesit dhe po merrej në pyetje si e dëmtuar–dëshmitare;

iii. I mituri dëshmitar në rastin KI161/21 ishte i privuar nga mbrojta e të dy  prindërve (njëri–parashtruesja ishte në burg si kryes i veprës penale e tjetri ishte viktimë e vrasjes), andaj Gjykata me të drejtë konstatoi duke marrë për bazë rrethanat specifike të rastit se mbështetja profesionale e psikologut ishte e nevojshme dhe në interesin më të mirë të fëmijës. Ndërsa, në rastin e tanishëm të parashtruesit e dëmtuara F. C. që në deklaratën e saj fillestare në stacionin policor e kishte dhënë në prani të nënës së saj A. C., kurse babai i të dëmtuarës ishte i pranishëm në gjykim, dha deklaratë në seancë gjyqësore, si dhe paraqiti dëshmi lidhur me të dëmtuarën F. C. (bijën e tij) dhe raportet e saj edhe të familjes së tyre me parashtruesin e kërkesës.

  1. Gjykata, në rastin KI161/21 gjeti shkelje të nenit 31 të Kushtetutës lidhur me nenin 6 të KEDNJ-së edhe për shkaqe tjera, si pamundësia e ballafaqimit të parashtrueses me dëshmitarë dhe refuzimi i kërkesës për ekzaminim psikiatrik të së njëjtës gjë, në rastin konkret të parashtruesit Q. I. nuk janë çështje të diskutueshme.
  1. Edhe Gjykata Themelore në Gjakovë (Aktgjykimi nr. 2022;230076), e edhe Gjykata Supreme [Akgjykimi Pml. nr. 495/2023], kishin arsyetuar mungesën e psikologut gjatë marrjes në pyetje dhe mënyrën e  marrjen në pyetje të të dëmtuarës së mitur në përputhje me dispozitat përkatëse të Kodit Nr. 06/L-006 të drejtësisë për të mitur (neni 112.2).

Duke u bazuar në si më sipër, marrë parasysh pretendimet e ngritura nga parashtruesi i kërkesës, veçoritë dalluese të rastit  të parashtruesit me rastin të pretenduar si të ngjashëm (KI161/21) sikurse janë elaboruar më lart, Gjykata konstaton se mënyra e marrjes në pyetje të të dëmtuarës së mitur në raport me rrethanat e rastit konkret (asistimi i prindërve, mënyra e dhënies së deklaratës me video link, dëshmitë tjera plotësuese të siguruara nga Gjykata Themelore), pastaj arsyetimet e gjëra dhe të plota të aktgjykimeve të gjykatave të rregullta të tri shkallëve, përgjigjja e gjykatave të rregullta në pretendimet ankimore të parashtruesit të kërkesës, nuk ofrojnë bazë që Gjykata Kushtetuese të konstatojë shkelje të nenit 31 të Kushtetutës lidhur me nenin 6 të KEDNJ-së, sepse parashtruesi nuk i ka mbështetur me fakte pretendimet e tij.

Mbi bazën e të njëjtave arsyetime, Gjykata nuk gjen argumente se vendimet gjyqësore të kontestuara kanë shkelur nenin 22 dhe nenin 50 të  Kushtetutës dhe nenin 3 të Konventës për të Drejtat e Fëmijëve dhe të Konventës së Stambollit, ngase përpos referimit në rastin e Gjykatës KI161/21, parashtruesi i kërkesës nuk paraqiti argumente tjera që do të mbështesnin shkeljet e pretenduara.

Gjykata pasi shqyrtoi pretendimet ankimore të paraqitura në kërkesë, analizoi vendimet gjyqësore, mori parasysh praktikën e saj gjyqësore në çështje të natyrës së ngjashme dhe aplikoi praktikën gjyqësore të Gjykatës ndërkombëtare për të Drejtat e njeriut (GJEDNJ)  dhe bazuar në të gjeturat si  më sipër, konkludoi  se parashtruesi kërkesës nuk arriti të mbështes pretendimet e tij dhe të vërtetojë në baza kushtetuese se vendimet e kontestuara gjyqësore  ia mohuan të drejtat kushtetuese, andaj të njëjtat i deklaroi si pretendime të pambështetura dhe rrjedhimisht qartazi të pabazuara mbi bazën e rregullit 34.2 të Rregullores së punës.

Lidhur me kërkesën për aplikimin e masës së përkohshme e duke marrë për bazë faktin se kërkesa e parashtruesit në tërësinë e saj shpallet e pa pranueshme, Gjykata nuk gjen bazë për ta aprovuar kërkesën për masë të përkohshme.

Gjykata në raport me kërkesën e parashtruar për mos zbulim të identitetit të palëve konstaton se duke marrë parasysh natyrën e veprës penale për të cilën është dënuar parashtruesi i kërkesës, ndjeshmërinë e rastit, moshën e viktimës së rastit dhe pasojat eventuale që mund t’i ketë publikimi i emrave të palëve në këtë rast, kërkesa për mos zbulim identiteti duhet të aprovohet, rrjedhimisht emrat e palëve të rastit në këtë aktvendim janë referuar vetëm me inicialet e tyre . Si reference për këtë pjesë të aktvendimit ka marrë rastin KI122/19. (parashtrues i kërkesës F.M. -Aktvendim për papranueshmëri, i 28 gushtit 2020 par.117,)ku në mënyrë analoge një kërkesë e tillë ishte aprovuar nga gjykata.

Parashtruesit:

Q.I.

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile