KI60/22, Parashtrues: Luljeta Sokoli, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit Pml.nr.462/21 të 18 janarit 2022 të Gjykatës Supreme
KI60/22, Aktvendim për papranueshmëri, i 31 gushtit 2023, publikuar më 3 tetor 2023
Fjalët kyç: kërkesë individuale, e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, barazia para ligjit, procedurë penale
Rrethanat e rastit konkret, ndërlidhen me aktakuzën e ngritur ndaj parashtrueses së kërkesës nga ana e Prokurorisë Themelore për shkak të pretendimit për kryerjen e veprës penale Legalizim i përmbajtjes së pa vërtetë nga neni 403 par.1 i KPRK-së. Gjykata Themelore e kishte e kishte shpallur fajtore parashtruesen e kërkesës për kryerjen e veprës penale Legalizim i përmbajtjes së pavërtetë nga neni 403 par.1 i KPRK-së, dhe i kishte shqiptuar dënim me burgim me kusht prej 6 (gjashtë) muaj, i cili dënim nuk do të ekzekutohej nëse e dënuara në afatin e verifikimit prej një (1) viti, nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi nuk do të kryente vepër tjetër penale. Kundër aktgjykimit të Gjykatës Themelore parashtruesja e kërkesës kishte parashtruar ankesë në Gjykatën e Apelit, ku kjo e fundit e kishte refuzuar ankesën dhe e kishte vërtetuar aktgjykimin e gjykatës së shkallës së parë. Po ashtu edhe kërkesa për mbrojtjen e ligjshmërisë e parashtruar nga ana e parashtrueses së kërkesës kundër aktgjykimit të Gjykatës Supreme, ishte refuzuar nga ana e Gjykatës Supreme.
Parashtruesja e kërkesës pretendoi se me Aktgjykimin e kontestuar të Gjykatës Supreme, i janë shkelur të drejtat e saj të garantuara me nenet: 24 [Barazia para Ligjit] dhe 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës. Gjykata vërejti se thelbi i pretendimeve të parashtrueses së kërkesës kishte të bënte me vërtetimin e gabuar të gjendjes faktike dhe interpretimin e gabuar të ligjeve të zbatueshme nga Gjykatat e rregullta, përkatësisht nenit 403 paragrafi 1 të KPRK-së.
Në lidhje me këtë, Gjykata, bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, por duke marrë parasysh edhe karakteristikat e saj, siç përcaktohen në KEDNJ, si dhe parimin e subsidiaritetit dhe doktrinën e shkallës së katërt, vazhdimisht ka theksuar ndryshimin midis “kushtetutshmërisë” dhe “ligjshmërisë” dhe ka theksuar se nuk është detyrë e saj të merret me gabimet e fakteve ose interpretimin e gabuar dhe zbatimin e gabuar të ligjeve, që pretendohet të jenë bërë nga një gjykatë e rregullt, përveç dhe për aq sa gabimet e tilla kanë mundur të shkelin të drejtat dhe liritë e mbrojtura me Kushtetutë dhe/ose KEDNJ.
Gjykata vërejti se gjykatat e rregullta arsyetuan në mënyrë të detajuar se në bazë të cilave prova dhe në bazë të të cilave dispozita materiale kanë nxjerrë aktgjykimet përkatëse, duke iu përgjigjur pretendimeve të parashtrueses së kërkesës lidhur me vërtetimin e gabuar të gjendjes faktike dhe zbatimin e gabuar të së drejtës materiale.
Gjykata konkludoi se pretendimet e parashtrueses së kërkesës për shkeljen e së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës dhe nenin 6 të KEDNJ-së janë (i) pretendime që bien në kategorinë e “shkallës së katërt” dhe si të tilla, këto pretendime të parashtrueses së kërkesës janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, siç përcaktohet në paragrafin (2) të rregullit 34 të Rregullores së punës.
Sa i përket pretendimeve të parashtrueses të kërkesës për shkelje nenit 24 të Kushtetutës, Gjykata konstatoi se kërkesa duhet të deklarohet e papranueshme si qartazi e pabazuar, sepse ky pretendim cilësohet si pretendim që i takon kategorisë së pretendimeve “të pambështetura ose të paarsyetuara”, pasi parashtruesja e kërkesës thjesht ka cituar një dispozitë të Kushtetutës, pa shpjeguar se si është shkelur ajo. Prandaj, ky pretendim është qartazi i pabazuar në baza kushtetuese, siç përcaktohet në paragrafin (2) të rregullit 34 të Rregullores së punës.
Gjykata po ashtu refuzoi kërkesën e parashtrueses për moszbulim të identitetit, pasi që konstatoi se nuk ka bazë për miratimin e saj.
Kërkesa në tërësi u deklarua e papranueshme si qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, siç përcaktohet në paragrafin (2) të rregullit 34 të Rregullores së punës. Gjithashtu kërkesa për moszbulim të identitetit u refuzua.
Luljeta Sokoli
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Penale